Kapitulli: 1078. Ngjarja si u bë musliman Ebu Dherri r.a.
1470.
Ebu Xhemra tregon se Ibn Abbasi r.a. i ka thënë: "A t'ju tregoj se si hyri në Islam Ebu Dherri r.a.?" I thanë që po. Ai vazhdoi: "Ebu Dherri r.a. ka thënë: "Isha njëri nga burrat e fisit Gifar. Dëgjuam se në Mekë kishte dalë një njeri, i cili thoshte se ishte Pejgamber. Kështu i thashë vëllait tim: "Shko tek ai burrë, fol me të dhe trego." Ai shkoi dhe e takoi, pastaj u kthye. E pyeta vëllanë tim: "Ç'lajme na solle?" Ai më tha: "Për Allah! Pashë një burrë që e urdhëron të mirën dhe e ndalon të keqen." I thashë: "Nuk më ke kënaqur me kaq pak fjalë",- kështu që mora një kacek me ujë, një shkop dhe u nisa për Mekë. Unë nuk e njihja atë (Pejgamberin a.s.) dhe nuk desha të pyes askënd për të. Kështu vazhdova të pi ujë Zemzemi dhe të qëndroj në xhami, kur më kaloi pranë Aliu dhe më pyeti: "Dukesh si i huaj?" I thashë që po dhe ai u nis për në shtëpi. Unë i shkova pas. As ai nuk më pyeti për ndonjë gjë, as unë nuk i tregova gjë. Të nesërmen në mëngjes shkova në xhami për të pyetur për Pejgamberin a.s., por askush nuk më tha asgjë për të. Aty pranë më kaloi përsëri Aliu dhe më pyeti: "Akoma nuk e di burri vendin e vet të bujtjes?" I thashë që jo. Ai më tha që t'i shkoja pas atij. Më pyeti: "Ç'punë ke dhe ç'të ka sjellë në këtë qytet?" I thashë: "Në qoftë se ma mban sekretin do të ta tregoj." Më tha: "Sigurisht që do ta mbaj." I thashë: "Kemi marrë vesh se mu këtu ka dalë një burrë, i cili thotë se është Pejgamber. Dërgova vëllanë tim që të flasë me të dhe u kthye, por nuk më solli lajme bindëse, kështu që desha ta takoj vetë atë." Aliu më tha: "Ia ke arritur qëllimit tënd. Tani po shkoj tek ai. Ec pas meje dhe kudo që të hyj unë, hyr pas meje. Nëse do të shoh ndokënd që mund të të sjellë ty ndonjë shqetësim, atëherë do të ndaloj pas muri, duke bërë sikur po rregulloj këpucët, ndërsa ti ik." Kështu, ai vazhdoi rrugën dhe unë e ndoqa pas, derisa ai hyri në një vend dhe unë hyra pas tij te Pejgamberi a.s.. I thashë atij: "Ma trego Islamin." Kur ma paraqiti atë, unë menjëherë e pranova. Ai më tha: "O Ebu Dherr! Mbaje të fshehtë Islamin tënd dhe shko në vendin tënd. Kur të dëgjosh për fitoren tonë, atëherë kthehu tek ne." I thashë: "Për Atë i Cili të ka dërguar ty me të Vërtetën! Unë do ta shpall hapur Islamin tim mes tyre (mohuesve)!’ Kështu Ebu Dherri shkoi në xhami, ku kishte shumë kurejshë dhe thirri: "O kurejshë! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij." Kur e dëgjuan këtë kurejshët thirrën: "Ngrihuni kundër këtij të muslimanizuari!"Ata u ngritën dhe më rrahën për vdekje. Abbasi më pa dhe u hodh mbi mua për të më mbrojtur, pastaj iu kthye atyre dhe u tha: "O të mjerë! Doni të vrisni një burrë nga fisi Gifar, ndonëse tregtia juaj dhe ndërlidhjet tuaja kalojnë nga tokat e Gifarëve?!" Kështu ata më lanë. Mëngjesin tjetër u ktheva përsëri dhe thirra ashtu ,siç bëra ditën e parë. Kurejshët përsëri thanë: "Ngrihuni kundër këtij të muslimanizuari!",- duke më rrahur si ditën e parë. Përsëri me gjeti Abbasi, i cili u hodh mbi mua për të më mbrojtur, ndërsa Kurejshëve u tha të njëjtat fjalë." "Kështu pra, qe fillimi, si Ebu Dherri e pranoi Islamin" - na rrëfeu Ibn Abbasi". (3522)
|