Kapitulli: 1049. Përshkrimi i Zjarrit (Xhehenemit) dhe fakti se ai është i krijuar (dhe ekziston qysh tani)
1381.
Tregon Aishja r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ethet janë nga nxehtësia e Zjarrit të Xhehenemit, kështu që i lehtësoni ato duke i ftohur me ujë." (3263)
1382.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Zjarri (që ju përdorni) është një e shtatëdhjeta pjesë e Zjarrit të Xhehenemit." Dikush tha: "O i Dërguari i Allahut, edhe ky sikur të ishte, do të mjaftonte (për të ndëshkuar mosbesimtarët)." Ai a.s. tha: "Zjarri (i Xhehenemit) ka edhe 69 pjesë më tepër sesa zjarri i zakonshëm dhe secila pjesë është e nxehtë sa ky zjarr." (3265)
1383.
Usama r.a. tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë: "Ditën e Kiametit një njeri do të sillet dhe do të hidhet në Zjarr. Atij do t'i nxirren zorrët dhe do të sillet rrotull siç sillet gomari rreth gurit të mullirit (ose si kali që shin në lëmë). Banorët e Zjarrit do të mblidhen rrotull tij e do t'i thonë: 'O filan. Ç'është kështu me ty? A nuk ishe ti që na urdhëroje të mirën dhe na e ndaloje të keqen?!' Ai do t'u përgjigjet: 'Po, unë vërtet që ju urdhëroja të mirën, por nuk e zbatoja atë vetë dhe ua ndaloja të keqen, por e veproja vetë'." (3267)
|