|
Libri: 59. Betejat
1599.
Tregohet se Zejd Ibn Arkamin r.a. e kanë pyetur: "Sa beteja të shenjta ka ndërmarrë Pejgamberi a.s.?" Zejdi i është përgjigjur: //Nëntëmbëdhjetë,/. E pyetën përsëri: "Në sa beteja të tilla ke marrë pjesë ti me të?" Është përgjigjur: "Shtatëmbëdhjetë." E pyetën: "Cila ka qenë e para e tyre?" Ka thënë: "Ajo e Ushejrit ose e Usejrit." (3949)
1600.
Ibn Mesudi r.a. tregon: "Qeshë i pranishëm me Mikdad Ibn Esvedin në një çast madhor, i cili do të kishte qenë më i dashur se çdo gjë tjetër për mua, sikur të kisha qenë unë heroi i tij. Ndërkohë që Pejgamberi a.s. po i nxiste muslimanët të luftonin kundër idhujtarëve, Mikdadi erdhi dhe i tha: "Ne nuk do të themi siç tha populli i Musait a.s.: 'Shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni ju të dy' (Kuran, 5:24)-, por do të luftojmë (përkrah teje) në të djathtë e në të majtë, para dhe mbrapa teje!" Unë e pashë Pejgamberin a.s. t'i ndriçonte fytyra nga gëzimi, pasi ajo fjalë e kënaqi vërtet." (3952)
1601.
Berau r.a. tregon se shokët e Pejgamberit Muhamed a.s. që morën pjesë në luftën e Bedrit i kanë thënë atij se numri i tyre ka qenë sa numri i shokëve të Talutit (Saulit) të cilët kaluan lumin (Jordan) me të. Ata qenë pak më shumë se treqind e dhjetë burra (310- 319) Berau tha: "Jo, për Allah! Askush nuk e kaloi lumin me të, përveç atyre që ishin besimtarë!" (Shih në Kuran, 2:249) (3957)
1602.
Enesi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. tha (gjatë betejës së Bedrit): "Kush shkon të shikojë se ç'i ka ndodhur Ebu Xhehlit?" Ibn Mesudi shkoi dhe pa se dy djemtë e Arfait e kishin goditur për vdekje (dhe ai ishte në frymën e fundit). Ibn Mesudi e pyeti. "A ti je Ebu Xhehli?"- dhe e kapi atë për mjekre. Ebu Xhehli i tha: " A ka më lart se ai që keni vrarë, ose se ai të cilin e ka vrarë populli i vet?" (3962)
1603.
Ebu Talha r.a. tregon: "Ditën e Bedrit, Pejgamberi a.s. urdhëroi që kufomat e njëzet e katër vetave nga paria e kurejshëve të hidheshin në një nga puset e ndyrë të tharë të Bedrit. Pejgamberi a.s. e kishte zakon që, sa herë që fitonte mbi ndonjë armik, ai qëndronte në fushën e betejës për tri net. Kështu, ditën e tretë të Luftës së Bedrit, ai urdhëroi që t'ia shalonin devenë e tij. Pastaj u nis, duke nxitur devenë. Shokët e tij e ndoqën nga pas dhe po thoshin mes tyre: "Padyshim që nuk po nxiton, veçse për ndonjë arsye të madhe." Kur arriti në buzë të pusit, filloi t'i thërrasë paganët kurejshë me emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre: "O filan, i biri i filanit! O filan, i biri i filanit! A do të ishit kënaqur sikur t'i ishit bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Ne sigurisht që e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë. Po ju a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?" Umeri i tha: "O i Dërguari i Allahut! A po u flet trupave pa shpirt?!" I Dërguari i Allahut a.s. i tha: "Për Atë, në Duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Ju nuk e dëgjoni atë që them unë më mirë se ç'e dëgjojnë ata!" (3976)
1604.
Rifaa Ibn Rafiu r.a., i cili ka qenë nga luftëtarët e Luftës së Bedrit, tregon se Xhibrili a.s. ka ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i ka thënë: "Si i shihni luftëtarët e Bedrit ndërmjet jush?" Pejgamberi a.s. i tha: "Nga muslimanët më të shquar"-, ose tha një fjalë të tillë të ngjashme. Xhibrili a.s. i tha: "Kështu janë edhe ata melekë që morën pjesë në Luftën e Bedrit." (3992)
1605.
Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë ditën e Bedrit: "Ky është Xhibrili a.s. duke mbajtur për koke kalin e vet dhe i armatosur për luftë." (3995)
1606.
Zubejri r.a. tregon: "Ditën e Bedrit e takova Ubeide Ibn Seidin të veshur i tëri me armaturë e nuk i shihej asgjë, përveç syve. I kishin vënë nofkën Ebu Dhatil-Kerish dhe vetë thoshte krenar: "Unë jam Ebu Dhatil-Kerish.// Unë e qëllova me heshtë duke ia shpuar syrin dhe ai vdiq. Ia vura këmbën mbi trup që ta nxjerr heshtën, por edhe kështu u mundova shumë, sepse heshtës i ishin shtrembëruar të dy anët." Urva, i biri i Zubejrit, vazhdon: "Më vonë i Dërguari i Allahut a.s. ia kërkoi Zubejrit atë heshtë dhe ai ia dha. Kur vdiq i Dërguari i Allahut a.s., Zubejri e mori atë përsëri. Pastaj ia kërkoi atë Ebu Bekri dhe ai ia dha. Kur vdiq Ebu Bekri (ai e mori atë prapë), por ia kërkoi Umeri dhe ai ia dha atë atij. Kur vdiq Umeri, ai e mori atë përsëri, por pas tij ia kërkoi Uthmani dhe Zubejri ia dha atë atij. Pasi u vra Uthmani, heshta mbeti te familja e Aliut. Pastaj atë e kërkoi Abdullahi, i biri i Zubejrit që e mbajti atë derisa u vra." (3998)
1607.
Rubejia Bint Muavvidh r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. hyri tek unë në mëngjes pas natës së martesës sime dhe u ul në krevatin tim ashtu siç je ulur ti tani (i drejtohet bashkëbiseduesit). Ndërkohë disa vajza të vogla po i binin dajres dhe po vajtonin për baballarët e mi që u vranë ditën e luftës së Bedrit. Kur njëra nga ato vajza tha: "Mes nesh është një Pejgamber që di çdo të ndodhë nesër"-, Pejgamberi a.s. i tha asaj: "Mos thuaj ashtu, por vazhdo e thuaj atë që po thoshe më parë." (4001)
1608.
Ibn Abbasi r.a. tregon se Ebu Talha, i cili kishte luftuar në Bedr bashkë me të Dërguarin e Allahut a.s., i ka treguar se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Nuk hyjnë melekët në atë shtëpi ku ka qen dhe figura (qeniesh me shpirt)" (4002)
1609.
Ibn Umeri r.a. tregon se babai i tij Umeri r.av ka thënë: "Bija ime, Hafsaja, humbi bashkëshortin e saj Humaisin, i cili qe nga shokët e të Dërguarit të Allahut a.s. që luftoi në Bedr dhe vdiq në Medine. Kështu, unë takova Uthmanin dhe ia parashtrova atij që të martohej me Hafsanë, duke i thënë: "Në qoftë se dëshiron, ta jap për martesë Hafsanë, të bijën e Umerit." Ai më tha: "Ta mendoj këtë gjë." Prita për disa ditë pastaj më tha: "Vendosa që të mos martohem tani për tani." Pastaj takova Ebu Bekrin dhe i thashë: "Në qoftë se dëshiron, ta jap për martesë Hafsanë, të bijën e Umerit." Ai heshti dhe nuk më dha asnjë përgjigje. Për këtë arsye unë u zemërova me të më shumë se me Uthmanin. Disa ditë më pas, Hafsanë ma kërkoi për grua i Dërguari i Allahut a.s. dhe ia dhashë atë atij për bashkëshorte. Më vonë më takoi Ebu Bekri dhe më tha: "Mbase u zemërove me mua kur më paraqite Hafsanë për martesë, ndërsa unë 'nuk të dhashë asnjë përgjigje." I thashë që po. Më tha: "Nuk më pengoi gjë tjetër që të pranoja propozimin tënd, veç ajo që mora vesh se i Dërguari i Allahut a.s. kishte bërë fjalë për Hafsanë dhe nuk desha të nxjerr të fshehtat e të Dërguarit të Allahut a.s., por, në qoftë se ai do të kishte hequr dorë prej saj, unë sigurisht që do ta kisha pranuar atë." (4005)
1610.
Ebu Mesud Bedrij r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Kushdo që këndon dy ajetet e fundit të sures Bekare (Kuran, 2:285-286) natën, kjo do t'i mjaftonte atij." (4008)
1611.
Mikdad Ibn Amr r.a., aleat i fisit Beni Zuhra dhe një nga ata që luftuan bashkë me të Dërguarin e Allahut a.s. në Bedr, tregon se i ka thënë të Dërguarit të Allahut a.s.: "Sikur të takohem me ndonjë femohues dhe të luftojmë me njëri-tjetrin, ndërkohë ai më qëllon njërën dorë me shpatë dhe ma pret, pastaj fshihet pas ndonjë peme duke thënë: 'I dorëzohem Allahut (duke u bërë musliman)'-, a ta vras atë, o i Dërguari i Allahut, pasi të ketë thënë këto fjalë?'" I Dërguari i Allahut a.s. tha: "Mos e vrit." I thashë: 'O i Dërguari i Allahut, po ai më preu njërën dorë, ndërsa fjalën e tha pasi ma preu atë?' I Dërguari i Allahut u përgjigj: "Mos e vrit atë, pasi, në qoftë se ti e vret atë, ai do të ishte në vendin që ishte ti para se ta vrisje atë dhe ti do të ishe në vendin ku qe ai para se t'i thoshte ato fjalë." (4019)
1612.
Xhubejri r.a. tregon: "Një herë e dëgjova Pejgamberin a.s. të këndojë në namazin e mbrëmjes suren Et-Tur (nr.52) dhe kjo qe hera e parë që m'u mboll besimi në zemër. Kur po fliste për robërit e luftës së Bedrit, Pejgamberi a.s. tha: "Po të ishte gjallë Mutëim Ibn Adij dhe të më kishte folur për ta, padyshim që unë do t'i kisha liruar ata për hatër të tij." (4023, 4024)
1613.
Ibn Umeri r.a. tregon: "Fiset Beni Nedir dhe Beni Kurejdha (dy fise çifute në Medine) e luftuan Pejgamberin a.s. (duke prishur kështu marrveshjen e tyre të paqes). Kështu, Pejgamberi a.s. e nxori nga Medina fisin Beni Nedir, ndërsa fisin Beni Kurejdha e la në vendin e vet duke mos marrë asgjë prej tyre, derisa edhe ata e luftuan Pejgamberin a.s.. Atëherë ai i vrau burrat e tyre dhe i ndau gratë e tyre, fëmijët e tyre dhe pasurinë e tyre ndërmjet muslimanëve, përveç disave prej tyre të cilët erdhën te Pejgamberi a.s. dhe ai u dha atyre siguri, ndërsa ata hynë në Islam. Pejgamberi a.s. i dëboi të gjithë çifutët e Medines: çifutët e fisit Beni Kajnuka, fisi i Abdullah Ibn Selamit (i cili përqafoi Islamin), çifutët e fisit Beni Haritha si dhe të gjithë çifutët e tjerë të Medines." (4028)
1614.
Ibn Umeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. dogji dhe preu palmat e hurmave të fisit Beni Nedir në vendin e quajtur Buveira. Nga kjo, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: "Për çfarëdo peme palme (të armikut) që pretë apo latë në këmbë, keni pasur miratimiii e Allahut, në mënyrë që Ai t'i poshtërojë të pabindurit.// (Kuran, 59:5) (4031)
1615.
Aishja r.a. tregon se gratë e Pejgamberit a.s. e dërguan Uthmanin tek Ebu Bekri për t7i kërkuar atij një të tetën e fej'iP08 të cilën Allahu ia kishte siguruar të Dërguarit të Vet a.s., por unë i kundërshtoja ato duke u thënë: " A nuk do ta keni frikë Allahun? A nuk e dini se Pejgamberi a.s. thoshte: "Ne (Pejgamberët) nuk trashëgohemi, por gjithçka që lëmë mbrapa jepet sadaka?!" - dhe me këtë Pejgamberi a.s. kishte parasysh veten e vet: 'por familja e Muhamedit (a.s.) mund të hajë nga kjo pasuri/" Kësisoj pra gratë e Pejgamberit a.s. hoqën dorë nga kërkesa e tyre dhe u ndaluan tek ajo që u thashë unë. (4033, 4034)
1616.
Xhabiri r.a. tregon: "Një herë, i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Kush do ta vrasë Kab Ibn Eshref? Ai vërtet që ka fyer rëndë Allahun dhe të Dërguarin e Tij." Kështu, u ngrit Muhamed Ibn Meslema dhe tha: "O i Dër'guari i Allahut! A do që unë ta vras atë?" Pejgamberi a.s. i tha: "Po." Muhamed Ibn Meslema tha: "Më lër të them diçka (që ta mashtroj Kabin)" dhe Pejgamberi a.s. e lejoi. Pastaj Muhamed Ibn Meslema shkoi te Kabi dhe i tha: "Ai burrë (Muhamedi a.s.) na kërkon sadaka dhe na ka shqetësuar kështu që kam ardhur tek ti të marr diçka borxh." Kabi i tha: "Për Allah, ju do të lodheni me të." Muhamed Ibn Meslema i tha: "Ne tashmë i kemi shkuar pas, kështu që nuk duam ta lëmë derisa të shohim si do të jetë fundi i tij. Tani ne duam prej teje një barrë deveje ose dy me ushqime." Kabi i tha: "Po (do t'u jap), por duhet të më lini diçka peng." Muhamed Ibn Meslema dhe shoku i tij i thanë: "Ç'gjë do?" Kabi tha: "Më lini peng gratë tuaja." I thanë: "Si mund të t'i lëmë ty peng gratë tona, kur ti je më i pashmi i arabëve?" Kabi u tha: "Atëherë më lini peng fëmijët tuaj." I thanë: "Si mund të t'i lëmë ty peng fëmijët tanë? Më vonë ata do të fyhen nga njerëzit duke u thënë: 'Filani është lënë peng për një barrë deveje a dy'. Kjo gjë do të na poshtëronte rëndë, por ne do të lëmë ty peng armët tona." Kështu, ata i dhanë besën Kabit se do të ktheheshin. Pastaj Muhamed Ibn Meslema shkoi te Kabi natën bashkë me Ebu Nailin që ishte vëlla qumështi me Kabin. Ai i ftoi ata në fortesën e vet dhe zbriti poshtë tek ata. E shoqja e vet e pyeti: "Ku po shkon në këtë orë?" Kabi i tha: "Nuk është tjetër kush përveç Muhamed Ibn Meslema dhe vëllai im i qumështit, Ebu Naili." Ajo i thotë: "Dëgjoj një zë sikur po pikon gjak prej tij." Kabi i thotë: "Nuk janë veçse vëllai im Muhamed Ibn Meslema dhe vëllai im i qumështit Ebu Naili. Një njeri bujar duhet t'i përgjigjet thirrjes natën edhe në qoftë se e ftojnë për ta vrarë." Muhamed Ibn Meslema kishte shkuar me dy burra të tjerë. (Disa përmendin Ebu Abas Ibn Ausin dhe Abbad Ibn Bishrin). Kështu, Muhamed Ibn Meslema hyri brenda bashkë me dy burrat e tjerë dhe u tha atyre: "Kur të vijë Kabi, unë do t'i prek atij flokët dhe do t'i marr erë, ndërsa, kur të më shihni se e kam kapur për koke, atëherë goditeni. (Përcjellësi i dytë i hadithit thotë se Muhamed Ibn Meslema u tha shokëve të tij: "Do t'ua afroj juve kokën e tij që t'i merrni erë.") Kabi zbriti poshtë tek ata i mbështjellë me robat e tij dhe me erë që kundërmonte. Muhamed Ibn Meslema i tha: "Kurrë nuk kam ndjerë erë më të mirë se kjo." Kabi i tha: "Unë kam gratë më të mira arabe që dinë të përdorin llojet më të mira të parfumeve." Muhamed Ibn Meslema i tha: "A më lë që t'i marr erë kokës tënde?" Kabi i tha që po. Muhamed Ibn Meslema i mori erë dhe ia afroi edhe shokëve të tij pastaj i tha përsëri: "A t'i marr erë kokës përsëri?" Ai i tha që po. Kur Muhamed Ibn Meslema e kapi atë fort u tha shokëve të tij: "Hidhuni mbi të!" Kështu, ata e vranë Kabin pastaj shkuan dhe i treguan Pejgamberit a.s.". (4037)
1617.
Berau r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. çoi disa burra nga ensarët për të vrarë çifutin Ebu Rafi dhe caktoi komandant të tyre Abdullah Ibn Atikun. Ebu Rafiu po e lëndonte shumë të Dërguarin e Allahut a.s. dhe i ndihmonte armiqtë kundër tij. Ai jetonte në kalanë e tij në tokën e Hixhazit. Kur ata burra iu afruan kalasë së tij, pasi kishte perënduar dielli dhe njerëzit i kishin kthyer bagëtitë e tyre në shtëpi, Abdullah Ibn Atiku u tha shokëve të tij: "Uluni në vendet tuaja, ndërsa unë do të përpiqem t'i bëj ndonjë dredhi rojes së portës që të mund të hyj brenda." Kështu, Abdullahu eci drejt kalasë dhe, kur iu afrua portës, u mbulua i tëri me rrobat e veta duke u shtirur sikur po kryente nevojën. Njerëzit kishin hyrë brenda dhe portieri (duke e kujtuar atë si ndonjë shërbëtor të kalasë) i thirri atij: "O rob i Allahut! Në qoftë se dëshiron të hysh brenda, eja, sepse dua të mbyll portën." Më pas Berau tregon se Abdullahu i ka rrëfyerr: "Kështu, unë hyra brenda në kala dhe u fsheha. Kur njerëzit hynë brenda, portieri e kyçi derën dhe i vari çelësat në një shtyllë druri. Unë u ngrita e mora çelësat dhe e hapa portën. Disa njerëz po rrinin vonë me Ebu Rafiun për ndonjë bisedë nate në një nga dhomat e tij. Kur shokët e tij të zbavitjes së natës u larguan, unë u ngjita lart drejt tij. Çdo derë që hapja e mbyllja nga brenda. Thashë me vete: "Edhe nëse këta njerëz më zbulojmë, ata nuk do të munden të më kapin, derisa unë ta kem vrarë atë." Kështu, mbërrita deri tek ai dhe e gjeta që po flinte në një vend të errët ndërmjet familjes së tij, por nuk po e dalloja dot në ç'vend të shtëpisë ishte, kështu që i thirra: "O Ebu Rafi!" Ai u dëgjua: "Kush është?" Unë bëra përpara në drejtim të zërit dhe e qëllova me shpatë, por për shkak të hutimit tim nuk munda ta vras. Ai thirri me zë të lartë, ndërsa unë dola jashtë nga shtëpia dhe prita pak pastaj u ktheva përsëri tek ai dhe i thashë: "Ç'është ky zë, o Ebu Rafi?" Ai foli fjalë fyese dhe tha: "Dikush në shtëpinë time sapo më ka qëlluar me shpatë!" Unë përsëri e qëllova fort, por nuk e vrava dot. Pastaj ia ngula majën e shpatës në bark dhe ia rrasa derisa i preku kurrizin. Në këtë mënyrë u binda se e kisha vrarë. Pastaj hapa dyert një nga një derisa arrita te shkallët. Duke menduar se kisha zbritur në tokë, hodha hapin përpara, kur ja! Rashë dhe theva këmbën në një natë me hënë! E lidha këmbën me copën e çallmës dhe eca derisa u ula tek porta.Thashë me vete: "Nuk do të dal jashtë sonte derisa ta marr vesh mirë se e kam vrarë atë." Kështu herët në mëngjes kur këndoi gjeli, lajmëruesi i fatkeqësisë u ngjit në mur duke thirrur: "Ju njoftoj vdekjen e Ebu Rafiut, tregtarit të Hixhazit." Fill pas kësaj shkova te shokët e mi dhe u thashë: "Le të ikim të shpëtojmë, sepse Allahu e vrau Ebu Rafiun/7 Kështu, unë (dhe shokët e mi vazhduam rrugën dhe) mbërritëm te Pejgamberi a.s. dhe ia dëftova të gjithë ndodhinë. Ai më tha: "Shtrije këmbën". Unë e shtriva atë dhe, ndërsa ai ma fërkoi, ajo m'u bë fare mirë sikur të mos më kishte dhembur kurrë më parë!" (4039)
1618.
Xhabir Ibn Abdullahu r.a. tregon: "Ditën e betejës së Uhudit, një njeri shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: "A mund të më thuash se ku do të jem nëse vritem?" Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "Në Xhenet." Kështu, ai hodhi disa hurma që po i mbante në dorë dhe luftoi derisa ra dëshmor." (4046)
1619.
Saad Ibn Ebi Vekkasi r.a. tregon: "E kam parë të Dërguarin e Allahut a.s. ditën e betejës së Uhudit të shoqëruar nga dy vetë që luftonin në vend të tij. Të dy ishin të veshur me rroba shumë të bardha dhe luftonin me trimëri të rrallë. As nuk i kisha parë më parë dhe as nuk i pashë më pas lufte." (Thuhet se ata kanë qenë Melekët Xhibril dhe Mikail.) (4054)
1620.
Saad Ibn Ebi Vekkasi r.a. tregon: "Ditën e luftës së Uhudit Pejgamberi a.s. nxori një çantë me shigjeta dhe më tha: "Hidhi, u bëfshin kurban babai dhe nëna ime për ty!" (4055)
1621.
Enesi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. u plagos në fytyrë ditën e Uhudit dhe tha: "Si mund të jetë i shpëtuar një popull, i cili plagos fytyrën e Pejgamberit të vet?" Pastaj zbriti ky ajet: "Vendimi nuk është i yti (o Muhamed a.s., por i Allahut), ..." (Kuran, 3:128) (4069)
1622.
Ibn Umeri r.a. tregon: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. pas ngritjes nga rukuja (përkulja) në rekatin e dytë të namazit të agimit që të thoshte: 'Semi-Allahu limen hamideh, Rabbena ve lekel-hamd - Allahu e ka dëgjuar atë që e lavdëroi Atë. Zoti ynë, gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Ty! O Allah! Mallkoje filanin, edhe filanin, edhe filanin (duke përmendur emra të femohuesve kurejshë)!" Kështu, Allahu i Madhëruar shpalli ajetin: "Vendimi nuk është i yti ..." (Kuran, 3:128) (4070)
1623.
Abdullah Ibn Adi tregon se e ka pyetur Vahshijun: "A nuk na tregon ndodhinë e vrasjes së Hamzait?" Vahshiju tha: "Po. Hamzai vrau Tuaima Ibn Adijun në Bedr, kështu që padroni im, Xhubejr Ibn Mutëimi më tha: 'Në qoftë se t'i e vret Hamzain, si hakmarrje për xhaxhain tim, do të të jap lirinë'. Kur njerëzit u nisën për luftë vitin e Ajnejnit - Ajnejn është mal afër Uhudit dhe ndërmjet tij dhe Uhudit është një luginë- edhe unë dola me njerëzit për në betejë. Kur ushtria u rreshtua për luftim, Sibau u doli dhe tha: 'A ka ndonjë (musliman) që më del në duel?' Kështu doli Hamzai dhe i tha: 'O Siba! O biri i Umm Anmar, ajo që bën synet gratë e tjera! A do të sfidosh Allahun dhe të Dërguarin e Tij?!' Pastaj Hamzai e sulmoi dhe e vrau atë duke e asgjësuar si dita e djeshme që s'kthehet më. Unë u fsheha poshtë një shkëmbi dhe, kur Hamzai më erdhi afër, atëherë unë e qëllova me shtizë duke ia ngulur atë në bark derisa i doli mbrapa. Kjo bëri që ai të vdesë. Kur të gjithë njerëzit u kthyen në Mekë, edhe unë u ktheva bashkë me ta dhe qëndrova atje, derisa aty u përhap Islami pastaj ika në Taif. Kur populli i Taifit çoi korrierët e tij tek i Dërguari i Allahut a.s. më thanë se Pejgamberi a.s. nuk i dëmton të dërguarit, kështu që edhe unë shkova bashkë me ta derisa, mbërrita tek i Dërguari i Allahut a.s.. Kur më pa, ai më pyeti: 'Ti je Vahshiju?!' I thashë që po. Pastaj më pyeti sërish: "Ti e vrave Hamzain?7 I thashë: 'Ashtu është, siç të kanë thënë/ Atëherë më tha: 'A mund ta mbulosh fytyrën që mos të ta shoh?' Kështu, dola që andej. Kur vdiq i Dërguari i Allahut a.s. dhe doli Musejlima gënjeshtari (duke u shtirur si profet) thashë me vete: 'Do të shkoj te Musejlema që ta vras dhe të shlyej me të vrasjen e Hamzait'. Kështu pra, dola edhe unë me njerëzit e tjerë (për të luftuar Musejlema mashtruesin dhe pasuesit e tij). Në atë betejë ndodhën shumë ngjarje të mëdha. Papritur pashë një burrë që po rrinte në këmbë afër një të çare tek një mur. Dukej si deve ngjyrë hiri dhe flokët i kishte të shprishur. Menjëherë ia lëshova heshtën duke ia ngulur mu në mes të gjoksit dhe i doli pas shpine ndërmjet shpatullave. Pastaj një ensar e sulmoi dhe e qëlloi me shpatë në kokë." (4072)
1624.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Zemërimi i Allahut është shtuar edhe më shumë mbi atë popull që lëndoi Pejgamberin e Tij - duke treguar dhëmbin e thyer. Zemërimi i Allahut është shtuar edhe më shumë mbi atë njeri, të cilin Dërguari i Allahut e ka vrarë në luftë për Çështjene Allahut" (4073)
1625.
Aishja r.a. tregon: "Kur të Dërguarit të Allahut a.s. i ndodhi ajo që i ndodhi Ditën e Uhudit dhe femohuesit u larguan, ai pati frikë se mos ata ktheheshin përsëri, kështu që tha: "Kush do të shkojë pas gjurmëve të tyre?" Pastaj ai zgjodhi shtatëdhjetë burra nga shokët e tij. Mes tyre qenë edhe Ebu Bekri dhe Zubejri r.a". (4077)
1626.
Xhabiri r.a. tregon: "Kur po gërmonim ditën e Hendekut, papritur kur ndeshëm në një gur të stërmadh! Shkuam te Pejgamberi a.s. dhe i thamë: "Na ka dalë një gur shumë i madh këtu në hendek." Ai tha: "Po zbres aty." Pastaj u ngrit, ndërsa në bark kishte lidhur një gur, sepse kishte tri ditë që nuk kishim futur gjë në gojë. Pejgamberi a.s. mori lopatën pastaj e goditi gurin dhe ai u thye e u bë thërrime." (4101)
1627.
Sulejmani bin Suradi r.a. tregon: "Ditën e Ahzabëve Pejgamberi a.s. tha: "Pas kësaj lufte do të jemi ne që do t'i sulmojmë ata (femohuesit) dhe nuk do të vijnë më ata të na sulmojnë ne"." (4109)
1628.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. shpesh thoshte: "Laa ilahe il-lAllahn vahdeh, eazze xhundeh, ve nesare abdeh, ve galebel-ahzabe vahdeh, fe la shej-e ba'deh: (Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet, përveç Allahut, Një e të Vetëm i Cili i nderoi dhe i nxori fitimtarë luftëtarët e Tij, e nxori fitimtar robin e Tij dhe i Vetëm i theu Ahzabët - lidhjen e madhe arabe kundër muslimanëve në Medine! Kështu pra, s'ka gjë tjetër pas Tij!" (4114)
1629.
Ebu Said Hudriu r.a. tregon: "Fisi Beni Kurejdha u pajtua që të pranojë gjykimin e Saad Ibn Muadhit. Kështu, Pejgamberi a.s. çoi lajm dhe thirri Saadin. Ai erdhi i hipur mbi një gomar dhe, kur iu afrua xhamisë, Pejgamberi a.s. u tha ensarëve: "Ngrihuni për prijësin tuaj, (ose tha) për më të mirin tuaj!" Pastaj Pejgamberi a.s. i tha: "Këta (çifutët e fisit Beni Kurejdha) pajtohen me gjykimin tënd". Saadi tha: "Vritini luftëtarët e tyre (burrat e aftë për armë), ndërsa fëmijët ua merrni robër." Pejgamberi a.s. i tha: "Ke gjykuar me Gjykimin e Allahut, (ose tha) me Gjykimin e Sunduesit!" (4121)
1630.
Xhabiri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. u priu shokëve të tij dhe u fali namazin e frikës në luftën e shtatë, në Lufën e Dhatur-Rika. (4125)
1631.
Ebu Musa r.a. tregon: "Ne dolëm me Pejgamberin a.s. në një fushatë luftarake. Për pasojë këmbët na u bënë plagë. Edhe mua m'u bënë plagë dhe më ra një thua. Kështu që i lidhnim këmbët me copa e rrecka dhe për këtë arsye kjo u quajt Lufta Dhatur-Rika (e rreckave), pasi ne i lidhnim këmbët me rrecka." (4128)
1632.
Salih Ibn Havvati tregon nga ata që e panë të Dërguarin e Allahut të falte namazin e frikës në luftën e Dhatur-Rika: "Një grup u rreshtua pas tij, ndërsa një grup tjetër u rreshtua përballë armikut. Pejgamberi a.s. e udhëhoqi grupin që ishte me të në rekatin e parë dhe vetë qëndroi në këmbë, ndërsa grupi mbrapa plotësoi rekatin e dytë vetë dhe u reshtua përballë armikut. Pastaj erdhi grupi i dytë dhe Pejgamberi a.s. plotësoi rekatin e tij të dytë duke i prirë grupit të dytë dhe pastaj qëndroi ndenjur, derisa ata e plotësuan rekatin e dytë të faljes. Pastaj ai dha selam duke e përfunduar faljen bashkë me ta." (4129)
1633.
Xhabiri r.a. tregon: "Isha me të Dërguarin e Allahut a.s. në një fushatë luftarake në drejtim të Nexhdit. Kur ai u kthye, edhe unë u ktheva bashkë me të. Koha e gjumit të pasdrekës na zuri në një luginë plot me shkurre me gjëmba. I Dërguari i Allahut a.s. zbriti nga deveja dhe njerëzit u shpërndanë të gjejnë hije nën ato shkurre. I Dërguari i Allahut a.s. zuri hije nën një akacie dhe vari shpatën në të. Kishim fjetur pak, kur papritur, na thërret i Dërguari i Allahut a.s.! Shkuam shpejt tek ai dhe pamë një beduin të ulur aty me të! I Dërguari i Allahut a.s. tha: "Ky beduin e nxori shpatën time nga milli, kur unë po flija. Kur u zgjova, e pashë shpatën e zhveshur në dorën e tij dhe më tha: 'Kush mund të të mbrojë tani ty nga unë?' Unë i thashë: 'Allahu!' Dhe ja ku është ulur tani." I Dërguari i Allahut a.s. nuk e ndëshkoi atë." (4135)
1634.
Ebu Said Hudriu r.a. tregon: "U nisëm me të Dërguarin e Allahut a.s. në luftën kundër fisit Beni Mustalik. Kapëm disa robër arabë dhe ne parapëlqyem gratë. Beqaria na kishte rënduar shumë dhe deshëm që, gjatë marrëdhënies seksuale, të mos e derdhnim farën brenda. Thamë: "Si mund ta bëjmë një gjë të tillë pa pyetur të Dërguarin e Allahut a.s. ndërkohë që ai është këtu mes nesh?" Kështu, ne e pyetëm atë për këtë veprim dhe ai na tha: "Është më mirë për ju që të mos veproni ashtu, (ndonëse) çdo frymë që është shkruar të vijë në jetë, ka për të ardhur patjetër deri Ditën e Kiametit." (4138)
1635.
Xhabiri r.a. tregon: "E kam parë Pejgamberin a.s. të falë namaz nafile, duke qenë i hipur në deve me fytyrë të kthyer nga lindja gjatë luftës së Anmarit". (4140)
1636.
Berau r.a. ka thënë: "Ju njerëz e quani si Fitoren e qartë çlirimin e Mekës, i cili ishte vërtet një fitore. Ndërsa ne e vlerësojmë se Fitorja e qartë ishte Besëlidhja e Madhe e Kënaqësisë së Allahut, "Bejatu Ridvaan", të cilën e lidhëm me Pejgamberin a.s. ditën e Hudejbijes, kur ishim një mijë e katërqind vetë. Hudejbija ishte një pus, por ne ia morëm të gjithë ujin, duke mos lënë asnjë pikë në të. Kur i treguam Pejgamberit a.s. për këtë, ai shkoi e u ul në anë të tij dhe kërkoi t'i çonin një enë me ujë. Pasi mori avdes e shplau gojën me ujë dhe bëri dua. Pastaj e derdhi ujin e mbetur në enë në pus. Nuk ndenjëm shumë kur ja! Nga pusi doli ujë aq sa deshëm ne dhe kafshët tona!" (4150)
1637.
Xhabiri r.a. tregon: "Ditën e Hudejbijes i Dërguari i Allahut a.s. na tha: "Ju jeni njerëzit më të mirë në botë!" Ne qemë një mijë e katërqind veta. Po të shikoja tani, do t'ua kisha treguar vendin e pemës (nën të cilën ne dhamë besën)." (4154, 4155)
1638.
Suveid Ibn Nuëmani r.a., i cili ka qenë një nga ata që dhanë besën nën pemë, tregon se të Dërguarit të Allahut a.s. dhe shokëve të tij iu dhanë sevik dhe ata e përtypën atë. (4175)
1639.
Umeri r.a. tregon se një natë po udhëtonte bashkë me Pejgamberin a.s. dhe e ka pyetur atë për diçka, por i Dërguari i Allahut a.s. nuk i është përgjigjur. Umeri e ka pyetur përsëri, por ai nuk i është përgjigjur. E ka pyetur për herë të tretë, por prapë ai nuk i është përgjigjur. Pas kësaj Umeri ka thënë me vete: "Mbettë nëna jote pa ty, o Umer! E pyete të Dërguarin e Allahut a.s. tri herë dhe nuk të ktheu asnjë përgjigje." Umeri vazhdon të tregojë: "Pastaj e nxitova devenë time dhe e bëra të dalë përpara muslimanëve të tjerë. Ndërkohë kisha frikë se mos shpallej ndonjë ajet Kurani në lidhje me mua. Nuk kishte kaluar një çast, kur dëgjova dikë të më thërrasë. Atëherë pata vërtet frikë se mos shpallej ndonjë ajet Kurani në lidhje me mua Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe e përshëndeta, ndërsa ai më tha: 'Sonte më është shpallur një sure, e cila është më e dashur për mua nga gjithçka që ndriçon dielli (sesa gjithë bota) dhe këndoi: 'Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty (o Muhamed) një fitore të qartë!' (Kuran, 48I1)'' (4177)
1640.
Misvari r.a. tregon: "Një herë, Pejgamberi a.s. u nis me më shumë se një mijë vetë nga shokët e tij vitin e Hudejbijes. Kur mbërriti në Dhul- Hulejfe, ai i vuri kurorë kurbanit të tij dhe aty veshi ihramin për umre. Ndërkohë dërgoi një spiun nga fisi Huzaa. Pejgamberi a.s. vazhdoi rrugën derisa, kur arriti në fshatin Gadin Eshtat, I erdhi spiuni dhe i tha: "Kurejshët kanë mbledhur ushtri të madhe kundër teje, kanë organizuar kundër teje edhe abisinasit. Ata do të të luftojnë, ata do të të pengojnë dhe do të të ndalojnë që të hysh në Qabe." Pejgamberi a.s. tha: "O njerëz! Me jepni mendimin tuaj. A më këshilloni që t'i shkatërroj familjet dhe fëmijët e atyre të cilët duan të na ndalojnë nga Qabeja? Apo, në qoftë se do të vijnë tek ne për paqe, atëherë Allahu i Madhëruar do ta shkatërronte ndonjë spiun të paganëve, ose përndryshe t'i lëmë në një gjendje të mjeruar." Ebu Bekri tha: "O i Dërguari i Allahut! Je nisur dhe ke ardhur me qëllimin për të vizituar këtë Shtëpi (Qabenë) dhe jo me qëllimin për të vrarë kënd, as për të luftuar me ndokënd. Vazhdo pra drejt saj. Kushdo që do të na ndalojë drejt saj, atëherë atë do ta luftojmë." Pas kësaj Pejgamberi a.s. tha: "Vazhdoni përpara në Emër të Allahut." (4178, 4179)
1641.
Nafiu tregon se Umeri r.a. e çoi të birin ditën e Hudejbijes të merrte kalin e tij nga një ensar, kur ai i gjeti njerëzit duke i dhënë besën të Dërguarit të Allahut a.s. tek pema, ndërsa Umeri nuk dinte gjë për këtë! Kështu, Abdullahu, i biri i Umerit, i dha besën Pejgamberit a.s. pastaj shkoi të merrte kalin dhe ia solli Umerit që po vishte parzmoren për t7u bërë gati për luftë. Ibn Umeri i tregoi atij se njerëzit po i jepnin besën të Dërguarit të Allahut nën pemë. Kështu, Umeri u nis dhe i biri e shoqëroi atë, derisa ai i dha besën të Dërguarit të Allahut a.s.. Qe kjo ndodhi ajo që i bëri njerëzit të thoshin se i biri i Umerit e përqafoi Islamin (dha Besën e Hudejbijes) përpara Umerit. (4186, 4187)
1642.
Abdullah Ibn Ebi Aufa r.a. tregon: "Ishim me Pejgamberin a.s. kur ai bëri umren. Ai bëri tavaf rreth Qabesë, ashtu bëmë edhe ne bashkë me të; ai fali namaz, ashtu bëmë edhe ne bashkë me të; ai bëri sa'jin ndërmjet Safas dhe Mervas, (ashtu bëmë edhe ne bashkë me të dhe) se po e mbroriim nga mekasit që askush të mos e dëmtonte aspak." (4188)
1643.
Selema Ibn Akvau r.a. tregon: "Dola një herë jashtë Medines para thirrjes së ezanit të parë të namazit të sabahut. Devetë e të Dërguarit të Allahut a.s. gjithnjë kullotnin në një vend të quajtur Dhu-Karad. Një skllav i Abdurrahman Ibn Aufit më takoi në rrugë dhe më tha: "Kanë grabitur devetë e të Dërguari të Allahut a.s." Pastaj përmendet në imtësi hadithi (shih hadithin nr. 1300/3041) ndërsa këtu në fund ai shton: "Pastaj u kthyem të gjithë, ndërsa i Dërguari i Allahut a.s. më hipi mua në devenë e vet pas tij derisa hymë në Medine." (4194)
1644.
Selema Ibn Akvau tregon: "U nisëm bashkë me Pejgamberin a.s. për në Hajber duke udhëtuar natën. Ndërkohë dikush nga grupi i tha Amirit: "O Amir! A nuk na reciton të dëgjojmë ndonjë nga poezitë e tua?" Amiri ishte poet dhe ngiste deve. Kështu, ai zbriti dhe filloi t'u recitojë njerëzve poezi që shkonte njësh me ritmin e gjurmëve të deveve duke thënë: "O Allah! Pa Ty ne nuk do të ishim udhëzuar në rrugë të drejtë, as nuk do të kishim dhënë sadaka dhe as nuk do të ishim falur, na fal pra çfarë kemi bërë nga gjynahet; le të bëhemi të gjithë ne kurban për Çështjen Tënde. Na dhuro qetësi dhe gjakftotësi, që të na qëndrojnë fort këmbët kur të takojmë armikun, dhe nëse ata na ftojnë në ndonjë padrejtësi, ne nuk do të pranojmë, femohuesit kanë bërë zhurmë të madhe për ndihmën e të tjerëve kundër nesh!" (Kur dëgjoi këtë) i Dërguari i Allahut a.s. pyeti: "Kush është ky (poet) që nget deve?" I thanë që është Amir Ibn Akva. Ai tha: "Allahu e mëshiroftë!" Dikush nga grupi tha: "A i është siguruar rënia shehid (dëshmor), o Pejgamberi i Allahut? Sikur të na lije të kënaqeshim me të më gjatë." Pastaj arritëm dhe e rrethuam Hajberin, derisa na goditi një uri e madhe. Më pas Allahu i Lartësuar i ndihmoi muslimanët të merrnin Hajberin. Mbrëmjen e ditës që u mor Hajberi, muslimanët ndezën zjarre të mëdhej. Pejgamberi a.s. pyeti: "Ç'janë këto zjarre? Çfarë do të gatuani që i ndizni ato?" I thanë: "Për mish." Pyeti: "Çfarë mishi?" I thanë: "Për mish gomari." Atëherë Pejgamberi a.s. tha: "Hidheni mishin dhe i thyeni vorbat!" Dikush i tha: "O i Dërguari i Allahut! A ta derdhim mishin dhe t'i lajmë vorbat?" Ai u përgjigj: "Edhe kështu mundet." Kur u rreshtuan për betejë, shpata e Amirit ishte e shkurtër dhe deshi të qëllonte një çifut në këmbë, por tehu i mprehtë i shpatës iu kthye nga vetja dhe plagosi gjurin e vet. Prej kësaj vdiq. Kur u kthyem nga beteja, i Dërguari i Allahut a.s. më pa (të mërzitur). Ai më kapi për dore dhe me pyeti se ç'kisha. I thashë: "U bëfshin kurban babai dhe nëna ime për ty! Njerëzit thonë se Amirit i kanë humbur të gjitha veprat." Pejgamberi a.s. më tha: "Kushdo që thotë kështu ka gabuar, sepse Amiri, në të vërtetë ka marrë shpërblim të dyfishtë, - dhe ngriti dy gishta, - ai qe një luftëtar i paepur në Çështjen e Allahut dhe të paktë janë arabët që kanë arritur shembullin e tij (të veprave të mira)." Ndërsa në një hadith tjetër përcillet: "Që janë përpjekur dhe kanë luftuar si ai në Çështjen e Allahut." (4196)
1645.
Enesi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. arriti në Hajber natën. (Vazhdon si në hadithin nr. 243/371 dhe këtu në fund shton) se Pejgamberi a.s. i vrau luftëtarët e armikut, ndërsa gratë dhe fëmijët i mori robër. (4197)
1646.
Ebu Musa r.a. tregon: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. bëri luftën e Hajberit, sa herë që shokët e tij kalonin mbi një vend të lartë që shihte mbi ndonjë luginë, i ngrinin zërat duke bërë tekbir: "Allahu Ekber! Allahu Ekber! Laa ilahe il-lAllah - Allahu është më i Madhi! Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut!" Kur i dëgjoi, i Dërguari i Allahut a.s. u tha: "Jini të mëshirshëm ndaj vetes suaj (mos i ngrini zërat)! Ju nuk po i thërrisni një shurdhi apo ndonjërit që nuk e keni të pranishëm. Përkundrazi, në të vërtetë ju po i luteni një Gjithëdëgjuesi të Afërt, që është gjithnjë me ju!" Unë isha pas devesë së të Dërguarit të Allahut a.s. dhe, kur më dëgjoi duke thënë: "La haule ve la kuv-vete il-la bil-lah - nuk ka as forcë dhe as fuqi, veçse me Allahun", më thirri: "O Abdullah Ibn Kajs!" I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Më tha: "A të të tregoj një fjalë që është thesar nga thesaret e Xhenetit?"I thashë: "Padyshim, o i Dërguari i Allahut, u bëfshin kuban prindërit e mi për ty!" Ai më tha: "La haulc ve la kuv-vete il-la bil-lah - nuk ka as forcë dhe as fuqi veçse me Allahun." (4202)
1647.
Sehl Ibn Saadi r.a. tregon: "Gjatë një fushate luftarake, Pejgamberi a.s. u ndesh me femohuesit paganë dhe të dy palët luftuan, pastaj secila palë u kthye në kampin e vet. Mes shokëve të të Dërguarit të Allahut a.s. ishte edhe një burrë, i cili ndiqte çdo pagan që e shihte të veçuar dhe e godiste me shpatë. Njerëzit thanë: "O i Dërguari i Allahut (a.s.)! Askush nga ne nuk ka luftuar aq fort sa filani (duke përmendur emrin e atij muslimani)." Ndërsa Pejgamberi a.s. u përgjigj: "Sa për të, ai është nga banorët e Zjarrit." Atëherë dikush nga të pranishmit tha: "Do t7i shkoj pas dhe do ta shoqëroj kur të nxitohet dhe kur të mos nxitohet." E ndoqi nga pas derisa ai u plagos dhe, duke dashur ta shpejtonte vdekjen, e vendosi shpatën në tokë nga doreza dhe majën në mes të gjoksit dhe u hodh mbi të. Kështu pra, ai vrau veten. Pastaj ai që e pa ngjarjen u kthye te Pejgamberi a.s. dhe i tha: "Dëshmoj se ti jevërteti Dërguari i Allahut!" E pyeti: "Ç'është kjo?" Ai ia tregoi Pejgamberit a.s. gjithë ngjarjen. Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. tha: " Vërtet, njeriu mund të bëjë vepra, të cilat mund t7u duken njerëzve si vepra të banorëve të Xhenetit, ndërsa në të vërtetë ai është nga banorët e Zjarrit. Po kështu, njeriu mund të bëjë vepra, të cilat mund t'u duken njerëzve si vepra të banorëve të Zjarrit, ndërsa në të vërtetë ai është nga banorët e Xhenetit!" (4207)
1648.
Në një citim tjetër të këtij hadithi shtohet se Pejgamberi a.s. tha: "Ngrihu, o filan dhe njofto se askush nuk do të hyjë në Xhenet, përveç atij që është besimtar. Me të vërtetë, Allahu mund ta ndihmojë dhe ta mbështesë Islamin edhe me një njeri të lig e gjynahqar!" (4204, 4205)
1649.
Selema Ibn Akva r.a. tregon: "Mora një plagë në këmbë ditën e Hajberit dhe shkova te Pejgamberi a.s.. Ai pështyu lehtë në plagë tri herë. Qysh atëherë nuk kam ndjerë më asnjë dhembje." (4206)
1650.
Enesi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. qëndroi tri net ndërmjet Hajberit dhe Medines dhe u martua me Safijen. Unë i ftova muslimanët në dasmën e tij dhe nuk pati as bukë dhe as mish, por Pejgamberi a.s. urdhëroi Bilalin që të shtronte sofrabezë, ku u derdhën hurma, kos i thatë dhe gjalpë. Ndërkohë, muslimanët thanë ndërmjet tyre: "A do të jetë Safija një nga nënat e besimtarëve (nga gratë e Pejgamberit a.s.) apo thjesht robëreshë?" Disa nga ata thanë: "Në qoftë se Pejgamberi a.s. do t'i vërë ferexhe, atëherë ajo do të jetë nga nënat e besimtarëve (nga gratë e Pejgamberit a.s.) dhe, në qoftë se nuk do t'i vërë ferexhe, atëherë ajo do të jetë robëreshë." Por kur u nis për rrugë, Pejgamberi a.s. e hipi atë pas vetes në devenë e tij dhe i vuri ferexhe." (4213)
1651.
Aliu r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. e ndaloi njëherë e përgjithmonë martesën e përkohshme (mutëa) dhe ngrënien e mishit të gomarit ditën e Hajberit. (4216)
1652.
Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ditën e Hajberit e ndau plaçkën e luftës ndërmjet luftëtarëve, duke i dhënë dy hise kalorësve dhe një hise këmbësorëve. (4228)
1653.
Ebu Musa r.a. tregon: "Lajmi për mërgimin e Pejgamberit a.s. nga Meka në Medina na mbërriti kur ne ishim në Jemen. Kështu, ne u nisëm si muhaxhirë drejt tij: dy nga vëllezërit e mi, Ebu Burda dhe Ebu Ruhmi, dhe unë, më i vogli i tyre, ndërsa i gjithë grupi bëheshim pesëdhjetë e tre vetë. Hipëm në një anije dhe ajo na çoi te Nexhashi në Abisini. Atje takuam Xhaferin (vëllanë e Aliut, djalin e xhaxhait të Pejgamberit a.s.) dhe ndenjëm me të; Pastaj të gjithë erdhëm në Medine dhe takuam Pejgamberin a.s. në kohën e marrjes së Hajberit. Disa njerëz na thoshin ne që qemë në anije: "Ne kemi mërguar përpara jush." Esma bint Umeisi, njëra prej atyre që erdhi me ne, shkoi për vizitë te Hafsaja, gruaja e Pejgamberit a.s.. Ajo pati mërguar me ata muslimanë që patën shkuar te Nexhashi. Umeri shkoi te Hafsaja, ndërkohë që Esmaja ishte aty. Kur ai e pa Esmanë aty pyeti: "Kush është kjo?" Hafsa i tha: "Është Esma bint Umeis." Umeri pyeti: "Nga Abisinia është kjo? Detarja është kjo?" Esmaja i tha: "Po." Umeri i tha: "Ne kemi mërguar përpara jush (të anijes), kështu që ne kemi më shumë të drejtë tek i Dërguari i Allahut a.s. sesa ju." Kjo e nevrikosi Esmanë dhe tha: "Jo, për Allah! Ju keni qenë me të Dërguarin e Allahut a.s., i cili ushqente ata që ishin të uritur midis jush dhe i udhëzonte ata që ishin të paditur mes jush, ndërsa ne ishim në vendin e largët1 e të urryer, në Abisini, dhe e gjithë kjo për Hir të Allahut! Nuk do të ha dhe nuk do të pi, derisa t'ia them të Dërguarit të Allahut a.s. atë që më ke thënë! Atje ne torturoheshim dhe na frikësonin. Edhe këtë do t'ia përmend Pejgamberit a.s. dhe do ta pyes! Për Allah! As nuk do të gënjej, as nuk do të shkurtoj gjë dhe as nuk do t'i shtoj gjë fjalës tënde!" Kësisoj, kur shkoi te Pejgamberi a.s., ajo i tha: "O Pejgamberi i Allahut! Kështu e kështu ka thënë Umeri." Pejgamberi a.s. e pyeti: "Po ti ç'i the?" Ajo iu përgjigj: "I thashë kështu e kështu." Pejgamberi a.s. tha: "Ai nuk ka më shumë të drejtë tek unë sesa ju. Ai dhe shokët e tij kanë shpërblimin e një mërgimi, ndërsa ju, njerëzit e anijes, keni shpërblimin e dy mërgimeve." (4230, 4231)
1654.
Ebu Musa Eshëariu r.a. Tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "E dalloj zërin e grupit të Eshëarinjve, kur ata këndojnë Kuran duke hyrë në shtëpitë e tyre në mbrëmje. I njoh, gjithashtu, shtëpitë e tyre nga zërat e tyre që këndojnë Kuran natën, ndonëse nuk i kam parë shtëpitë ku ata qëndrojnë ditën. Mes tyre është Hakimi i cili, kur takohet me kalorsinë armike, u thotë atyre: 'Shokët e mi ju urdhërojnë që t'i prisni ata e të mos ikni'!" (4232)
1655.
Ebu Musa r.a. tregon: "Shkuam te Pejgamberi a.s. pasi ai kishte marrë Hajberin. Ai na dha hise nga plaçka e luftës, por, përveç nesh, ai nuk i dha pjesë tjetërkujt që nuk kishte marrë pjesë në pushtimin e tij." (4233)
1656.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. u martua me Meimunan gjatë umres kaza, duke qenë në gjendjen e ihramit, por e konsumoi atë martesë pasi u lirua nga ihrami. Meimuna vdiq në Sarif (afër Mekës)" (4258, 4259)
1657.
Ibn Umeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. e emëroi Zejd Ibn Harithan komandant të ushtrisë në betejën e Muëtas dhe tha: "Në qoftë se Zejdi bie shehid (dëshmor), atëherë në vend të tij le të vihet Xhaferi dhe, në qoftë se ai bie shehid, atëherë në vend të tij le të vihet Abdullah Ibn Revaha." Edhe unë isha i pranishëm me ta në atë betejë. Kërkuam për Xhafer Ibn Ebi Talibin dhe e gjetëm atë mes të rënëve dëshmorë; i gjetëm në trup mbi nëntëdhjetë plagë shpatash dhe shigjetash!" (4260, 4261)
1658.
Usama Ibn Zejd r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. na çoi në drejtim të Hurakatit. I sulmuam banorët e tij në agim dhe i thyem. Unë dhe një ensar ndoqëm një burrë nga ai fis dhe, kur e kapëm, ai tha fjalën e dëshmisë: "Laa ilahe il-lAllah - Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut/ Kur dëgjoi këtë, ensari ndaloi, ndërsa unë e qëllova me heshtë dhe e vrava. Kur u kthyem, Pejgamberi a.s. e mori vesh këtë gjë dhe më tha: "O Usama! A e vrave atë njeri pasi tha Laa ilahe il- lAllah?" Unë i thashë: "Por ai e tha atë fjalë vetëm për të shpëtuar!" Pejgamberi a.s. vazhdoi ta përsëriste atë aq sa dëshirova që të mos e kisha pranuar Islamin para asaj dite!" (4269)
1659.
Selema Ibn Akva r.a. tregon: "Kam luftuar në shtatë fushata luftarake me Pejgamberin a.s. dhe në nëntë beteja me ushtritë e dërguara nga Pejgamberi a.s., në të cilat një herë ishte komandant Ebu Bekri dhe një herë Usama." (4270)
1660.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. u nis nga Medina për në Mekë në Ramazan bashkë me dhjetë mijë luftëtarë muslimanë. Kjo ndodhi nëntë nëntë vjet e gjysmë pas emigrimit të tij në Medine. Kështu, ai dhe të gjithë ata që ishin me të marshuan drejt Mekës. Edhe ai agjëronte, edhe ata agjëronin, por, kur arriti në Kedid, një oaz ndërmjet Usfanit dhe Kudejdit, ai e prishi agjërimin. Kështu bënë edhe ata/' (4276)
1661.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. u nis në Ramazan drejt Hunejnit, ndërsa njerëzit ishin dy grupesh: disa agjëronin, disa jo. Kur hipi në devenë e tij, Pejgamberi a.s. kërkoi t'i jepnin një poçe me qumësht ose me ujë dhe e mbajti në dorë a në samar të devesë, pastaj vështroi nga njerëzit. Kështu, ata që nuk agjëronin u thanë atyre që agjëronin që ta prishnin agjërimin (ashtu siç bëri edhe Pejgamberi a.s.)." (4277)
1662.
Urva Ibn Zubejri r.a. tregon: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. u nis drejt Mekës vitin e çlirimit të saj dhe ky lajm u mbërriti kurejshëve, Ebu Sufjani, Hakim Ibn Hizami dhe Budejl Ibn Verka dolën për të mbledhur të dhëna për të Dërguarin e Allahut a.s.. Ata vazhduan rrugën derisa arritën në Merre Dhahran afër Mekës, kur ç'të shohin! Aq shumë zjarre si të ishin zjarret e Arafatit! Ebu Sufjani tha: "Ç'janë këta?! Sikur të jenë zjarret e Arafatit?!" Ndërsa Budejli tha: "Janë zjarret e fisit Beni Amr." Ebu Sufjani ia ktheu: "Beni Amrët janë më pak se kaq." Ndërkohë disa roje të të Dërguarit të Allahut a.s. i panë dhe iu afruan pranë, pastaj i kapën dhe i çuan tek i Dërguari i Allahut a.s.. Aty Ebu Sufjani pranoi Islamin. Ndërsa Pejgamberi a.s. vazhdoi më tej, i tha Abbasit: "Mbaje Ebu Sufjanin në majë të malit që të mund t'i shohë muslimanët." Kështu Abbasi e mbajti Ebu Sufjanin aty, ndërsa fiset me Pejgamberin a.s. filluan të kalojnë grupe-grupe para Ebu Sufjanit. Kaloi një grup luftëtarësh dhe Ebu Sufjani pyeti: "O Abbas, kush janë këta?" Abbasi i tha: "Këta janë fisi Benu Gifar."Ebu Sufjani tha: "S'kam të bëj gjë me Benu Gifarët." Kur kaloi grupi i fisit Xhuheina dhe ai tha të njëjtat fjalë. Po kështu tha edhe kur kaloi grupi i fisit Saad Ibn Huzeim. Pastaj kaloi grupi i fisit Suleim dhe ai prapë përsëriti të njëjtat fjalë, derisa, kur kaloi një grup ndryshe nga ç'kishte parë më pare, pyeti: "Kush janë këta?" Abbasi i tha: "Këta janë ensarët të udhëhequr nga Saad Ibn Ubada, ai që mban flamurin." Saad Ibn Ubada thirri: "O Ebu Sufjan! Sot është dita e betejës së madhe dhe sot, ajo që është e ndaluar në Qabe, do të jetë e lejueshme." Ebu Sufjani tha: "O Abbas! Sa e shkëlqyer është dita e shkatërrimit!" Pastaj kaloi një grup tjetër luftëtarësh që ishte më i vogli i të gjithë grupeve. Mes tyre ishte i Dërguari i Allahut a.s. dhe shokët e tij dhe flamuri i Pejgamberit a.s. të cilin e mbante Zubejri. Kur kaloi i Dërguari i Allahut a.s. pranë Ebu Sufjanit, ky e pyeti: "A e di se ç'ka thënë Saad Ibn Ubada?" Pejgamberi a.s. e pyeti: "Çfarë ka thënë?" Ebu Sufjani i tregoi ç'kishte thënë. Pejgamberi a.s. tha: "Saadi nuk ka thënë të vërtetën, por sot në këtë ditë Allahu do ta madhërojë Qabenë, e cila sot Kabja do të mbulohet me copë." Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. urdhëroi që flamuri i tij të vendosej në Haxhun. Abbasi e pyeti Zubejrin: "O Ebu Abdullah! A këtu të urdhëroi ta vendosesh flamurin i Dërguari i Allahut?" I Dërguari i Allahut a.s. e urdhëroi Halid Ibn Velidin të hynte në Mekë nga pjesa e sipërme e nga Kedai, ndërsa Pejgamberi a.s. hyri nga Kuda. Atë ditë ranë dëshmorë dy kalorës të Halidit të quajtur Hubeish Ibn Eshëar dhe Kurz Ibn Xhabir Fihrij." (4280)
1663.
Abdullah Ibn Mugaffal r.a. tregon: "E pashë të Dërguarin e Allahut a.s. ditën e çlirimit të Mekës hipur në devenë e tij dhe këndonte suren "Fet'h" (nr.48) duke iu dridhur zëri." Përcjellësi i dytë i hadithit shton: "Po të mos kisha frikë se mund të mblidhen njerëzit rreth meje edhe unë do ta këndoja atë siç e këndoi ai, duke iu dridhur zëri." (4281)
1664.
Abdullahu r.a. tregon: "Kur Pejgamberi a.s. hyri në M^kë ditën e marrjes së saj, rreth Qabesë kishte 360 idhuj. Ai filloi t'i godasë dhe t'i thyejë me një shkop që e mbante në dorë, duke thënë: "E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua." (Kuran '17: 81) "E Vërteta ka ardhur, kurse e pavërteta (shejtani) as nuk mund të krijojë, as nuk mund të ringjallë." (Kuran, 34:49) (4287)
1665.
Amr Ibn Selema r.a. tregon: "Rrinim në një rrugë ku kalonin shumë njerëz. Andej kalonin edhe karvane dhe ne i pyesnim: "Ç'kanë njerëzit? Ç'u ka ndodhur njerëzve? Kush është ky njeri?" Ata na përgjigjeshin: "Ai burrë mëton se e ka dërguar Allahu, se atij i ka zbritur Frymëzim Hyjnor, se Allahu^ i ka shpallur këtë e atë." Unë gjithnjë i mbaja mend ato fjalë (hyjnore) dhe e ndieja sikur më ishin ngulitur në gjoks. Arabët (jo-kurejshë) e vonuan pranimin e Islamit deri në çlirimin e Mekës dhe gjithnjë thoshin: "Lëreni atë (Muhamedin a.s.) dhe fisin e tij (kurejshët): në qoftë se ai del fitimtar mbi ta, atëherë ai është Pejgamberi i vërtetë." Kësisoj pra, kur u mor Meka, atëherë çdo fis nxitoi të hynte në Islam. Edhe babai im nxitoi të pranonte Islamin para fisit të vet. Kur u kthye nga Pejgamberi a.s., ai tha: "Për Allah! Jam kthyer tek ju me të vërtetë nga Pejgamberi a.s.." Pejgamberi a.s. më pas u tha: "Falni këtë e atë namaz, në këtë e në atë kohë. Kur të hyjë koha e namazit, atëherë njëri nga ju le të thërrasë ezanin dhe le t'ju prijë në namaz ai që di më shumë Kuran nga ju." Kështu, ata kërkuan një njeri të tillë dhe nuk gjetën askënd tjetër që të dinte Kuran më shumë se unë për shkak të pjesëve, që i kisha mësuar nga karvanet. Atëherë ata më bënë imamin e tyre (në namaz), kur unë isha vetëm gjashtë ose shtatë vjeç. Vishja një xhybe të zezë, por që më vinte e shkurtër, aq sa, kur bija në sexhde, më zbulohej trupi. Një grua nga fisi ynë tha: "A nuk ia mbuloni dot prej nesh pjesët e trupit kënduesit tuaj të Kuranit?" Kështu, ata më blenë një copë dhe më prenë një këmishë. Kurrë më parë nuk isha gëzuar me ndonjë gjë sa ç'u gëzova për atë këmishë." (4302)
1666.
Ismaili tregon: "Në dorën e Abdullah Ibn Ebi Aufas r.a. pashë një shenjë plage. Ai tha se e kishte marrë atë plagë duke luftuar krah për krah me Pejgamberin a.s. Ditën e Hunejnit." (4314)
1667.
Ebu Musa r.a. tregon: "Kur Pejgamberi a.s. u lirua nga lufta e Hunejnit, dërgoi Ebu Amirin në krye të një ushtrie drejt Eutarit dhe, kur arriti tek ata, Ebu Amiri u ndesh në betejë me Durejd Ibn Simman. Durejdi u vra dhe Allahu i theu njerëzit e tij. Pejgamberi a.s. më dërgoi mua me Ebu Amirin. Ai u godit në gju nga një shigjetë që e kishte lëshuar një burrë nga fisi Xhushemij. Shkova shpejt tek ai dhe e pyeta: "O xhaxha! Kush të qëlloi?" Ai ma tregoi me shenjë duke më thënë: "Ai është vrasësi që më gjuajti me shigjetë." Kështu, unë iu vura pas dhe e arrita. Kur më pa, ai ia mbathi, ndërsa unë e ndoqa dhe i thashë: "A nuk ke turp? A nuk do të qëndrosh?" Kështu që ai ndaloi dhe shkëmbyem dy përplasje shpatash, pastaj e vrava. Më pas shkova dhe i thashë Ebu Amirit: "Allahu e vrau vrasësin tënd." Ai më tha: "Ma nxirr këtë shigjetë." Unë ia hoqa atë, pastaj atij filloi t'i kullojë ujë nga plaga. Ai më tha: "O biri i vëllait tim! Dërgoji selam prej meje Pejgamberit a.s. dhe thuaji që t'i lutet Allahut të më falë mua." Kështu, Ebu Amiri ma la mua komandimin e forcave. Ai jetoi edhe për disa çaste, pastaj vdiq. (Pas beteje) u ktheva në Medine dhe shkova te Pejgamberi a.s. në shtëpi. E gjeta shtrirë në një shtrat me dega hurme të thurura me litar dhe sipër tyre një shtrojë. Shenjat e degëve dhe të thurjes shiheshin qartë në shpinë dhe anash trupit të tij. I tregova atij lajmet tona dhe të Ebu Amirit dhe porosinë e tij: "Thuaji Pejgamberit a.s. që t'i lutet Allahut të më falë mua." Pejgamberi a.s. kërkoi ujë, mori avdes pastaj ngriti duart duke u lutur: "O Allah! Fale Ubejd Ibn Amirin!" Ndërkohë unë dallova bardhësinë e sqetullave të Pejgamberit a.s., i cili vazhdoi të thoshte: "O Allah! Ngrije atë lart mbi shumë nga krijesat e Tua njerëzore Ditën e Kijametit!" I thashë: "Lutju Allahut edhe për mua që të më falë",- dhe ai u lut duke thënë: "O Allah! Falja gjynahet Abdullah Ibn Kajsit dhe pranoje atë Ditën e Kijametit në një hyrje të nderuar (në Xhenet)!" (4323)
1668.
Umm Selema r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. erdhi tek unë, ndërsa aty me mua ishte një burrë me sjellje femre, të cilin e dëgjova t'i thoshte Abdullah Ibn Ebi Umejes: "O Abdullah! Shih, në qoftë se Allahu ju bën të mundur marrjen e Taifit nesër, atëherë merre e martohu me të bijën e Gajlanit. Vërtet që ajo është aq e bukur dhe e shëndoshë saqë të tregon katër palë tule nga përpara dhe tetë palë nga mbrapa." Ndërsa Pejgamberi a.s. tha: "Këta njerëz (burra me sjellje femre) kurrë nuk duhet të hyjnë në dhomat tuaja (o gra)!" (4324)
1669.
Ibn Umeri r.a. tregon: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. rrethoi Taifin dhe nuk mundi ta marrë, ai tha: "Do të kthehemi në Medine, në dashtë Allahu." Kjo i rëndoi e i mërziti shokët e Pejgamberit a.s., prandaj ata thanë: "A do të largohemi pa e marrë atë?!" Ai u përgjigj një herë: "Le të kthehemi",- pastaj u tha: "Luftoni nesër." Të nesërmen ata luftuan dhe shumë prej tyre morën plagë. Pas kësaj ai tha: "Nesër do të ngarkojmë dhe do të kthehemi në Medine, në dashtë Allahu." Kjo gjë i gëzoi ata. Kur (i pa ata të gëzuar), Pejgamberi a.s. buzëqeshi. (4325)
1670.
Ebu Uthmani tregon: "Kam dëgjuar Saadin r.a., i cili është i pari që ka lëshuar shigjetën në Rrugë të Allahut dhe Ebu Bekran r.a., i cili është nga ata pak vetë që e kapërcyen murin e mbrojtës të Taifit e pastaj shkuan te Pejgamberi a.s., të thonë se e kanë dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: "Kush pretendon të jetë biri i dikujt tjetër në vend të babait të tij të vërtetë, duke e ditur se po mashtron, atëherë Xheneti për të është i ndaluar"." (4326)
1671.
Në një citim tjetër shtohet: "Njëri prej tyre (Saadi) është i pari që ka qëlluar me shigjetë për Çështjen e Allahut, kurse tjetri (Ebu Bekra) shkoi te Pejgamberi a.s. i treti në një grup prej njëzet e tre vetësh nga Taifi." (4327)
1672.
Ebu Musa r.a. tregon: "Isha me Pejgamberin a.s. kur ai po ngrinte kampin në Xhiërana ndërmjet Mekës dhe Medines. Me të ishte edhe Bilali. Ndërkohë një beduin shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: "A nuk do ta përmbushësh atë që më ke premtuar?" Pejgamberi a.s. i tha: "Gëzohu (për atë që të pret)!" Beduini i tha: "Shumë herë më ke thënë: 'Gëzohu'!" Pastaj Pejgamberi a.s. m'u kthye mua dhe Bilalit me pamje të nxehur dhe na tha: "Ai nuk e pranoi lajmin e mirë, prandaj pranojeni ju të dy." Ne i thamë: "Ne e pranojmë atë." Past'aj Pejgamberi a.s. kërkoi një tas me ujë, lau duart dhe fytyrën në të, pastaj mori prej tij një gojë ujë, e derdhi prapë aty dhe na tha: "Pini, pak ujë prej tij dhë hidhni pak në fytyrë e në fyt. Dhe gëzohuni për lajmin e mirë!" Kështu, ne të dy e morëm tasin dhe bëmë ashtu siç u këshilluam. Umm Selema foli nga pas perdes: "Lini pak ujë edhe për nënën tuaj." Dhe ne i lamë edhe asaj pak prej tij." (4328)
1673.
Enesi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. grumbulloi disa nga ensarët dhe u tha: "Kurejshët janë akoma afër kohës së tyre të padijes para-islame (sapo kanë pranuar Islamin) dhe kanë vuajtur shumë. Ndërsa unë dua t'i ndihmoj ata dhe t'ua tërheq zemrat (duke u dhënë nga plaçka e luftës). Po ju a nuk do të kënaqeni, që njerëzit të marrin gjëra të dynjasë, ndërsa ju të merrni me vete të Dërguarin e Allahut a.s. në shtëpitë tuaja?!" Ata thanë: //Sigurisht!.,/ Pejgamberi a.s. tha: "Në qoftë se njerëzit marrin rrugën e tyre nëpër luginë dhe ensarët marrin rrugën e tyre nga një udhë malore, atëherë unë do të merrja luginën e ensarëve ose udhën malore të ensarëve!" (4334)
1674.
Ibn Umeri r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. dërgoi Halid Ibn Velidin r.a. tek fisi Beni Xhedhima. Kështu, në fillim ai i ftoi ata në Islam, por ata nuk thoshin dot: "Eslemna - Jemi dorëzuar në Islam"-, por thoshin: "Sabe'na, Sabe'na - Kemi dalë nga një fe e kemi hyrë në një tjetër'." Për pasojë Halidi filloi t'i vrasë disa prej tyre dhe disa i mori robër duke i dhënë çdonjërit prej nesh nga një rob, derisa një ditë Halidi urdhëroi që secili prej nesh ta vriste robin e tij. Ndërsa unë thashë: "Për Allah, unë nuk do ta vras robin tim dhe asnjë nga shokët e mi nuk do ta vrasë robin e tij." Kur u kthyem te Pejgamberi a.s., ia treguam atij të gjithë ndodhinë. Pas kësaj, Pejgamberi a.s. ngriti duart dhe tha dy herë: "O Allah! Unë jam i lirë dhe i pafajshëm nga ajo që ka bërë Halidi". (4339)
1675.
Aliu r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. dërgoi një çetë nën komandën e një ensari dhe i urdhëroi ushtarët që t'i bindeshin atij. Duke ecur ai u nxeh dhe u tha atyre: "A nuk ju urdhëroi Pejgamberi a.s. të më bindeni mua?" Ata i thanë: "Po, vërtet." Ai u tha: "Atëherë më mblidhni dru zjarri." Kështu ata i mblodhen drutë. U tha: "Ndizni një zjarr." Kur ata e ndezën atë, ai u tha: "Hyni në të!" Kështu, ata deshën të hynin, por filluan të mbanin njëri-tjetrin duke thënë: "Ne vrapuam te Pejgamberi për t'i shpëtuar zjarrit." Ata vazhduan ta përsërisnin atë fjalë derisa zjarri u shua dhe zemërimi i komandantit u qetësua. Kur kjo ngjarje i mbërriti në vesh Pejgamberit a.s., ai tha: "Po të kishin hyrë në të, ata nuk do të kishin dalë prej tij deri Ditën e Kijametit. Bindja është detyrë vetëm kur urdhërohet e mira"." (4340)
1676.
Ebu Musai r.a. tregon se Pejgamberi a.s. e dërgoi atë dhe Muadh Ibn Xhebelin në Jemen. Pejgamberi a.s. e dërgoi secilin prej tyre të drejtonte nga një provincë të Jemenit, i cili kishte dy privinca atëherë. Ai a.s. u tha: "Lehtësojani çështjet njerëzve dhe mos ua vështirësoni, gëzojini ata me lajme të mira dhe mos i prapësoni." Kështu, secili shkoi në punën e tij. Sa herë që ndonjëri prej tyre udhëtonte nëpër provincën e tij dhe ndodhte që të vinte pranë kufinjve të shokut të tij, atëherë e vizitonte atë dhe e përshëndeste. Një herë Muadhi vizitoi atë pjesë të provincës së vet që ishte pranë asaj të shokut të tij, Ebu Musait. Muadhi shkoi i hipur në një mushkë. Kur arriti tek Ebu Musai, e gjeti atë ulur dhe rreth tij ishin mbledhur njerëz. Aty pa edhe një burrë me duart të lidhura pas qafe. Ai i tha Ebu Musait: "O Abdullah Ibn Kajs! Ç'është ky?" Ebu Musai i tha: "Ky njeri është kthyer në femohues pasi e kishte pranuar Islamin." Muadhi i tha: "Nuk do të zbres nga mushka, derisa ai të vritet." Ebu Musa i tha: "Në të vërtetë për këtë gjë është sjellë këtu, kështu që zbrit pra." Muadhi i tha: "Nuk do të zbres, derisa ai të jetë vrarë." Kështu Ebu Musai dha urdhrin (e ekzekutimit) dhe atë (femohuesin) e vranë. Pastaj Muadhi zbriti dhe e pyeti: "O Abdullah, si e këndon Kuranin?" Ebu Musai i tha: "E këndoj rregullisht dora-dorës. Po ti si e këndon atë, o Muadh?" Muadhi iu përgjigj: "Unë fle pjesën e parë të natës pastaj ngrihem, duke e ditur se e kam plotësuar kohën e gjumit. Pastaj këndoj Kuran aq sa ka përcaktuar Allahu për mua. Në këtë mënyrë unë kërkoj të fitoj Shpërblimin e Allahut nga gjumi, ashtu siç e kërkoj nga falja e namazit të natës."312 (4341, 4342)
1677.
Ebu Musa r.a. tregon se Pejgamberi a.s. e pati dërguar atë në Jemen dhe se ai e pati pyetur Pejgamberin a.s. për disa pije alkoolike, që i prodhonin në Jemen. Pejgamberi a.s. e pyeti: "Cilat janë ato?" Ebu Musai i tha: "Bitëi (pije alkoolike nga mjalti) dhe mizri (pije alkoolike nga elbi)." Pejgamberi a.s. i tha: "Çdo lëndë dehëse e trullosëse është haram (rreptësisht e ndaluar nga Islami)" (4343)
1678.
Berau r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. na çoi bashkë me Halid Ibn Velidin në Jemen. Më vonë Pejgamberi a.s. dërgoi Aliun në vend të tij dhe i tha: "Thuaju shokëve të Halidit të zgjedhin: kush të dojë le të rrijë me ty në Jemen dhe kush të dojë lë të kthehet në Medine." Kështu, unë isha një nga ata që qëndrova me Aliun dhe mora nga plaçka e luftës shumë avak (okë) floriri." (4349)
1679.
Bureida r.a.tregon: "Pejgamberi a.s. e dërgoi Aliun te Halidi për të sjellë një të pestën e plaçkës së luftës. Asokohe e urreja Aliun. Ndërkohë Aliu sapo ishte larë (kishte marrë gusul) pasi kishte fjetur më një robëreshë nga pjesa e një të pestës së plaçkës. I thashë Halidit: "A e nuk e sheh se ç'bëri ky (Aliu)?" Kur u kthyem te Pejgamberi a.s., ia thashë këtë gjë. Ai më tha: "O Burejde! Vallë, Aliun urren?!" I thashë që po. Ai më tha: "Mos e urre atë! Në të vërtetë, atij i takon më shumë se aq nga një e pesta e plaçkës"." (4350)
1680.
Ebu Said Hudriu r.a. tregon: " Aliu r.a. çoi tek i Dërguari i Allahut a.s. një copë minerali ari të pashkrirë në një çantë lëkure. I Dërguari i Allahut a.s. e ndau atë ndërmjet katër vetëve: Ujaina Ibn Bedrit, Akra Ibn Habisit, Zeid Hailit dhe një njeriu të katërt të quajtur Alkama ose Amir Ibn Tufail. Atëherë njëri prej shokëve tha: "Ne e meritojmë më shumë këtë (shpërblim) sesa këta." Kur kjo fjalë i arriti Pejgamberit a.s., ai tha: " A nuk keni besim tek unë, ndonëse unë jam i besuari i Atij (Allahut) që është në qiej dhe marr lajmet qiellore (Shpalljen Hyjnore) në mëngjes e në mbrëmje?!,/ Në atë çast u ngrit një burrë me sy të futur thellë, me fytyrë me kocka të dala, me ballë të lartë, me mjekër të dendur, me kokë të rruar dhe me një copë të hedhur në bel të përveshur dhe tha: "O i Dërguari i Allahut! Ki frikë Allahun!" Pejgamberi a.s. tha: "O i mjerë! A nuk jam unë nga gjithë njerëzit në tokë që meritoj më shumë të kem frikë Allahun?!" Pastaj ai njeriu u largua. Halid Ibn Velidi tha: "O i Dërguari i Allahut! A t'ia këpus qafën?" Pejgamberi a.s. tha: "Jo, mbase fal namaz." Halidi i tha: "Të shumtë janë atë që falin namazin dhe që gjuha u flet atë që nuk është në zemrën e tyre." I Dërguari i Allahut tha: "Unë nuk jam urdhëruar (nga Allahu) të gërmoj në zemrat e njerëzve, ose t'u çaj gjoksin atyre." Pastaj Pejgamberi a.s. pa drejt atij (burri) ndërsa po largohej dhe tha: "Nga pasardhësit e këtij njeriu do të vijnë njerëz që do të këndojnë Kuran vazhdimisht dhe për mrekulli, por nuk do t'ua kalojë gurmazin (nuk do t'u burojë nga shpirti, nuk do ta kuptojnë dhe nuk do ta zbatojnë në jetë). Ata do të dalin prej feje siç fluturon shigjeta prej harkut." Më duket se shtoi edhe: "Po të jetoja në kohën e tyre, do t'i vrisja siç u vra populli i Themudit"." (4351)
1681.
Xheriri tregon r.a. ndodhinë si në hadithin nr. 1296/3020, ndërsa këtu shton: "Pejgamberi a.s. më tha: "A do të më lehtësosh nga Dhul-Halasa?" Dhul- Halasa ishte një shtëpi në Jemen, në të cilën kishte idhuj që i adhuronin. Ajo u përkiste fiseve Hathëam dhe Bexhile. Kur Xheriri shkoi në Jemen, atje ishte një burrë që shtinte fall me shigjeta "të shenjta". Dikush i tha atij: "Këtu ka mbërritur i Dërguari i Allahut a.s. dhe, në qoftë se të kap, do të ta këpusë qafën." Një ditë, ndërsa ai po shtinte fall me shigjeta, papritur Xheriri ndaloi në këmbë përpara tij dhe i tha: "Thyeji ato dhe dëshmo: Laa ilahe il-lAllah - nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut"-, ose do të ta pres kokën." Kështu ai i theu shigjetat dhe tha dëshminë islame." (4356, 4357)
1682.
Xheriri r.a. tregon: "Kur isha në Jemen, takova dy jemenas të quajtur Dhu-Kela e Dhu-Amr dhe fillova t'u flas për të Dërguarin e Allahut a.s.. Dhu- Amri më tha: "Në qoftë se ajo që thua ti për mikun tënd (Pejgamberin a.s.) është e vërtetë, tashmë kanë kaluar tre vjet, qëkurse ai ka vdekur." Pastaj ata të dy më shoqëruan për në Medine. Kur kishim bërë një pjesë rruge drejt Medines, pamë disa udhëtarë kaluar, që vinin nga Medinja. I pyetëm ata dhe na thanë: "I Dërguari i Allahut a.s. ka vdekur, ndërsa halif pas tij është zgjedhur Ebu Bekri dhe njerëzit janë shumë mirë. Pastaj dy shoqëruesit e mi më thanë: "Thuaj mikut tënd (Ebu Bekrit) se ne deshëm ta vizitojmë dhe, në dashtë Allahu, ne do të vijmë një herë tjetër"-, pastaj u kthyen për në Jemen. (4359)
1683.
Xhabiri r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. dërgoi disa trupa në drejtim të bregdetit dhe emëroi komandant të tyre Ebu Ubejdan. Ne ishin treqind veta. Kështu, u nisëm dhe, kur kishim bërë një pjesë të rrugës, na u pakësua ushqimi i udhëtimit. Për këtë arsye Ebu Ubejda urdhëroi që të grumbullonin në një vend gjithë ushqimet që kishte me vete ushtria. Ushqimi ynë ishin hurmat. Kështu, ai na e jepte çdo ditë racionin pak nga pak, derisa ai u pakësua aq sa arritëm të merrnim vetëm nga nja kokërr hurme për njeri." Vehb Ibn Kejsani (transmetuesi i dytë i hadithit) thotë: "E pyeta Xhabirin r.a.: "Ç'dobi mund t'ju bënte një kokërr hurmë?" Ai tha: "Ja njohëm vlerën asaj kokrre kur edhe ajo na mbaroi." Pastaj Xhabiri vazhdoi: "Pastaj arritëm në bregdet, kur ç'të shohim! Aty ishte një peshk i madh sa një kodër. E gjithë ushtria u ushqye me të për tetëmbëdhjetë net. Më pas Ebu Ubeida tha që të ngulnim dy brinjë të peshkut në tokë në formë harku. Poshtë tyre futëm një deve, e cila kaloi pa prekur fare kockat!" (4360)
1684.
Në një citim tjetër Xhabiri r.a. tregon: "Deti na nxori nja kafshë të madhe të quajtur Anber. Ne hëngrëm nga mishi i saj për një gjysmë muaji dhe e fërkuam trupin me dhjamin e saj, derisa ai na u përtëri." Në një citim të tretë, Xhabiri thotë: "Ebu Ubeida na tha: "Hani prej saj (balenës)." Kur u kthyem në Medine, ne i treguam Pejgamberit a.s. për të. Ai tha: "Hani prej saj, pasi ai është ushqim të cilin Allahu e ka nxjerrë për ju. Na jepni edhe ne, nëse keni diçka me vete." Kështu disa nga ne i dhanë atij mish prej saj dhe ai e hëngri." (4361)
1685.
Abdullah Ibn Zubejri r.a. tregon: "Një grup burrash nga fisi Beni Temim erdhën kaluar te Pejgamberi a.s.. Ebu Bekri i tha Pejgamberit a.s.: "Cakto Kaëkaa Ibn Maëbadin si prijës të tyre." Ndërsa Umeri i tha: "Jo atë, por cakto Akraa Ibn Habisin." Ebu Bekri i tha Umerit: "Deshe veç të më kundërshtosh mua." Umeri i tha: "Nuk desha të të kundërshtoj". Kështu, ata të dy bënë fjalë aq sa i ngritën zërat shumë. Për këtë zbriti ajeti fisnik: "O ju që keni besuar! Mos vendosni para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe kini frikë Allahun..." (Kuran, 49:1) (4367)
1686.
Ebu Hurejra r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. dërgoi trupa kalorësie drejt Nexhdit. Kur u kthyen, ata sollën me vete një burrë nga fisi Beni Hanifa, të quajtur Thamama Ibn Uthal dhe e lidhën pas një shtylle në xhami. Pejgamberi a.s. shkoi tek ai dhe i tha: "Ç'ke (ç'mendon se do të të bëj), o Thumana?" Ai iu përgjigj: "Kam mendim të mirë, o Muhamed! Në qoftë se ti më vret mua, atëherë vret një njeri që ka hyrë në gjak (ka vrarë një njeri) dhe, në qoftë se më liron, atëherë ti do t'i bëje mirësi një njeriu falënderues e mirënjohës. Në qoftë se do pasuri, atëherë kërko ç'pasuri të duash." E lanë aty deri të nesërmen, kur erdhi Pejgamberi a.s.. Ai (a.s.) e pyeti: "Ç'ke o Thumana?" Iu përgjigj: "Atë që të thashë: në qoftë se më liron, atëherë ti do t'i bëje mirësi një mirënjohësi." Kështu, Pejgamberi a.s. e la atë aty deri ditën tjetër, kur e pyeti përsëri: "Ç'ke, o Thumana?" Ai iu përgjigj: "Kam atë që të kam thënë." Pastaj Pejgamberi a.s. tha: "Lirojeni Thumanën." Kështu, ai doli jashtë, shkoi në një kopsht hurmash afër xhamisë dhe u la (mori gusul), pastaj hyri përsëri në xhami dhe tha: "Eshhedu en laa ilahe il-lAllah ve eshhedu en-ne Muharneden resulullah - dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut! O Muhamed! Për Allah! Nuk kishte fytyrë në faqe të tokës më të urryer për mua sesa fytyra jote, por tani fytyra jote më është bërë fytyra më e dashur. Për Allah! Nuk kishte fe më të urryer për mua sesa feja jote, por tani feja jote më është bërë më e dashura. Për Allah! Nuk kishte qytet më të urryer për mua sesa qyteti yt, por tani qyteti yt më është bërë qyteti më i dashur. Kalorësit e tu më kapën ndërkohë që unë desha të shkoj për umre. Ç'mendon tani për mua?" I Dërguari i Allahut a.s. e përgëzoi atë dhe e urdhëroi të shkojë në umre. Kur arriti në Mekë, dikush e pyeti: " A je bërë sabi (ke ndryshuar fenë)?" Thumana iu përgjigj: "Jo, për Allah! Veç kam pranuar Islamin me Muhamedin, të Dërguarin e Allahut a.s.! Jo, për Allah! Asnjë e keqe sado e vogël qoftë, as sa një kokërr gruri, nuk do t'ju vijë juve nga Jemama, derisa Pejgamberi a.s. të japë leje për të"." (4372)
1687.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "Musejlema gënjeshtari (Pejgamberi i rremë) doli në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s. dhe filloi të përhapë fjalë se: "Në qoftë se Muhamedi ma lë mua sundimin pas tij, atëherë unë do ta ndjek e do t'i bindem atij." Dhe erdhi në Medine me një grup të madh njerëzish nga fisi i tij. I Dërguari i Allahut a.s. shkoi tek ai bashkë me Thabit Ibn Kajsin. I Dërguari i Allahut a.s. mbante në dorë një shkop palme hurme. Pejgamberi a.s. ndaloi afër Musejlemas, kur ky ishte mes njerëzve të tij, dhe i tha: "Në qoftë se më kërkon qoftë edhe këtë copë shkopi, unë kurrë nuk do të ta jepja dhe ti nuk mund t'i shmangesh Urdhrit të Allahut. Në qoftë se ia kthen shpinën Islamit, atëherë Allahu do të të shkatërrojë. Ja ky është Thabit Ibn Kajsi që do të të përgjigjet në vendin tim." Pastaj Pejgamberi a.s. u largua prej tij. Më pas unë pyeta Ebu Hurejrën për fjalën e të Dërguarit të Allahut a.s.: "Unë mendoj vërtet se ti je i njëjti njeri që m'u paraqit në ëndërr." Ebu Hurejra më tha se i Dërguari i Allahut a.s. ka treguar: "Ndërsa po flija, pashë në ëndërr dy byzylykë floriri në dy duart e mia. Kjo gjë më shqetësoi shumë. Pastaj më erdhi Frymëzimi Hyjnor në ëndërr që t'u fryja atyre. Kështu, unë u fryva dhe që të dy byzylykët fluturuan. Atëherë unë i shpjegova ata dy byzylykë se pas meje do të dalin dy gënjeshtarë që do të hiqen si profetë. Njëri prej tyre është Ansiju dhe tjetri Musejlema"." (4373, 4374)
1688.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka dëftuar: "Ndërsa po flija, m'u dhanë thesarët e tokës dhe në duar m'u vendosën dy byzylykë floriri. Një gjë e tillë më rëndoi shumë, por m'u shpall se duhej t'u fryja. Kështu që u fryva dhe që të dy byzylykët u zhdukën. Atëherë unë i shpjegova ata dy byzylykë me dy gënjeshtarë që do të hiqen si profetë që në gjalljen time: Sunduesi i Sanasë dhe sunduesi i Jemamës." (4375)
1689.
Hudheifa r.a. tregon: "Dy sunduesit e Nexhranit, Akibi dhe Sejjidi, shkuan tek i Dërguari i Allahut a.s. me qëllim që të luteshin për Mallkimin e Allahut mbi njëri-tjetrin.314 I pari i tha shokut të vet: "Mos e bëj një gjë të tillë sepse, për Allah, në qoftë se ai është Pejgamber dhe ne lutemi për mallkim, atëherë as ne dhe as pasardhësit tanë mbas nesh kurrë nuk do të jenë të fituar!" Pastaj të dy i thanë Pejgamberit a.s.: "Ne do të të japim ty atë që na kërkon, por me kusht që të na japësh me vete një njeri të besueshëm." Pejgamberi a.s. u tha: "Sigurisht që do të dërgoj një njeri të ndershëm e të besuar, që është vërtet i besueshëm." Atëherë çdonjëri nga shokët e të Dërguarit të Allahut a.s. dëshiroi të ishte ai njeri. Pastaj Pejgamberi a.s. tha: "Ngrihu në këmbë, o Ebu Ubejde Ibn Xherrah!" Kur ai u ngrit, i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Ky është i besueshmi i këtij Ummeti (i kombit musliman)"." (4380)
1690.
Në një përcjellje tjetër Enesi r.a. shton se Pejgamberi a.s. tha: "Çdo komb e ka një emin (njeri të ndershëm dhe më të besueshmin) dhe emini i këtij Ummeti (i kombit musliman) është Ebu Ubejde Ibn Xherrahu." (4382)
1691.
Ebu Musai r.a. tregon: "Ne, një grup nga fisi i Eshërainjve, shkuam te Pejgamberi a.s. dhe i kërkuam atij kafshë udhëtimi, por ai nuk pranoi të na jepte gjë. Pastaj i kërkuam për herë të dytë për të na dhënë kafshë udhëtimi, por ai u betua se nuk do të na jepte gjë prej tyre. Por nuk kaloi shumë dhe Pejgamberit a.s. i sollën disa deve të marra si plaçkë lufte. Atëherë ai urdhëroi që të na jepnin pesë deve prej tyre. Kur i morëm devetë, ne thamë me njëri-tjetrin: "E lamë Pejgamberin a.s. të harronte betimin që bëri, kështu që ne nuk do të jemi kurrë të fituar pas kësaj." Për këtë arsye, unë shkova te Pejgamberi a.s. dhe i thashë: "O i Dërguari i Allahut! Ti u betove se nuk do të na jepje asnjë kafshë për të udhëtuar, por tani ti na dhe." Ai tha: "Po, vërtet! Por unë, në qoftë se betohem dhe më pas shoh një zgjidhje më të mirë sesa ajo, atëherë veproj sipas zgjidhjes së dytë më të mirë (dhe pastaj bëj çmë detyrohet për të shlyer betimin duke dhënë sadaka etj.)." Në një citim tjetër shtohet se Pejgamberi a.s. e shleu atë betim. (4385)
1692.
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s ka thënë: "Ju kanë ardhur njerëz nga Jemeni. Ata janë më zemërbutët dhe më zemërndjerët. Besimi është jemenas dhe urtësia është jemenase. Krenaria dhe mendjemadhësia janë cilësi të njerëzve të deveve, kurse qetësia dhe denjësia janë cilësi të njerëzve të deleve." (4388)
1693.
Hadithi i Ibn Umerit r.a. për namazin që ka falur Pejgamberi a.s. brenda në Qabe (hadithi nr. 296/468) Këtu ai shton se në vendin ku u fal Pejgamberi a.s. ishte vendosur një copë mermeri i kuq. (4400)
1694.
Zejd Ibn Arkam tregon se Pejgamberi a.s. ndërmori nëntëmbëdhjetë beteja e fushata luftarake, ndërsa bëri vetëm një haxh pas mërgimit në Medine dhe nuk bëri më haxh tjetër pas tij, pra pas Haxhit të Lamtumirës. (4404)
1695.
Ebu Bekra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Koha (njehsimi i saj) është kthyer në formën fillestare, kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën: Viti ka 12 muaj, katër prej të cilëve janë të shenjtë. Tre vijnë njëri pas tjetrit: Dhul-Kaëda, Dhul- Hixhxhe dhe Muharemi (i njëmbëdhjeti, i dymbëdhjeti dhe i pari), ndërsa i katërti, muaji Rexheb, i cili quhet kështu sipas fisit Mudar, është muaji i shtatë ndërmjet muajve Xhumada Thanija dhe Shaban." Pastaj Pejgamberi a.s. pyeti: "Cili muaj është ky (në të cilin jemi tani)?" I thanë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë." Pas kësaj ai a.s. heshti aq gjatë sa menduam se do ta emërtonte atë me ndonjë emër tjetër, pastaj tha: "A nuk është muaji i Dhul-Hixhxhes?" Ne iu përgjigjëm: "Po, vërtet." Pastaj pyeti: "Cili qytet është ky?" Thamë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë." Përsëri heshti aq gjatë saqë menduam se do ta thërriste atë me ndonjë emër tjetër, pastaj tha: "A nuk është kjo Meka?" U përgjigjëm: "Po, vërtet." Përsëri ai a.s. pyeti: "Ç'ditë është kjo sot?" Thamë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë." Ai a.s. heshti aq gjatë saqë menduam se do ta quante atë me ndonjë emër tjetër, pastaj tha: "A nuk është kjo Dita e (Bajramit të) Kurbanit?" Thamë: "Po, vërtet." Pastaj Pejgamberi a.s. tha: "Kështu pra, gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj janë të shenjtë ndër ju, ashtu si shenjtëria e kësaj dite, në këtë qytet (të shenjtë), në këtë muaj (të shenjtë). Ju sigurisht që do ta takoni Zotin tuaj dhe Ai padyshim që do t'ju pyesë për veprat tuaja. Kini mendjen! Mos e humbisni rrugën (dhe të bëheni femohues) pas meje, duke i prerë kokën njëri-tjetrit. Çdo i pranishëm këtu e ka për detyrë që t'ia përcjellë mesazhin tim atyre që nuk janë këtu.Mbase ndokush që i mbërrin kjo fjalë mund ta kuptojë atë më mirë e më thellë sesa ndonjë që e ka dëgjuar atë vetë." Pastaj Pejgaberi a.s. përsëriti dy herë: "Pra, a jua kam përcjellë (Mesazhin e Allahut)!" (4406)
1696.
Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. e rruajti kokën në Haxhin e Lamtumirës. Kështu bënë edhe disa nga shokët e tij, ndërsa disa të tjerë i shkurtuan flokët. (4411)
1697.
Ebu Musai r.a. tregon: "Shokët e mi më çuan tek i Dërguari i Allahut a.s. për t'i kërkuar disa kafshë udhëtimi për ta, pasi ata ishin bashkë me të në ushtrinë e vështirësisë, e cila ishte përgatitur për Betejën e Tebukut. I thashë: "O Fejgamberi i Allahut, shokët e mi më kanë sjellë tek ti për t'u dhënë atyre kafshë udhëtimi." Ai tha: "Për Allah! Unë nuk do t'u jap asnjë kafshë për t'i hipur." U ndodha pikërisht në një kohë, kur ai ishte i nxehur, por nuk e kisha vënë re këtë gjë. Kështu, u ktheva i mërzitur për shkak se Pejgamberi a.s. nuk më pranoi dhe nga frika se mos ai a.s. ishe nxehur me mua. Në këtë gjendje u ktheva te shokët e mi dhe u tregova se çfarë më tha Pejgamberi a.s.. Nuk kaloi shumë, kur dëgjova Bilalin të thërriste: "O Abdullah Ibn Kajs!" Iu përgjigja thirrjes së tij. Ai më tha: "Përgjigjju të Dërguarit të Allahut a.s. që po të thërret." Kur shkova tek i Dërguari i Allahut a.s., ai më tha: "Merri këto dy deve të lidhura bashkë, edhe këto të dyja ..."-, duke më caktuar gjashtë deve që i kishte marrë ndërkohë nga Saadi-, "dhe shko te shokët e tu e thuaju se Allahu ose i Dërguari i Allahut jua ka dhënë ato për t'u hipur, kështu që udhëtoni me to!" Unë i mora devetë, shkova me to te shokët e mi dhe u thashë: "Pejgamberi a.s. ju lejon që t'u hipni e të udhëtoni me këto deve, por, për Allah, unë nuk do t'ju lejoj, derisa ndonjëri prej jush të vijë me mua tek ata që e dëgjuan fjalën e të Dërguarit të Allahut a.s.! Mos kujtoni se ju tregoj gjëra që i Dërguari i Allahut a.s.nuk i ka thënë!" Ata më thanë: "Për Allah, ti për ne je njeri i besuar dhe ne do të bëjmë ç'të duash ti." Kështu, Ebu Musai u nis bashkë me disa prej tyre, derisa arritën tek ata që e kishin dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s., kur ua ndaloi atyre kafshët dhe pastaj kur ua dha. Ata u treguan të njëjtat fjalë që u kishte thënë edhe Ebu Musai." (4415)
1698.
Saad Ibn Ebu Vekkasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. u nis për Tebuk duke lënë zëvendës të tij në Medine Aliun. Aliu i tha: "A do të më lësh mua me fëmijët dhe me gratë?!" Pejgamberi a.s. i tha: "A nuk do të ishe i kënaqur që të ishe për mua në atë shkallë, siç qe Haruni për Musain, përveç asaj që nuk ka Pejgamber pas meje?" (4416)
1699.
Kab Ibn Malik r.a. tregon: "Asnjëherë nuk kam mbetur pa e ndjekur të Dërguarin të Allahut a.s. në çdo fushatë ushtarake që ai ndërmori, përveç ekspeditës së Tebukut. Po kështu, nuk munda të marr pjesë as në Luftën e Bedrit, por Allahu nuk qortoi askënd që nuk kishte marrë pjesë në të, pasi, në të vërtetë, i Dërguari i Allahut a.s. u nis të kapte karvanin e kurejshëve, kurse Allahu bëri që muslimanët dhe armiku i tyre të përballeshin pa lënë takim. Unë isha i pranishëm natën e Besës së Akabesë me të Dërguarin e Allahut a.s., kur ne dhamë besën për Islam dhe unë nuk do ta ndërroja atë me Betejën e Bedrit, ndonëse Beteja e Bedrit është më popullore se Besa e Akabesë. Sa për luftën e Tebukut, kjo është ngjarja ime. Nuk kam qenë kurrë më i fortë dhe më i pasur sesa në kohën kur nuk i shkova pas Pejgamberit a.s. në atë ekspeditë. Për Allah, kurrë më parë nuk kam pasur dy deve, përveçse në kohën e kësaj lufte. Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. donte të ndërrmerrte ndonjë fushatë luftarake, ai e fshihte qëllimin e vërtetë dhe e mbulonte atë duke folur për luftëra të ndryshme, derisa erdhi koha e asaj lufte, të cilën i Dërguari i Allahut a.s. e ndërrmori në pikën e vapës, duke përballuar një udhëtim të gjatë, shkretëtirën dhe një armik aq të madh në numër. Prandaj Pejgamberi a.s. ua tregoi qartë muslimanëve vendin ku donte të shkonte, me qëllim që ata të mund të përgatiteshin siç duhet për luftën e tyre. Muslimanët që shkuan me të Dërguarin e Allahut a.s. ishin një numër shumë i madh që nuk mund të shënohej në regjistër. Çdokush që kishte ndërmend të mungonte prej saj, mendonte se çështja e tij do të mbetej e fshehtë, në qoftë se Allahu nuk do ta nxirrte në shesh, duke zbritur Shpallje Hyjnore. Kësisoj pra, i Dërguari i Allahu a.s. e ndërrmori atë luftë ndërkohë që frutat ishin pjekur dhe hija ishte e këndshme. I Dërguari i Allahut a.s. dhe muslimanët bashkë me të u përgatitën për luftë. Edhe unë fillova të dal që të përgatitesha bashkë me ta, por u ktheva pa bërë gjë. Thosha me vete: "Unë mundem për të"-, kështu që vazhdova ta lë pas dore kohë pas kohe, derisa njerëzit u bënë gati dhe i Dërguari i Allahut a.s. dhe muslimanët bashkë me të u nisën, ndërsa unë nuk kisha përgatitur asgjë për udhë. Thashë me vete: "Do të përgatitem për një ose dy ditë pas tij dhe pastaj do t'i arrij ata rrugës." Mëngjesin e ditës që ata u nisën, dola që të përgatitem, por u ktheva pa bërë asgjë. Pastaj dola përsëri mëngjesin tjetër për të përgatitur ndonjë gjë, por prapë u ktheva pa bërë asgjë. Kështu, vazhdoi puna ime, derisa ata nxituan, ndërsa unë në këtë mënyrë e humba betejën. Edhe atëherë desha të nisem që t'i arrija. Ah, sikur ta kisha bërë një gjë të tillë! Por nuk kishte qenë përcaktuar një gjë e tillë për mua. Kështu, kur dilja mes njerëzve (ata pak që kishin mbetur) pas largimit të të Dërguarit të Allahut a.s., më pikëllonte fakti që nuk shihja askënd rreth meje, përveç ndonjërit të zhytur në hipokrizi ose të ndonjë tjetri të dobët, të cilin Allahu e kishte shfajësuar dhe e kishte falur. I Dërguari i Allahut a.s. nuk më kishte kujtuar mua rrugës, por vetëm pasi kishte arritur në Tebuk. Kur kishte qenë ulur mes njerëzve në Tebuk, kishte pyetur: "Ç'bëri Kabi?" Dikush nga fisi Beni Selima i thotë: "O i Dërguari i Allahut! Atë e kanë penguar dy xhybet dhe vështrimi me krenari i vetvetes!" Muadh Ibn Xhebeli i tha: "Ç'fjalë të keqe ke thënë! Për Allah! O i Dërguari i Allahut! Ne nuk dimë për të, veçse të mirën." Ndërsa i Dërguari i Allahut rrinte i heshtur. Kur mora vesh se Pejgamberi a.s. po kthehej për në Medine, u zhyta në shqetësimin tim dhe fillova të mendoj shfajësime të rreme duke thënë me vete: "Me çfarë ta shmang zemërimin e tij nesër?" Për këtë mora këshillë nga njerëzit e mençur të familjes sime. Kur u hap fjala se i Dërgauri i Allahu a.s. i ishte afruar Medines, të gjitha shfajësimet e mia të trilluara më ikën nga mendja dhe unë e dija mirë se kurrë nuk mund të dilja nga kjo bela duke trilluar gënjeshtër, kështu që vendosa i bindur për të thënë të vërtetën. Kështu pra, i Dërguari i Allahut a.s. arriti në mëngjes. Sa herë që kthehej nga udhëtimi, para çdo gjëje ai vizitonte xhaminë, falte dy rekate namaz dhe pastaj ulej për njerëzit. Kur ai i mbaroi të gjitha këto, si zakonisht, këtë herë ata që nuk kishin marrë pjesë në këtë luftë shkuan dhe filluan t'i paraqesin atij shfajësime të trilluara dhe t'i betohen. Ata qenë pak më shumë se tetëdhjetë burra. I Dërguari i Allahut a.s. i pranoi shfajësimet e tyre, ua mori besën, iu lut Allahut që t'i falte ata dhe e la Allahun që të gjykonte të fshehtat e' zemrave të tyre. Pastaj iu afrova unë dhe, pasi e përshëndeta, ai më bëri buzëqeshjen e një njeriu të zemëruar dhe më tha: "Eja." Kështu, eca derisa u ula përballë tij. Ai më pyeti: "Ç'të ndaloi që të mos vish me ne? A nuk bleve dot ndonjë kafshë për t'i hipur?" Iu përgjigja: "Po. O i Dërguari i Allahut! Betohem për Allahun! Po të isha ulur përpara kujtdo tjetër nga gjithë njerëzit e kësaj bote, përveç teje, do ta kisha mënjanuar zemërimin e tij me një shfajësim. Për Allah, më është dhënë mundësia e shprehjes dhe e dialogut, por, për Allah, unë e di mirë se, në qoftë se sot do të të tregoj një rrenë që të kënaqesh me mua, padyshim që Allahu shumë shpejt do të të zemëronte ty me mua. Ndërsa po të të them të vërtetën, ndonëse ti do të inatosesh me mua, me këtë veprim unë shpresoj Faljen e Allahut. Për Allah, në të vërtetë nuk ka pasur asnjë pengesë a arsye. Për Allah, nuk kam qenë më i fortë dhe më i pasur sesa isha kur nuk të ndoqa ty." Pas kësaj i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Sa për këtë burrë, ky vërtet që ka thënë të vërtetën. Ngrihu derisa ta gjykojë Allahu çështjen tënde!" Unë u ngrita dhe shumë burra nga fisi Beni Selima më ndoqën nga pas dhe më thanë: "Për Allah, kurrë nuk të kemi parë më përpara që të bësh ndonjë gjynah para këtij. Vërtet që ti dështove t'i sjellësh të Dërguarit të Allahut a.s. ndonjë arsye, siç bënë të tjerët që nuk u bashkuan me të në ekspeditë dhe do të të kishte mjaftuar lutja e të Dërguarit të Allahut a.s. që Allahu ta falte gjynahun tënd." Për Allah, ata vazhduan të më fajësojnë aq shumë, saqë desha të kthehem te Pejgamberi a.s. dhe të përgënjeshtroj vetveten, por u thashë: "A ka ndonjë tjetër që ka pësuar të njëjtin fat si unë?" Ata më thanë: "Po, janë edhe dy burra të tjerë që kanë thënë si ti, dhe të dyve iu dha e njëjta përgjigje si ty." Pyeta: "Kush janë ata?" Më thanë: "Murara Ibn Rebi' Amriu dhe Hilal Ibn Umejje Vakifiu." Më përmendën kështu dy burra të përkushtuar e të shquar që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe të cilët ishin shembull i lartë për mua. Prandaj, kur më përmendën ata të dy, i qëndrova mendimit tim të parë. I Dërguari i Allahut a.s. i urdhëroi të gjithë muslimanët që të mos na flisin vetëm ne të treve, nga të gjithë ata që nuk morën pjesë në ekspeditë. Kështu, ne qëndruam larg njerëzve dhe ata ndryshuan sjelljen e tyre ndaj nesh, aq sa edhe toka në të cilën jetoja m'u bë si e huaj, si të mos e njihja fare. Kështu, ne vazhduam në atë gjendje për pesëdhjetë net. Sa për dy shokët shokët e mi, ata u mbyllën në shtëpitë e tyre duke qarë, ndërsa unë isha më i ri dhe më i qëndrueshëm se ata, prandaj dilja dhe falja namazin bashkë me muslimanët e tjerë, si dhe sillesha nëpër tregje, por askush nuk më fliste. Shkoja edhe tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i jepja selam, kur ai ulej me njerëzit pas namazit dhe thosha me vete duke dëshiruar: " A do t'i lëvizë buzët Pejgamberi a.s. që të më kthejë selamin apo jo?" Pastaj falesha afër tij dhe i hidhja ndonjë shikim vjedhurazi. Kur unë filloja të falesha, ai kthehej nga unë, por, kur unë kthehesha drejt tij, ai e kthente fytyrën në anën tjetër. Kur kjo sjellje e ashpër e njerëzve ndaj meje zgjati shumë, u nisa dhe kapërceva murin e kopështit të Ebu Katadas, djalit të xhaxhait tim dhe njeriut më të dashur për mua. E përshëndeta por, për Allah, ai nuk ma ktheu përshëndetjen. I thashë: "O Ebu Katada! Të përgjërohem për Allahun! A e di se unë e dua shumë Allahun dhe fë Dërguarin e Tij a.s.?" Ai heshti. I thashë përsëri duke iu përgjëruar për Hir të Allahut, por ai përsëri nuk foli. Iu luta për herë të tretë për Hatër të Allahut dhe më tha: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë." Prej këtu sytë më kulluan lotë dhe u ktheva derisa kalova murin. Një ditë, ndërsa po ecja nëpër tregun e Medines, papritur pashë një fshatar të krishterë nga Shami, i cili kishte ardhur të shesë drithrat e tij në Medine duke thënë: "Kush më çon tek Kab Ibn Maliku?" Njerëzit filluan t'i tregojnë atij duke bërë me shenjë nga unë, derisa erdhi tek unë dhe më dha një letër nga mbreti i Gassanit. Kur e hapa letrën, ç'të lexoj: "... Dhe më tej: Kam marrë vesh se miku yt (Pejgamberi a.s.) të ka braktisur dhe është sjellë vrazhdë me ty. Megjithatë Allahu nuk do të të lë ty të jetosh në një vend ku ndjehesh i poshtëruar dhe ku të ka humbur e drejta. Eja, pra, tek ne dhe ne do të të ngushëllojmë!" Kur e lexova thashë me vete: "Edhe kjo është një sprovë tjetër!" Pastaj e mora letrën, e futa në furrë dhe ndeza furrën me të. Pasi kishin kaluar dyzet net nga pesëdhjetë të tilla, tek unë erdhi lajmëtari i të Dërguarit të Allahut a.s. dhe më tha: "I Dërguari i Allahut a.s. të urdhëron t'i rrish larg gruas tënde." E pyeta: "A të ndahem?" Ai më tha: "Jo, vetëm rri larg saj dhe mos jeto me të." Po të njëjtin urdhër Pejgamberi a.s. ua kishte çuar edhe dy shokëve të mi. I thashë gruas sime: "Shko te familja jote dhe rri me ta, derisa Allahu të gjykojë për këtë çështje." Ndërkohë gruaja e Hilal Ibn Umejjes shkoi tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Umejje është burrë i vjetër dhe pa ndihmë, nuk ka as shërbëtor që t'i rrijë pranë. A do të të prishej qejfi, nëse unë do t'i shërbeja atij?" Ai i tha: "Jo, por ai nuk duhet të të afrohet ty." Ajo i tha: "Për Allah, ai s'ka asnjë dëshirë për asgjë! Për Allah, ai nuk ka pushuar së qari qysh kur i ndodhi ajo që i ndodhi e deri këtë ditë!" Pas kësaj disa pjesëtarë të fëmiljes sime më thanë: "Sikur edhe ti t'i kërkoje të Dërguarit të Allahut a.s. ta lejonte gruan tënde të të shërbente ashtu siç e la gruan e Hilalit t'i shërbejë atij!" U thashë: "Për Allah, nuk do t'i kërkoj leje të Dërguarit të Allahut a.s. për të. Ku ta di unë, se çdo të më thotë i Dërguari i Allahut a.s. nëse i kërkoj atij që ta lejojë atë të më shërbejë mua, ndërsa unë jam burrë i ri". Më pas, unë mbeta në atë gjendje edhe për dhjetë net të tjera, derisa u bënë plot pesëdhjetë net, qysh kur i Dërguari i Allahut a.s. i kishte ndaluar njerëzit të na flisnin. Pasi fala namazin e Agimit mëngjesin e natës së pesëdhjetë, hipa në çati në një nga shtëpitë tona dhe qëndroja ulur në atë gjendje të cilën Allahu e përshkruan në Kuran. M'u ngushtua shumë vetja, madje edhe toka më dukej e ngushtë me gjithë hapësirën e saj. Atëherë dëgjova zërin e dikujt që ishte ngjitur në kodrën Sab, duke thirrur me zë të lartë sa mundte: "O Kab Ibn Malik! Gëzohu!" Menjëherë rashë në sexhde përpara Allahut i bindur se tashmë vërtet kishte ardhur çlirimi. I Dërguari i Allahu a.s. kishte njoftuar se Allahu e kishte pranuar pendimin tonë kur kishte qenë duke falur namazin e Agimit. Pastaj njerëzit dolën të na urojnë. Disa përgëzues shkuan tek dy shokët e mi, ndërsa një kalorës nxitoi të vinte tek unë. Në të njëjtën kohë dikush nga fisi Beni Eslem erdhi mbi kalë dhe u ngjit në mal. Sigurisht që zëri i tij ishte më i shpejtë se kali. Kur erdhi për të më përgëzuar ai që ia dëgjova zërin, hoqa këmishën dhe xhyben time dhe ia vesha atij për lajmin e gëzuar që më solli. Për Allah, atë ditë nuk kisha rroba të tjera përveç atyre të dyjave. Pastaj mora hua dy rrobe të tjera, i vesha dhe u nisa drejt e tek i Dërguari i Allahu a.s.. Njerëzit më prisnin grupe- grupe, duke më uruar për faktin që Allahu e kishte pranuar pendimin tim. Ata thoshin: "Të urojmë që Allahu ta pranoi pëndimin." Kur hyra në xhami, pashë të Dërguarin e Allahut a.s. të ulur mes njerëzve. Talha Ibn Ubejdilahu erdhi shpejt drejt meje, më shtrëngoi dorën dhe më uroi. Për Allah, asnjë nga muhaxhirët nuk u ngrit të vinte tek unë, përveç atij dhe unë kurrë nuk do t'ia harroj atë Talhasë. Kur e përshëndeta të Dërguarin e Allahut a.s., ai më tha me fytyrë që shkëlqente nga gëzimi: "Gëzohu në ditën më të mirë që ke kaluar qysh kur të ka lindur nëna!" I thashë Pejgamberit a.s.: "A është kjo falje prej teje, o i Dërguari i Allahut, apo nga Allahu?" Ai më tha: "Jo, është nga Allahu." Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. gëzohej, fytyra e tij ndriçonte si të ishte një copë hëne dhe ne të gjithë e dinim këtë cilësi të tij. Kur u ula përpara tij, i thashë: "O i Dërguari i Allahut, për arsye se Allahu e pranoi pendimin tim, unë do ta jap gjithë pasurinë time sadaka për Hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Allahut." I Dërguari i Allahut a.s. më tha: "Mba diçka nga pasuria jote. Kjo është më mirë për ty." Thashë: "Atëherë do të mbaj për vete hisen time të Hajberit"-, dhe shtova: "O i Dërguari i Allahut! Në të vërtetë, Allahu më shpëtoi për shkak të sinqeritetit tim, kështu që pjesë e pendimit tim është që të flas vetëm të vërtetën sa të jem gjallë." Për Allah! Nuk njoh askënd tjetër nga muslimanët që Allahu ta ketë ndihmuar për të thënë të vërtetën, sesa ç'më ka ndihmuar mua, qysh kur unë ia thashë atë të vërtetë të Dërguarit të Allahut a.s.! Prandaj, qysh atëherë e deri më sot, kurrë nuk kam menduar të gënjej. Shpresoj që Allahu të më ruajë prej saj edhe në këtë pjesë jete që më ka mbetur. Në këtë mënyrë Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij a.s. ajetin: "Allahu e ka falur Pejgamberin (a.s.), muhaxhirët dhe ensarët të cilët ... dhe jini me ata që janë të vërtetë (në fjalë e në vepra)." (Kuran, 9:117-119) Për Allah! Kurrë Allahu nuk më ka dhuruar mirësi më të madhe, përveç udhëzimit tim në Islam, sesa sinqeriteti im ndaj të Dërguarit të Allahut a.s., të cilin nuk e mashtrova. Gënjeshtra do të më kishte sjellë shkatërrimin, ashtu siç u shkatërruan ata që gënjyen, sepse Allahu i përshkroi ata që mashtruan me cilësitë më të këqija që Ai ka përshkruar ndokënd tjetër, kur zbriti ajetet: "Kur të ktheheni tek ata, do t'ju betohen për Allahun që t'i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre. Ata do t'ju betohen që të jeni të kënaqur me ta. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ta, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur." (Kuran, 9:95-96). Kurse ne të tre ndryshonim plotësisht nga ata, arsyet e të cilëve i Dërguari i Allahut a.s. i pranoi pas betimit të tyre. I Dërguari i Allahut a.s u mori atyre besën dhe iu lut Allahut cjë Ai t i falte ata, ndërsa çështjen tonë e la pezull, derisa për të gjykoi Allahu. Dhe tamam për këtë Allahu thotë: "Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë" (Kuran, 9:118) Ajo që thotë Allahu në këtë ajet nuk bën fjalë për faktin që ne nuk morëm dot pjesë në luftë, por e ka fjalën për vonesën nga Pejgamberi a.s. për të gjykuar për çështjen tonë dhe për ta dalluar atë nga çështja e atyre, të cilët iu betuan atij dhe ai i fali ata duke ua pranuar atyre shfajësimet dhe arsyet që paraqitën." (4418)
1700.
Ebu Bekra r.a. tregon: "Gjatë ditëve të luftës së Xhemelit Allahu më dhuroi shumë dobi nga një fjalë që e kisha dëgjuar nga i Dërguari i Allahut a.s., pasi për pak sa nuk u bashkova me grupimin e Xhemelit (të devesë) dhe të luftoja përkrah tyre. Kur i Dërguari i Allahut a.s. mori vesh se persianët kurorëzuan mbretëreshë bijën e Kisras tha: "Ai popull që ia lë sundimin e vet në dorë një gruaje, kurrë nuk do të ketë sukses e mbarëvajtje." (Ebu Bekra nuk luftoi në anën e grupit të Xhemelit, pasi ajo ushtri udhëhiqej nga një grua, Aishja r.a.) (4425)
1701.
Aishja r.a. tregon se, gjatë sëmundjes në të cilën ndërroi jetë, Pejgamberi a.s. i thirri Fatimes r.a. dhe i tha asaj diçka fshehtas, ndërsa ajo filloi të qajë. Pastaj ai e thirri atë përsëri dhe i tha diçka fshehurazi dhe ajo filloi të qeshë. Ne e pyetëm atë për këtë dhe ajo na tha: "Pejgamberi a.s. më foli fshehtas dhe më tha se ai do të jepte shpirt në atë sëmundje që ai vdiq, kështu që unë qava; pastaj më foli përsëri fshehtas dhe më bëri të ditur se unë do të jem e para nga familja e tij që do t'i shkoj pas atij, kështu që unë qesha." (4433, 4434)
1702.
Aishja r.a. tregon: "Shpesh e dëgjoja Pejgamberin a.s. të thoshte se asnjë Pejgamber nuk vdes derisa t'i jepet e drejta të zgjedhë ndërmjet jetës së dynjasë ose jetës së Ahiretit. Kështu, gjatë sëmundjes në të cilën ai ndërroi jetë, unë e kam dëgjuar atë të thoshte me zërin që po i ngjirej: "Në shoqërinë e atyre mbi të cilët Allahu ka derdhur Mirësinë e Tij ..." (Kuran, 4:69). Kjo më bëri të mendoj se edhe atij po i jepej e drejta të zgjidhte." (4435)
1703.
Aishja r.a. tregon: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. ishte i shëndoshë, gjithnjë thoshte: "Nuk ka ndodhur kurrë që t'i merret shpirti ndonjë Pejgamberi pa e parë vendin e tij në Xhenet, pastaj i jepet jetë ose i lihet të zgjedhë." Kur Pejgamberi a.s. u sëmur dhe iu afruan çastet e fundit, kur do t'i merrej shpirti, ai i humbi ndjenjat me kokën e vënë në këmbën time. Sapo erdhi në vete, e përqendroi shikimin lart nga çatia e shtëpisë, pastaj tha: "O Allah! Me shokët më të lartë!" Atëherë thashë me vete: 'Pra, ai nuk do të rrijë më me ne!' Pastaj e kuptova se kjo gjendje e tij ishte tamam vërtetim i fjalës së tij që ai gjithnjë na e përsëriste kur ishte shëndoshë." (4437)
1704.
Aishja r.a. tregon: "Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. sëmurej, ai i frynte vetes (duarve), duke kënduar muavvidhatet (dy suret e fundit të Kuranit: Kul eudhu birabi-bilfelek dhe Kul eudhu birab-bin-nas), pastaj fërkonte trupin me duar. Kur e kapi sëmundja prej së cilës ai ndërroi jetë, fillova unë t'ia këndoj ato dy sure që ai i këndonte gjithnjë. Pastaj e merrja dorën e Pejgamberit a.s. e ia kaloja lehtë mbi trupin e tij." (4439)
1705.
Aishja r.a. tregon: "Dëgjova Pejgamberin a.s. para se të vdiste, ndërsa shpinën e kishte mbështetur tek unë, të thoshte: "O Allah! Më fal, më mëshiro dhe më bashko me shoqërinë më të lartë!" (4440)
1706.
Aishja r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. vdiq duke qenë i mbështetur në kraharorin tim. Kështu që tani asnjëherë nuk më shqetëson agonia e vdekjes së askujt tjetër pas Pejgamberit a.s.." (4446)
1707.
Ibn Abbasi r.a. tregon: Aliu r.a. doli nga shtëpia e të Dërguarit të Allahut a.s. gjatë sëmundjes së tij në të cilën ai ndërroi jetë, dhe njerëzit e pyetën: "O Ebu Hasan! Si u gdhi sot i Dërguari i Allahut?" Ai u tha: "Me Mëshirën e Allahut është përmirësuar." Pastaj Abbasi (xhaxhai i Pejgamberit a.s.) e kapi për dore dhe i tha: "Për Allah që pas tri ditësh do të udhëhiqesh nga dikush tjetër. Për Allah, unë e ndiej se i Dërguari i Allahut a.s. do të vdesë pikërisht nga kjo sëmundje që e ka kapur. Unë e di mirë si duken fytyrat e bijve të Abdul-Muttalibit në prag të vdekjes. Hajde pra të shkojmë tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe ta pyesim se kujt do t'i mbetet Kalifati. Në qoftë se do të na jepet neve, atëherë do ta dimë këtë gjë dhe, në qoftë se do të jetë i dikujt tjetër, atëherë txi themi që ai ta këshillojë sunduesin e ri që të kujdeset për ne." Aliu i tha: "Për Allah! Në qoftë se ne ia kërkojmë Kalifatin të Dërguarit të Allahut a.s. dhe ai nuk na e jep atë neve, atëherë njerëzit nuk do të na e japin më atë kurrë pas tij. Dhe unë, për Allah, nuk do t'ia kërkoj atë të Dërguarit të Allahut a.s/' (4447)
1708.
Aishja r.a. tregon: "Një nga mirësitë e Allahut për mua ka qenë edhe fakti se i Dërguri i Allahut a.s. vdiq në shtëpinë time, ditën e rradhës sime, i mbështetur në kraharorin tim dhe se Allahu bëri që pështyma ime të bashkohet me pështymën e tij në çastet e vdekjes së tij. Në ato çaste hyri tek unë Abdurr-Rrahmani (vëllai im), duke mbajtur në dorë kishte një shkop sivaku. Unë po mbaja në kraharor të Dërguarin e Allahut a.s. dhe vura re se ai po vështronte Abdurr-Rrahmanin. Nga kjo kuptova se ai donte sivakun dhe i thashë: "A t'ia marr atë për ty?" Ai bëri me kokë në shenjë pranimi. Kështu që unë e zbuta atë në gojën time, pastaj ai (a.s.) pastroi dhëmbët e vet me të. Përballë tij ishte një vorbë a një ibrik me ujë. Ai filloi të fusë duart në të dhe me to fërkonte fytyrën duke thënë: "Laa ilahe il-Allah - Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet, përveç Allahut! Vërtet që vdekja ka agonitë e veta!" Pastaj ngriti dorën lart dhe filloi të përsërisë: "Në shoqërinë më të lartë!" derisa iu mor shpirti dhe i ra dora. (4449)
1709.
Aishja r.a. tregon: "Gjatë sëmundjes së Pejgamberit a.s., ne i futëm atij ilaç në njërën atë të gojës. Atëherë ai filloi të na e bëjë me shenjë duke dashur të thotë: "Mos më futni bar në gojë". Ne thamë: "I sëmuri gjithnjë i urren barnat." Kur u përmirësua dhe u ndie pak më mirë, ai tha: "A nuk ju ndalova të më shtini bar në gojë?" Ne i thamë: "(Menduam si për të gjithë), ngaqë i sëmuri i ka inat barnat." Ai tha: "Të gjithë juve që jeni në dhomë futni ilaç në gojë duke ju parë unë, përveç Abbasit, pasi ai nuk ju ka parë se ç'më bëtë mua!" (4458)
1710.
Enesi r.a. tregon: "Kur Pejgamberit a.s. iu rëndua sëmundja dhe humbi ndjenjat, Fatimja (e bija) tha: "Oh, sa dhimbje për babain tim!" Ai i tha: "Nuk ka më dhimbje për babanë tënd pas kësaj dite!" (4462)
1711.
Aishja r.a. thotë se
I Dërguari i Allahut a.s. vdiq në moshën 63 vjeç.
|