Kapitulli: 1085. Cilësitë e Pejgamberit a.s.
1479.
Ukba Ibn Harithi r.a. tregon: "Një ditë Ebu Bekri r.a. fali namazin e pasdites. Pastaj doli dhe po ecte në këmbë, kur pa Hasanin që po luante me fëmijët. Ai e vuri atë në sup dhe tha: "U bëfshin kurban prindërit e mi për ty! Ti i ngjason krejt Pejgamberit a.s. dhe jo Aliut",- ndërsa Aliu qeshte." (3542)
1480.
Ebu Xhuhejfa r.a. tregon: "E kam parë Pejgamberin a.s. dhe Hasanin, të birin e Aliut, t'i ngjasonte krejt atij." Përcjellësi i dytë i hadithit, Ismaili, i thotë Ebu Xhuhejfas: "Pa ma përshkruaj mua." Ai vazhdoi: "Ai ishte i bardhë dhe mjekrën e kishte të zezë me pak qime të bardha. Ai na premtoi të na jepte 13 deve të reja, por Allahu e mori atë para se të marrim ne devetë." (3544)
1481.
E pyetën Abdullah Ibn Busrin r.a.: "A e pate parë Pejgamberin a.s. kur qe në moshë të madhe?" Ai tha: "Ai a.s. kishte pak qime të bardha në mjekër (nën buzën e poshtme)." (3546)
1482.
Enesi r.a. e përshkruan kështu Pejgamberin a.s.: "Ai a.s. ka qenë me trup mesatar, jo shumë i gjatë dhe jo i shkurtër, me (lëkurë) ngjyrë trëndafili të çelur, jo krejt i bardhë dhe jo aq zeshkan; flokët nuk i kishte krejt kaçurrela dhe jo aq të drejta. Shpallja Hyjnore i zbriti kur qe 40 vjeç. Ai qëndroi në Mekë duke marrë Shpallje Hyjnore për dhjetë vjet dhe në Medine edhe për dhjetë vjet të tjera. Kur vdiq, nuk kishte në kokë dhe në mjekër më shumë se njëzet qime të bardha. (Shih edhe hadithin nr. 1580) (3547)
1483.
Enesi r.a., duke përshkruar Pejgamberin a.s., tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. nuk ka qenë shumë i gjatë dhe jo i shkurtër, jo krejt i bardhë dhe jo aq zeshkan. Flokët nuk i kishte as kaçurrela dhe as të drejta. Allahu e dërgoi atë (Pejgamber) kur qe dyzet vjeç. Më pas ai qëndroi në Mekë për dhjetë vjet dhe në Medine për dhjetë vjet të tjera. (Shih hadithin nr. 1580) Kur e mori Allahu nuk i kishte njëzet qime të bardha në kokë dhe në mjekër."
1484.
Berau r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. ka qenë më i pashmi i gjithë njerëzve (në fytyrë) dhe me trupin më të mirë, as shumë i gjatë dhe as i shkurtër.
1485.
Enesin r.a. e pyetën nëse Pejgamberi a.s. i lyente flokët. Ai iu përgjigj: "Jo, sepse ai ka patur vetëm fare pak qime të bardha tek tëmthat në dy anët e kokës." (3550)
1486.
Berau r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. ka qenë me gjatësi mesatare, me shpatulla të gjera dhe me flokë të gjata që i mbërrinin deri tek bulat e veshëve. E pashë një herë me një xhybe të kuqe dhe nuk kisha parë kurrë njeri më të pashëm se ai!" (3551)
1487.
Beraun e pyetën: "A ka qenë fytyra e Pejgamberit (e shndritshme) si shpata?" Ai u tha: "Jo, por si hëna." (3552)
1488.
Ebu Xhuhejfa r.a. tregon se e ka parë një herë Pejgamberin a.s. në Bat'ha duke u falur (në namazin e drekës), ndërsa përpara kishin ngulur një heshtë. (hadithi 313) Në këtë tregim ai shton: "Pas namazit njerëzit u ngritën dhe i kapën duart Pejgamberit a.s. pastaj i fërkonin fytyrat e tyre me to. Edhe unë ia mora dorën dhe e vura në fytyrën time. Vura re se ajo ishte më e ftohtë se akulli dhe me erë më të mirë se sa misku." (3553)
1489.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Unë jam dërguar (si Pejgamber) në brezin më të mirë të të gjithë brezave të pasardhësve të Ademit, qysh nga krijimi i tyre (e deri në fund)". (3557)
1490.
Ibn Abbasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. i linte flokët t'i vareshin; kështu bënin edhe ndjekësit e Librave të Parë, ndërsa mosbesimtarët i ndanin ato. I Dërguari i Allahut a.s. pëlqente që të ndiqte ithtarët e Librave të Parë në ato çështje për të cilat nuk i kishte ardhur ndonjë udhëzim. Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. i ndau flokët. (3558)
1491.
Abdullah Ibn Amr r.a. tregon se Pejgamberi a.s. nuk ishte që përdorte gjuhë të rëndë, nuk përdorte as fjalë të këqija dhe as fjalë të turpshme, por gjithnjë thoshte: "Më i miri prej jush është ai që ka sjelljen më të mirë dhe karakterin më të lartë." (3559)
1492.
Aishja r.a. tregon se, sa herë që të Dërguarit të Allahut a.s. i jepej mundësia e zgjedhjes ndërmjet dy çështjeve, ai zgjidhte më të lehtën e të dyjave, nëse ajo nuk përbënte gjynah. Por, në qoftë se ajo përbënte gjynah, atëherë ai ishte njeriu që qëndronte më larg asaj. I Dërguari i Allahut a.s. kurrë nuk u hakmor për çështjet e tija vetjake, por vetëm kur cenoheshin Ligjet dhe Detyrimet e Allahut. Atëherë ai hak- merrej për to për Hir të Allahut. (3560)
1493.
Enesi r.a. tregon: "Unë kurrë nuk kam prekur asnjë lloj mëndafshi më të butë sesa dora e Pejgamberit a.s. dhe as nuk kam marrë erë parfumi më të këndshme sesa djersa e Pejgamberit a.s.." (3561)
1494.
Ebu Said Hudriu r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ishte më i turpshëm se një virgjërgjëreshë e mbuluar dhe, në qoftë se nuk i pëlqente diçka, atëherë do të kuptohej (mospëlqimi) në fytyrën e tij." (3562)
1495.
Hadithi me këtë numër është fshier për shkak të përsëritjes.
1496.
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk qortoi asnjë ushqim (që i vihej përpara), por e hante atë, në qoftë se i pëlqente, përndryshe e linte (por pa shprehur mospëlqim për të). (3563)
1497.
Aishja r.a. tregon se Pejgamberi a.s. fliste aq qartë saqë, në qoftë se dikush donte t'ia numëronte fjalët, do ta bënte lehtë një gjë të tillë." (3567)
1498.
Urva tregon se Aishja r.a. i ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. kurrë nuk fliste kaq shpejt dhe kaq turbull siç bëni ju." (3568)
|