Kapitulli: 1165. Ku e vendosi Pejgamberi a.s. flamurin ditën e çlirimit të Mekës?
1662.
Urva Ibn Zubejri r.a. tregon: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. u nis drejt Mekës vitin e çlirimit të saj dhe ky lajm u mbërriti kurejshëve, Ebu Sufjani, Hakim Ibn Hizami dhe Budejl Ibn Verka dolën për të mbledhur të dhëna për të Dërguarin e Allahut a.s.. Ata vazhduan rrugën derisa arritën në Merre Dhahran afër Mekës, kur ç'të shohin! Aq shumë zjarre si të ishin zjarret e Arafatit! Ebu Sufjani tha: "Ç'janë këta?! Sikur të jenë zjarret e Arafatit?!" Ndërsa Budejli tha: "Janë zjarret e fisit Beni Amr." Ebu Sufjani ia ktheu: "Beni Amrët janë më pak se kaq." Ndërkohë disa roje të të Dërguarit të Allahut a.s. i panë dhe iu afruan pranë, pastaj i kapën dhe i çuan tek i Dërguari i Allahut a.s.. Aty Ebu Sufjani pranoi Islamin. Ndërsa Pejgamberi a.s. vazhdoi më tej, i tha Abbasit: "Mbaje Ebu Sufjanin në majë të malit që të mund t'i shohë muslimanët." Kështu Abbasi e mbajti Ebu Sufjanin aty, ndërsa fiset me Pejgamberin a.s. filluan të kalojnë grupe-grupe para Ebu Sufjanit. Kaloi një grup luftëtarësh dhe Ebu Sufjani pyeti: "O Abbas, kush janë këta?" Abbasi i tha: "Këta janë fisi Benu Gifar."Ebu Sufjani tha: "S'kam të bëj gjë me Benu Gifarët." Kur kaloi grupi i fisit Xhuheina dhe ai tha të njëjtat fjalë. Po kështu tha edhe kur kaloi grupi i fisit Saad Ibn Huzeim. Pastaj kaloi grupi i fisit Suleim dhe ai prapë përsëriti të njëjtat fjalë, derisa, kur kaloi një grup ndryshe nga ç'kishte parë më pare, pyeti: "Kush janë këta?" Abbasi i tha: "Këta janë ensarët të udhëhequr nga Saad Ibn Ubada, ai që mban flamurin." Saad Ibn Ubada thirri: "O Ebu Sufjan! Sot është dita e betejës së madhe dhe sot, ajo që është e ndaluar në Qabe, do të jetë e lejueshme." Ebu Sufjani tha: "O Abbas! Sa e shkëlqyer është dita e shkatërrimit!" Pastaj kaloi një grup tjetër luftëtarësh që ishte më i vogli i të gjithë grupeve. Mes tyre ishte i Dërguari i Allahut a.s. dhe shokët e tij dhe flamuri i Pejgamberit a.s. të cilin e mbante Zubejri. Kur kaloi i Dërguari i Allahut a.s. pranë Ebu Sufjanit, ky e pyeti: "A e di se ç'ka thënë Saad Ibn Ubada?" Pejgamberi a.s. e pyeti: "Çfarë ka thënë?" Ebu Sufjani i tregoi ç'kishte thënë. Pejgamberi a.s. tha: "Saadi nuk ka thënë të vërtetën, por sot në këtë ditë Allahu do ta madhërojë Qabenë, e cila sot Kabja do të mbulohet me copë." Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. urdhëroi që flamuri i tij të vendosej në Haxhun. Abbasi e pyeti Zubejrin: "O Ebu Abdullah! A këtu të urdhëroi ta vendosesh flamurin i Dërguari i Allahut?" I Dërguari i Allahut a.s. e urdhëroi Halid Ibn Velidin të hynte në Mekë nga pjesa e sipërme e nga Kedai, ndërsa Pejgamberi a.s. hyri nga Kuda. Atë ditë ranë dëshmorë dy kalorës të Halidit të quajtur Hubeish Ibn Eshëar dhe Kurz Ibn Xhabir Fihrij." (4280)
1663.
Abdullah Ibn Mugaffal r.a. tregon: "E pashë të Dërguarin e Allahut a.s. ditën e çlirimit të Mekës hipur në devenë e tij dhe këndonte suren "Fet'h" (nr.48) duke iu dridhur zëri." Përcjellësi i dytë i hadithit shton: "Po të mos kisha frikë se mund të mblidhen njerëzit rreth meje edhe unë do ta këndoja atë siç e këndoi ai, duke iu dridhur zëri." (4281)
1664.
Abdullahu r.a. tregon: "Kur Pejgamberi a.s. hyri në M^kë ditën e marrjes së saj, rreth Qabesë kishte 360 idhuj. Ai filloi t'i godasë dhe t'i thyejë me një shkop që e mbante në dorë, duke thënë: "E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua." (Kuran '17: 81) "E Vërteta ka ardhur, kurse e pavërteta (shejtani) as nuk mund të krijojë, as nuk mund të ringjallë." (Kuran, 34:49) (4287)
|