Libri: 83. Gjoba e gjakësit
2170.
Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ai që mban armët ngrehur kundër nesh, nuk është prej nesh." (6874)
2171.
Abdullahu r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Gjaku i muslimanit që dëshmon se nuk ka asnjë të adhuruar të merituar, përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, nuk mund të derdhet përveçse në tri raste: kur jeta merret për jetë,kur i martuari (ose e martuara) kryen marrëdhënie intime jashtë martese dhe, kur dikush del nga Islami (duke ndërruar fenë) dhe e lë bashkësinë muslimane". (6878)
2172.
Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Njerëzit më të urryer tek Allahu janë tre: një njeri që i thyen rregullat e sjelljes territoret e shenjta (rreth Mekës dhe Medines); një njeri i cili kërkon që rregullat dhe parimet e kohës së padijes paraislame të mbeten edhe në Islam; dhe një njeri që kërkon të derdhë gjakun e dikujt pa kurrfarë të drejte." (6882)
2173.
Ebu Hurejra r.a. tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s të thotë: "Në qoftë se dikush shikon vjedhurazi në shtëpinë tënde pa lejen tënde dhe ti i hedh një gur duke i nxjerrë atij syrin, një gjë e tillë nuk përbën asnjë gjynah për ty." (6887, 6888)
2174.
Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ky gisht dhe ky gisht (duke treguar gishtin e madh dhe të voglin) janë njësoj (në lidhje me gjobën e gjakut)" (6895)
|