Kapitulli: 1120. Vlerat e çmuara të Ebu Talhas r.a.
1570.
Enesi tregon r.a.: "Ditën e Luftës së Uhudit njerëzit ia mbathën duke e lënë Pejgamberin a.s., ndërsa Ebu Talha e mbronte nga përpara Pejgamberin a.s. me mburojën e tij. Ebu Talha qe harkëtar i fuqishëm dhe me përvojë dhe gjithnjë e mbante harkun të fortë e të shtrirë mirë. Atë ditë ai theu dy a tri harqe. Në qoftë se dikush kalonte aty pranë me ndonjë çantë me shigjeta, Pejgamberi a.s. i thoshte atij që t'ia zbrazte ato Ebu Talhas. Kur Pejgamberi a.s u ngriti për të parë armikun, Ebu Talha i tha atij: "O Pejgamberi i Allahut! Le të bëhen kurban prindërit e mi për ty! Mos u ngri aq sa të dukesh së mos të godet ndonjë shigjetë e armikut! Le të gjakoset qafa ime dhe gjoksi im në vendin tënd." Atë ditë pashë Aishen, bijën e Ebu Bekrit dhe Umm Sulejmin të ngrinin fustanet, aq sa u dukeshin rrathët zbukurues në kyçet e këmbëve, duke mbajtur në krahë kacekët me ujë për t'ua zbrazur në gojë njerëzve të etur. Pastaj shkonin për t'i mbushur përsëri dhe ktheheshin për të derdhur ujë në gojët e njerëzve të etur. Atë ditë Ebu Talhës i ra shpata nga dora dy a tri herë." (3811)
|