Kapitulli: 1166. (pa titull)
1665.
Amr Ibn Selema r.a. tregon: "Rrinim në një rrugë ku kalonin shumë njerëz. Andej kalonin edhe karvane dhe ne i pyesnim: "Ç'kanë njerëzit? Ç'u ka ndodhur njerëzve? Kush është ky njeri?" Ata na përgjigjeshin: "Ai burrë mëton se e ka dërguar Allahu, se atij i ka zbritur Frymëzim Hyjnor, se Allahu^ i ka shpallur këtë e atë." Unë gjithnjë i mbaja mend ato fjalë (hyjnore) dhe e ndieja sikur më ishin ngulitur në gjoks. Arabët (jo-kurejshë) e vonuan pranimin e Islamit deri në çlirimin e Mekës dhe gjithnjë thoshin: "Lëreni atë (Muhamedin a.s.) dhe fisin e tij (kurejshët): në qoftë se ai del fitimtar mbi ta, atëherë ai është Pejgamberi i vërtetë." Kësisoj pra, kur u mor Meka, atëherë çdo fis nxitoi të hynte në Islam. Edhe babai im nxitoi të pranonte Islamin para fisit të vet. Kur u kthye nga Pejgamberi a.s., ai tha: "Për Allah! Jam kthyer tek ju me të vërtetë nga Pejgamberi a.s.." Pejgamberi a.s. më pas u tha: "Falni këtë e atë namaz, në këtë e në atë kohë. Kur të hyjë koha e namazit, atëherë njëri nga ju le të thërrasë ezanin dhe le t'ju prijë në namaz ai që di më shumë Kuran nga ju." Kështu, ata kërkuan një njeri të tillë dhe nuk gjetën askënd tjetër që të dinte Kuran më shumë se unë për shkak të pjesëve, që i kisha mësuar nga karvanet. Atëherë ata më bënë imamin e tyre (në namaz), kur unë isha vetëm gjashtë ose shtatë vjeç. Vishja një xhybe të zezë, por që më vinte e shkurtër, aq sa, kur bija në sexhde, më zbulohej trupi. Një grua nga fisi ynë tha: "A nuk ia mbuloni dot prej nesh pjesët e trupit kënduesit tuaj të Kuranit?" Kështu, ata më blenë një copë dhe më prenë një këmishë. Kurrë më parë nuk isha gëzuar me ndonjë gjë sa ç'u gëzova për atë këmishë." (4302)
|