Kapitulli: 1032. Çfarë u jepfe Pejgamberi a.s. atyre muslimanëve me besim të dobët dhe muslimanëve të tjerë nganjë e pesta ose nga burime të tjera
1331.
Enesi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Unë u jap (pasuri) kurejshëve që t'ua tërheq zemrat dhe që të kapen fort pas Islamit, sepse ata janë shumë afër kohës së errësirës dhe padijes para-islame." (3146)
1332.
Enesi r.a. tregon se, kur Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij pasuri nga fisi Havazin, si plaçkë të fituar pa luftë, ai filloi t'u japë disa Kurejshëve deri në njëqind deve për njeri. Atëherë disa ensarë thanë për të Dërguarin e Allahut a.s.: "Allahu e faltë të Dërguarin e Tij! Po u jep kurejshëve dhe po na lë neve, ndërkohë që shpatat tona akoma po pikojnë gjak (nga lufta me femohuesit)!" Kur të Dërguarit të Allahut a.s. ia treguan këtë fjalë, ai dërgoi një lajmës tek ensarët për t'i mbledhur ata në një tendë lëkure dhe nuk thirri askënd tjetër përveç tyre. Kur ata u mblodhën, i Dërguari i Allahut a.s. hyri mes tyre dhe u tha: "Ç'është ajo fjalë që mora vesh se keni thënë?" Të mençurit e tyre thanë: "Për sa u përket njerëzve me mend midis nesh, ata nuk kanë thënë gjë, o i Dërguari i Allahut!,/ Pastaj tregohet hadithi i plotë. (Shih hadithin nr. 1673) (3147)
1333.
Xhubejr Ibn Mutimi r.a. tregon: "Isha me të Dërguarin e Allahut a.s. në shoqërinë e një grupi njerëzish, duke u kthyer nga Hunejni. Atëherë beduinët nuk iu ndanë të Dërguarit të Allahut a.s. duke i kërkuar plaçka, aq sa e detyruan të hynte nën një akacie në shkretëtirë, ku ia morën edhe ridain (copë që hidhet krahëve dhe mbulohet me të gjysma lart e trupit). Pas kësaj i Dërguari i Allahut a.s. qëndroi dhe u tha: "Ma ktheni ridain. Po të kisha aq deve sa gjithë këto pemë, do t'i kisha ndarë ndërmjet jush; pastaj ju nuk do të më gjeni mua as kurrnac, as gënjeshtar dhe as frikacak." (3148)
1334.
Enesi r.a. tregon: "Kur po ecja me Pejgamberin a.s., i cili kishte veshur një xhybe nexhranije me anë të kthyera trashë, një beduin iu sul atij e ia tërhoqi aq fort xhyben sa pashë rrethin e kthyer të xhybes ta presë shpatullën e Pejgamberit a.s. e shkaktuar nga forca që ia tërhoqi beduini. Pastaj beduini i tha: "Urdhëro (që të më japin mua) diçka nga pasuria e Allahut që ke." Pejgamberi a.s. u kthye nga ai dhe qeshi, pastaj urdhëroi që t'i jepnin atij diçka si dhuratë." (3149)
1335.
Ibn Mesudi r.a. tregon: "Ditën e Hunejnit Pejgamberi a.s. u dha përparësi disa njerëzve në shpërndarjen e plaçkës së luftës (duke përjashtuar disa të tjerë). Kështu, ai i dha Akra Ibn Habisit njëqind deve, edhe Ujejnes i dha po aq; u dha edhe disa të tjerëve nga paria e shquar e arabëve, duke i vlerësuar më shumë në këtë drejtim. Pastaj atij i shkoi një burrë dhe i tha: "Për Allah, kjo është një ndarje ku nuk është mbajtur aspak drejtësi dhe nuk është pasur si qëllim Fytyra e Allahut!,/ I thashë: "Për Allah që do t'ia tregoj Pejgamberit a.s. (atë që the)." Kështu, unë shkova e i tregova atij dhe ai tha: "E kush tjetër do të vepronte me drejtësi, në qoftë se nuk do të vepronte me drejtësi Allahu apo i Dërguari i Tij?! Allahu e mëshiroftë Musanë, sepse ai u lëndua më shumë se kaq, megjithatë ai bëri durim." (3150)
|