Kapitulli: 1133. Martesa e Pejgamberit a.s. me Aishen r.a., mbërritja e saj në Medine dhe konsumimi i martesës
1591.
Aishja r.a. tregon: "Akti i martesës sime me Pejgamberin a.s. u shkrua kur unë isha vajzë gjashtë vjeçe. Ne mbërritëm në Medine dhe qëndruam te fisi Beni Harith Ibn Hazrexh. Pastaj unë u sëmura dhe më ranë flokët. Më vonë flokët m'u rritën përsëri. Ndërsa po luaja në një kolovajzë me disa shoqe të mia, erdhi tek unë nëna ime, Umm Ruman dhe më thirri. Unë shkova tek ajo pa e ditur se ç'kërkonte të bënte me mua. Ajo më mori për dore dhe, kur arritëm tek dera e shtëpisë, më ndaloi. Unë me zor po merrja frymë. Kur e mora veten dhe po merrja frymë më lehtë, ajo mori pak ujë dhe më fërkoi fytyrën dhe kokën. Pastaj më futi në shtëpi. Aty brenda pashë disa gra nga ensarët të cilat thanë: 'Qoftë për hajr me Bekimet e Allahut dhe me fat të lumtur!' Pastaj ajo më besoi tek ato të cilat më bënë nuse. Pastaj papritur erdhi tek unë i Dërguari i Allahut a.s. paradite dhe nëna ime me dorëzoi tek ai. Atëherë unë isha vashë nëntë vjeçe." (3894)
1592.
Aishja r.a. tregon se Pejgamberi a.s. i ka treguar asaj: "Më je shfaqur dy herë në ëndërr. Të pashë të pikturuar në një copë mëndafshi dhe një zë më foli: 'Kjo është bashkëshortja jote'. Kur zbulova pikturën, të pashë ty vetë! Thashë: 'Në qoftë se kjo (ëndërr) është nga Allahu, Ai do ta përmbushë atë'." (3895)
|