|
Libri: 1. Fillimi i frymëzimit hyjnor
1.
Umer Ibn Hattabi r.a. (radij-Allahu anhu - Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: "
Shpërblimi i veprave varet nga qëllimi që ka pasur çdonjëri dhe gjithsecili do të marrë shpërblim në përputhje me qëllimin që ai ka pasur. Kështu, kushdo që shpërngulet për përfitime të kësaj bote apo për t'u martuar, shtegtimi i tij do të jetë për atë që ai u shpërngul.
2.
Aishja, nëna e besimtarëve të vërtetë, r.a. (radij-Allahu anha / Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: "
Harith Ibn Hishami r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut a.s.: "O i Dërguari i Allahut a.s.! Si të vjen ty Frymëzimi Hyjnor (Vahji)?" I Dërguari i Allahut a.s. iu përgjigj: "Disa herë më vjen si kumbimi i një zileje. Kjo formë është më e rënda. Pastaj kjo gjendje kalon pasi të kem kapur atë që më është shpallur. Nganjëherë meleku më vjen në formë njeriu dhe më flet dhe unë kap çdo gjë që ai më thotë." Aishja r.a. shton: "Vërtet, unë e kam parë Pejgamberin a.s. t'i vinte Frymëzimi në një ditë shumë të ftohtë dhe t'i pikonte djersë nga balli, pasi i kishte mbaruar Frymëzimi."
3.
Aishja, nëna e besimtarëve të vërtetë, r.a., tregon: "Në fillim, Frymëzimi Hyjnor i erdhi të Dërguarit të Allahut a.s. në formën e ëndrrave përgëzuese në gjumë. Sa herë që shihte ëndërr, ajo i vërtetohej qartë si drita e agimit të ri. Pastaj iu bë i dashur qëndrimi vetëm. Kështu, ai tërhiqej i vetmuar dhe mbyllej në shpellën Hira, ku adhuronte (vetëm Allahun Një) pa ndërprerje për shumë net para se të kthehej te familja e tij. Ai gjithnjë e merrte me vete ushqimin për kohën e qëndrimit atje. Pastaj do të kthehej prapë te Hadixhja (bashkëshortja e tij) për të marrë përsëri të njëjtin ushqim, derisa, papritur i zbriti e Vërteta, kur gjendej në shpellën Hira. Kështu, atij i erdhi meleku dhe i tha: "Lexo!" Ai iu përgjigj: "Unë nuk di të lexoj." Pastaj Pejgamberi shtoi në tregimin e tij: "Pastaj meleku më kapi me forcë dhe më shtrëngoi aq fort, saqë nuk mund të mbaja më. Më pas ai më liroi dhe përsëri më kërkoi të lexoj, por unë iu përgjigja, 'Unë nuk di të lexoj'. Pas kësaj ai sërish më mbërtheu dhe më shtrëngoi, aq sa nuk mund ta duroja më. Pastaj më lëshoi dhe prapë më kërkoi që të lexoj, por unë përsëri iu përgjigja, 'Unë nuk di të lexoj (apo çfarë të lexoj?)'. (Por përsëri ai më mbështolli për herë të tretë dhe më shtrydhi fort, pastaj më liroi dhe më tha, 'Lexo! Me Emrin e Zotit tënd i Cili ka krijuar (gjithçka). Ka krijuar njeriun nga një copë e mpiksur gjaku. Lexo! Zoti yt është më i Begati Dhurues.' (Kuran, 96:1- 3). Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. u kthye me Shpalljen dhe me zemrën që i rrihte fort. Kështu shkoi te Hadixhja bint Huvejlid r.a. duke i thënë: "Më mbulo! Më mbulo!" Ata e mbuluan derisa i kaloi frika dhe pastaj i tregoi Hadixhes r.a. gjithë ç'i kishte ndodhur (dhe i shtoi): "Kam frikë se do të më ndodhë gjë." Ndërsa Hadixhja i tha: "Kurrë! (Betohem) për Allah! Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë, sepse ti, me të vërtetë, mban lidhje të mira me farefisin, ndihmon të varfrit dhe i mban të këputurit, i pret mirë miqtë dhe u gjendesh pranë nevojtarëve në fatkeqësi." Pastaj Hadixhja r.a. shkoi bashkë me të te djali i xhaxhait të saj, Varaka Ibn Neufel Ibn Esed Ibn Abdul-Uzza, i cili gjatë xhahilisë (periudha e errët e injorancës para Islame) ishte bërë i krishterë dhe shkruante hebraisht. Ai kishte shkruar pjesë nga Ungjilli në hebraisht aq sa kishte dashur Allahu e tashmë ishte në moshë shumë të thyer dhe kishte humbur shikimin. Hadixhja r.a. i tha atij: "O kushëriri im! Dëgjo nga nipi yt (ndodhinë e tij)." Varaka e pyeti: "O nipi im! Çfarë ke parë?" I Dërguari i Allahut a.s. i përshkroi atij gjithçka që kishte parë. Varaka i tha: "Ky është i njëjti Naums (ai që ruan sekretet, meleku Xhibril a.s. i ngarkuar me dërgimin e Frymëzimit Hyjnor), të cilin Allahu ia ka dërguar Musait a.s.. Do të dëshiroja të isha i ri dhe të jetoja derisa populli yt të të përzërë ty." I Dërguari i Allahut a.s. pyeti: "A do të më përzënë?" Ai iu përgjigj: "Po! Asnjëherë nuk ka ardhur burrë me (mesazh) si ky që ke sjellë ti pa u keqtrajtuar dhe pa u munduar. Dhe, nëse unë arrij të jem gjallë deri atë ditë, atëherë unë do të të ndihmoja e do të të mbështetja ty fort." Por nuk kaloi shumë dhe Varaka vdiq. Po kështu edhe Frymëzimi Hyjnor u ndërpre për pak kohë.
4.
Xhabir Ibn Abdullah Ensariu r.a., duke rrëfyer për kohën e ndërprerjes së Frymëzimit Hyjnor, përcjell fjalët e Pejgamberit a.s.: "
Ndërsa po ecja, kur krejt papritur dëgjova një zë nga qielli. Kështu ngrita kokën dhe ç'të shoh! Meleku që më erdhi në shpellën Hira ishte i ulur në një karrige mes qiellit dhe tokës. Nga kjo u tmerrova shumë prej tij dhe u ktheva në shtëpi duke thënë: "Më mbuloni, më mbuloni". Dhe pas kësaj Allahu xh.sh. shpalli vargjet e shenjta të Kuranit: "O ti (Muhamed a.s.) i mbështjellë me rroba! Ngrihu dhe këshillo! Zotin tënd (Allahun) madhëro! Rrobat e tua pastroji dhe qëndro larg nga ndyrësitë (e idhujve)!" (Kuran, 74:1-3). Pas kësaj Frymëzimet Hyjnore filluan të forcohen e të vijojnë paprerë, duke ndjekur njëra-tjetrën.
5.
Said bin Xhubejri tregon: "Një herë, Ibn Abbasi r.a. tha në lidhje me Fjalën e Allahut: "Mos nxito (o Muhamed) në leximin e tij (Kuranit) me gjuhën tënde" (Kuran, 75:16): "I Dërguari i Allahut a.s. e përballonte Frymëzimin Hyjnor me shumë vështirësi e mundim dhe gjithnjë i luante shumë buzët (duke përsëritur ajetet që i shpalleshin)." Ibn Abbasi i luajti buzët e veta duke thënë: "Po i lëviz buzët (para jush) ashtu siç i luante edhe i Dërguari i Allahut a.s.. Kështu, Allahu shpalli: "Mos nxito (o Muhamed) në leximin e tij (Kuranit) me gjuhën tënde. Ne e kemi për detyrë t'i mbledhim pjesët e tij e të ta lexojmë atë." (Kuran, 75:16,17) Fjala e Allahut: "Dhe, kur të ta lexojmë atë (Kuranin), ti përcille leximin e tij!" (Kuran, 75:18) do të thotë: 'Dëgjoje atë dhe rri i heshtur'. Ajeti: "Pastaj është detyra Jonë për të ta bërë atë të qartë" (Kuran, 75:19) do të thotë: 'Na takon Neve (Allahut) të të bëjmë ty që ta këndosh Kuranin dhe kuptimi i tij do të jetë i qartë vetvetiu nëpërmjet leximit'. Pas kësaj, sa herë që i vinte Xhibrili a., i Dërguari i Allahut a.s. ia vinte veshin mirë dhe, kur Xhibrili a.s. largohej, Pejgamberi a.s. vazhdonte ta këndonte Kuranin ashtu siç ia kishte kënduar ai (Xhibrili a.s. gjatë shpalljes)."
6.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "
I Dërguari i Allahut a.s. ishte më bujari i njerëzve. Kjo arrinte kulmin gjatë muajit të Ramazanit, kur atij i vinte dhe e takonte Xhibrili (a.s.). Xhibrili e takonte gjithnjë atë (Pejgamberin a.s.) çdo natë gjatë Ramazanit dhe i mësonte Kuranin. Kështu pra, i Dërguari i Allahut a.s. ishte më shpirtmadhi i njerëzve në mirësi, edhe më bujar se era e butë (e dërguar nga Allahu me përgëzime për shiun, në gatishmëri e nxitim për të bërë vepra mirësie).
7.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "Një herë Ebu Sufjan Ibn Harbi më tregoi se Herakliu i kishte çuar atij një lajmëtar, kur ky kishte qenë duke shoqëruar një karvan të kurejshëve. Ata ndodheshin për tregti në Sham (Siri, Liban, Palestinë, Jordani - të gjitha ishin një vend me këtë emër) në kohën kur i Dërguari i Allahut a.s. ishte në paqe të përkohshme me Ebu Sufjanin dhe femohuesit kurejshë. Kështu, Ebu Sufjani dhe shoqëruesit e tij shkuan te Herakliu në Ilijn (Jeruzalem). Ai i ftoi ata në oborrin mbretëror të mbushur me fisnikë romakë rreth vetes dhe thirri përkthyesin e tij. Pastaj pyeti (nëpërmjet përkthyesit): "Cili prej jush është më i afërti i këtij burri që mëton të jetë Pejgamber?" Ebu Sufjani u përgjigj: "Unë jam më i afërti i tij nga ne këtu." Herakliu tha: "Silleni atë (Ebu Sufjanin) pranë meje, kurse të tjerët afrojini këtu, pas shpinës së tij." Pastaj Herakliu i tha përkthyesit që t'u thoshte atyre se ai donte t'i bënte Ebu Sufjanit disa pyetje në lidhje me Pejgamberin a.s. dhe, në qoftë se do të gënjente, atëherë ata ta përgënjeshtronin atë. Ebu Sufjani më ka thënë: "Për Allah! Po të mos kisha turp nga shoqëruesit e mi se do të më vinin etiketën e gënjeshtarit, unë nuk do të kisha treguar të vërtetën për Pejgamberin a.s.. Pyetja e parë që ai më bëri për Pejgamberin, ishte: "Cila është shkalla shoqërore e familjes së tij ndër ju?" Iu përgjigja: "Ai i përket një familjeje të shquar ndër ne." (Herakliu) pyeti më tej: "A e ka thënë ndonjëri nga ju më parë atë që thotë ai (pra, se është i Dërguar i Zotit)?" Iu përgjigja: "Jo." Herakliu pyeti: "A ka qenë ndokush nga paraardhësit e tij mbret?" lu përgjigja: "Jo." Herakliu pyeti: "A e pasojnë atë njerëzit e lartë nga ju apo vegjëlia?" lu përgjigja: "Është vegjëlia ajo që e pason." Pyeti përsëri: "A shtohen apo pakësohen (pasuesit e tij)?" Iu përgjigja: "Përkundrazi shtohen." Pastaj ai pyeti: "A ka ndonjë nga ata të cilët përqafojnë fenë e tij që të mërzitet dhe pastaj ta braktisin më pas fenë?" Thashë: "Jo." Herakliu tha: "A e keni akuzuar ndonjëherë për gënjeshtar para këtij pohimi të tij?" Iu përgjigja: "Jo." Herakliu tha: "A ka tradhtuar apo shkelur ndonjëherë marrëveshjet e tij?" Iu përgjigja: "Jo. Tani ne jemi në armëpushim me atë, por nuk e dimë se çdo të bëjë ai me të." Nuk munda të gjej rast tjetër të them gjë kundër tij, përveç asaj fjale. Herakliu pyeti: "A keni luftuar me të?" lu përgjigja: "Po." Pastaj tha: "Cili ka qenë përfundimi i luftërave kundër tij?" Iu përgjigja: "Lufta mes nesh ka qenë e këmbyer, disa herë ka qenë ai fitues dhe disa herë ne." Herakliu tha: "E çfarë ju urdhëron ai?" I thashë: "Ai na urdhëron të adhurojmë vetëm Allahun Një e të Vetëm dhe të mos i vëmë Atij shokë, duke adhuruar tjetërkënd në vend të Tij apo përkrah me Të; të heqim dorë nga çfarë adhuronin baballarët tanë dhe na urdhëron për faljen e namazit, për drejtësi e për të folur drejt, për dëlirësi dhe për mirëshkuesi me farefis." Pastaj ai e urdhëroi përkthyesin të më thoshte në vazhdim: "Në të vërtetë, unë të pyeta për familjen e tij dhe ti përmende se ai i përkiste një familjeje shumë fisnike. Kështu janë të dërguarit: ata të gjithë kanë dalë nga familjet më të shquara të kombit të tyre. Të pyeta nëse ndokush tjetër mes jush ka pohuar një gjë të tillë (profecinë) para tij dhe përgjigja qe mohuese. Po të kishte qenë përgjigjja pohuese, do të mendoja se ky burrë ndiqka fjalët e paraardhësit të tij. Pastaj të pyeta nëse kishte qenë ndonjë nga paraardhësit e tij mbret dhe përgjigja qe mohuese. Po të kishte qenë përgjigja pohuese do të thosha se është njeri i cili kërkon mbretërinë e të parëve të vet. Pastaj të pyeta nëse ishte akuzuar ndonjëherë për gënjeshtra më parë se të nxirrte këtë pretendim (për profeci) dhe përgjigja qe mohuese. Kështu që unë e kuptoj qartë se ai që nuk ka folur kurrë gënjeshtra ndaj njerëzve, nuk mundet kurrë që të gënjejë ndaj Allahut. Të pyeta nëse e ndjekin atë të pasurit apo të varfrit, ndërsa ti përmende se pasuesit e tij janë të varfrit. Dhe vërtet, gjithnjë janë ata pasuesit e të Dërguarve. Pastaj të pyeta nëse ata shtohen apo pakësohen, ndërsa ti përmende se ata veçse shtohen. E tillë është çështja e imanit (besimit të vërtetë) derisa ai të plotësohet e të përmbushet në çdo pjesë të tij. Të pyeta nëse ndonjë prej atyre e braktis fenë e tij, pasi e ka përqafuar atë duke qenë i pakënaqur me të, ndërsa përgjigja jote qe mohuese. I tillë është Besimi i vërtetë, kur ëmbëlsia e tij hyn në zemra dhe shkrihet plotësisht në to. Të pyeta nëse ka tradhtuar ndonjëherë dhe ti u përgjigje që jo. Vërtet kështu është: të Dërguarit kurrë nuk tradhtojnë. Pastaj të pyeta se çfarë ju urdhëron dhe ti përmende se si ju urdhëron të adhuroni vetëm Allahun Një e të Vetëm dhe të mos i bashkoni gjë Atij në adhurim, jua ndalon adhurimin e idhujve; pastaj ju urdhëron të falni namazin, të flisni drejt dhe të jeni të dëlirë. Në qoftë se gjithë ç'ke thënë është e vërtetë, atëherë shumë shpejt ai do të pushtojë këtë vend që është nën këmbët e mia. Dhe unë e dija (nga Shkrimet e Para) se ai do të dilte, por nuk e dija se ai do të ishte prej jush dhe, nëse do të isha i sigurt për të shkuar tek ai, atëherë do të shkoja menjëherë për ta takuar e, po të gjendesha pranë tij, padyshim që do t'ia laja këmbët." Herakliu pastaj kërkoi letrën e të Dërguarit të Allahut a.s., të cilën Dihja ia kishte çuar Herakliut nëpërmjet guvernatorit të Busras (në Siri). Pasi e mori, e lexoi. Ja çfarë ishte shkruar në të: Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhamedi, rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij (drejtuar) Herakliut, sunduesit të bizantinëve. Paqja qoftë mbi atë që ndjek Udhën e Vërtetë. Për më tej, unë të ftoj të përqafosh Islamin. Bëhu musliman që të jesh i shpëtuar (nga ndëshkimi i Allahut) dhe Allahu ka për të të dhuruar shpërblim të dyfishtë. Por, nëse ti nuk e pranon këtë, atëherë mbi ty do të jetë përgjegjësia për mëkatet e popullit tënd. (Unë të citoj Fjalën e Allahut): "O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t'i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se njëri-tjetrin nuk do ta mbajmë për zot, në vend të Allahut! Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: 'Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!'. (Kuran, 3:64) Kur Herakliu mbaroi fjalën e tij dhe pasi lexoi letrën, u bë shumë gjullurdi dhe u ngritën zërat në oborrin mbretëror, kështu që ne na nxorën jashtë. Unë u thashë shokëve të mi se çështja e Ibn Ebi Kebshas (Pejgamberit Muhamed a.s.) është bërë aq e dëgjuar, sa edhe mbreti i Beni Esferëve (bizantinëve) po i frikësohet atij. Që këtej unë po bindesha se ai (Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s.) shumë shpejt do të ishte fitimtari, derisa unë përqafova Islamin (duke më udhëzuar Allahu drejt tij)." Ibn Naturi ishte në atë kohë sunduesi i Ilijas (Jeruzalemit), kurse Herakliu ishte i pari i të krishterëve të Shamit. Ibn Naturi tregon se një herë, kur Herakliu ndodhej për vizitë në Ilija, ai u ngrit në mëngjes i mërzitur në vetvete. Disa nga priftërinjtë e tij e pyetën pse ishte në atë gjendje. Herakliu ishte parashikues dhe astrolog. Ai u përgjigj: "Natën kur vështrova yjet, pashë se është dukur (dhe ka triumfuar) prijësi i atyre që bëhen synet. Kush është ai popull?" Ata iu përgjigjën: "Përveç çifutëve askush nuk e praktikon synetllëkun, kështu që ti nuk duhet të kesh frikë prej tyre. Vetëm shkruaj urdhra për gjithë anët e mbretërisë tënde për të marrë çdo çifut që gjendet gjithandej në mbretëri." Ndërsa ata ishin në këto fjalë, një lajmës i çuar nga mbreti i Gassanit u soll përpara Herakliut për t'i bërë të njohur lajmin për të Dërguarin e Allahut a.s.. Duke marrë këtë njoftim prej tij, Herakliu urdhëroi njerëzit e tij të shkojnë dhe të shohin nëse ai (lajmësi i Gassanit) ishte i bërë synet. Pasi e panë atë, i thanë (Herakliut) se ai ishte i bërë synet. Pastaj e pyeti për arabët dhe ai u përgjigj: "Edhe ata e zbatojnë bërjen synet." Pasi dëgjoi këtë, Herakliu bëri të njohur se sundimi i këtij kombi (arabëve) tashmë ka nisur. Herakliu i shkroi një mikut të vet në Romë, i cili matej me të në dituri dhe nga këtej u nis për Hims (qytet në Siri), duke pritur atje derisa i mbërriti letra e përgjigjes nga miku i tij. Sipas letrës edhe shoku i tij pajtohej me mendimin për ardhjen e Profetit (Muhamed a.s.) dhe se me të vërtetë ky (Muhamedi a.s.) ishte Pejgamber. Atëherë Herakliu thirri krerët e bizantinëve për t'u mbledhur në pallatin e tij në Hims. Kur u grumbulluan, ai urdhëroi që të gjitha dyert e pallatit të tij të mbylleshin. Pastaj doli para tyre dhe tha: "O Bizantinë! Nëse dëshironi triumfin, nëse kërkoni udhëzim të shpejtë dhe, nëse doni që perandoria të mbetet e juaja, atëherë jepiani besën këtij Profeti." (Duke dëgjuar mendimet e Herakliut) të gjithë njerëzit u derdhën drejt dyerve të pallatit si gomarë të egër, por i gjetën të mbyllura. Herakliu, kur pa urrejtjen e tyre ndaj Islamit dhe duke humbur shpresën për ta për të besuar (që të përqafonin Islamin), urdhëroi: "Sillini prapë tek unë." (Pasi u kthyen) u tha: "Ajo që sapo ju thashë, ishte vetëm për të provuar forcën dhe lidhjen që keni me fenë tuaj dhe tashmë e pashë atë." Të gjithë të pranishmit ranë me fytyrë për tokë para tij të kënaqur me të. Kështu pra ishte fundi i çështjes së Herakliut (në lidhje me besimin e tij)."
|