Kapitulli: 1141. Vrasja e Ebu Xhehlit
1602.
Enesi r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. tha (gjatë betejës së Bedrit): "Kush shkon të shikojë se ç'i ka ndodhur Ebu Xhehlit?" Ibn Mesudi shkoi dhe pa se dy djemtë e Arfait e kishin goditur për vdekje (dhe ai ishte në frymën e fundit). Ibn Mesudi e pyeti. "A ti je Ebu Xhehli?"- dhe e kapi atë për mjekre. Ebu Xhehli i tha: " A ka më lart se ai që keni vrarë, ose se ai të cilin e ka vrarë populli i vet?" (3962)
1603.
Ebu Talha r.a. tregon: "Ditën e Bedrit, Pejgamberi a.s. urdhëroi që kufomat e njëzet e katër vetave nga paria e kurejshëve të hidheshin në një nga puset e ndyrë të tharë të Bedrit. Pejgamberi a.s. e kishte zakon që, sa herë që fitonte mbi ndonjë armik, ai qëndronte në fushën e betejës për tri net. Kështu, ditën e tretë të Luftës së Bedrit, ai urdhëroi që t'ia shalonin devenë e tij. Pastaj u nis, duke nxitur devenë. Shokët e tij e ndoqën nga pas dhe po thoshin mes tyre: "Padyshim që nuk po nxiton, veçse për ndonjë arsye të madhe." Kur arriti në buzë të pusit, filloi t'i thërrasë paganët kurejshë me emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre: "O filan, i biri i filanit! O filan, i biri i filanit! A do të ishit kënaqur sikur t'i ishit bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Ne sigurisht që e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë. Po ju a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?" Umeri i tha: "O i Dërguari i Allahut! A po u flet trupave pa shpirt?!" I Dërguari i Allahut a.s. i tha: "Për Atë, në Duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Ju nuk e dëgjoni atë që them unë më mirë se ç'e dëgjojnë ata!" (3976)
|