Libri: 74. Marrja e lejës
2057.
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "I riu duhet të përshëndesë më të moshuarin, kalimtari duhet të përshëndesë të ulurin dhe grupi më i vogël duhet të përshëndesë grupin më të madh." (6231)
2058.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Kalorësi duhet të përshëndesë këmbësorin dhe këmbësori duhet të përshëndesë të ulurin, po kështu një grup më i vogël duhet të përshëndesë një grup më të madh." (6233)
2059.
Abdullah Ibn Amri r.a. tregon se një burrë e pyeti Pejgamberin a.s.: "Ç'punë e ç'veçori të Islamit janë më të mira?" Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "Tu japësh nevojtarëve për të ngrënë dhe të përshëndesësh ata që i njeh dhe ata që nuk i njeh." (6236)
2060.
Sehl Ibn Saadi r.a. tregon: "Një burrë shikoi vjedhurazi nëpërmjet një vrime në shtëpinë e Pejgamberit a.s., ndërkohë Pejgamberi a.s. kishte në dorë një krehër hekuri me të cilin po krihte kokën. Ai tha: "Po ta dija se ti po vështroje nga vrima, do të ta kisha shpuar syrin me të. Me të vërtetë, urdhri për të marrë leje për të hyrë diku është bërë i detyruar për shkak të ruajtjes së kufijve të shikimit." (6241)
2061.
Ibn Abbasi r.a. tregon nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Allahu ka shkruar për birin e Ademit pjesën e tij të imoralitetit në të cilin ai bie në mënyrë të pashmangshme. Kësisoj pra, imoraliteti i syrit është shikimi i gjërave të ndaluara, imoraliteti i gjuhës është fjala e ligë, nepsi dëshiron e lakmon, ndërsa organet private i vërtetojnë të gjitha këto ose i mohojnë." (6243)
2062.
Tregohet se Enesi r.a. kaloi pranë një grupi fëmijësh, i përshëndeti ata pastaj tha: "Kështu bënte Pejgamberi a.s.." (6247)
2063.
Xhabiri r.a. tregon: "Një herë Shkova te Pejgamberi a.s. për ta pyetur për një borxh të babait tim. Kur trokita në derë, ai më pyeti: "Kush është?" Unë iu gjegja: "Unë." Ai tha: "Unë, unë?!" duke e përsëritur, sikur të mos e pëlqente këtë gjë." (6250)
2064.
Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Burri nuk duhet ta bëjë një tjetër të ngrihet nga vendi i tij që pastaj të ulet vetë aty, por i bëni vend njëri-tjetrit dhe hapuni." (6269, 6270)
2065.
Ibn Umeri r.a. tregon: "E kam parë të Dërguarin e Allahut a.s. të ulur pupas me duart rreth këmbëve në oborrin e Qabesë. Ja, kështu! (duke e treguar)." (6272)
2066.
Abdullahu tregon r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kur të jeni tre veta, atëherë të mos flasin veçan dy prej jush duke e lënë të tretin vetëm, derisa të përziheni me njerëz të tjerë, pasi lënia mënjanë mund ta dëshpërojë atë." (6290)
2067.
Ebu Musa r.a. tregon: "Një natë në Medine u dogj një shtëpi me gjithë njerëzit brenda. Pejgamberi a.s. foli për ta dhe tha: "Vërtet që ky zjarr është armiku juaj, kështu që, kur të bini të flini, fikeni atë që të ruani veten." (6294)
2068.
Ibn Umeri r.a. tregon: "Në kohën e Pejgamberit a.s. ndërtova një shtëpi me duart e mia që të më ruante nga shiu dhe të më mbronte nga dielli dhe për të nuk më ndihmoi asnjë krijesë e Allahut.,/ (6302)
|