Kapitulli: 1168. Lufta e Eutasit
1667.
Ebu Musa r.a. tregon: "Kur Pejgamberi a.s. u lirua nga lufta e Hunejnit, dërgoi Ebu Amirin në krye të një ushtrie drejt Eutarit dhe, kur arriti tek ata, Ebu Amiri u ndesh në betejë me Durejd Ibn Simman. Durejdi u vra dhe Allahu i theu njerëzit e tij. Pejgamberi a.s. më dërgoi mua me Ebu Amirin. Ai u godit në gju nga një shigjetë që e kishte lëshuar një burrë nga fisi Xhushemij. Shkova shpejt tek ai dhe e pyeta: "O xhaxha! Kush të qëlloi?" Ai ma tregoi me shenjë duke më thënë: "Ai është vrasësi që më gjuajti me shigjetë." Kështu, unë iu vura pas dhe e arrita. Kur më pa, ai ia mbathi, ndërsa unë e ndoqa dhe i thashë: "A nuk ke turp? A nuk do të qëndrosh?" Kështu që ai ndaloi dhe shkëmbyem dy përplasje shpatash, pastaj e vrava. Më pas shkova dhe i thashë Ebu Amirit: "Allahu e vrau vrasësin tënd." Ai më tha: "Ma nxirr këtë shigjetë." Unë ia hoqa atë, pastaj atij filloi t'i kullojë ujë nga plaga. Ai më tha: "O biri i vëllait tim! Dërgoji selam prej meje Pejgamberit a.s. dhe thuaji që t'i lutet Allahut të më falë mua." Kështu, Ebu Amiri ma la mua komandimin e forcave. Ai jetoi edhe për disa çaste, pastaj vdiq. (Pas beteje) u ktheva në Medine dhe shkova te Pejgamberi a.s. në shtëpi. E gjeta shtrirë në një shtrat me dega hurme të thurura me litar dhe sipër tyre një shtrojë. Shenjat e degëve dhe të thurjes shiheshin qartë në shpinë dhe anash trupit të tij. I tregova atij lajmet tona dhe të Ebu Amirit dhe porosinë e tij: "Thuaji Pejgamberit a.s. që t'i lutet Allahut të më falë mua." Pejgamberi a.s. kërkoi ujë, mori avdes pastaj ngriti duart duke u lutur: "O Allah! Fale Ubejd Ibn Amirin!" Ndërkohë unë dallova bardhësinë e sqetullave të Pejgamberit a.s., i cili vazhdoi të thoshte: "O Allah! Ngrije atë lart mbi shumë nga krijesat e Tua njerëzore Ditën e Kijametit!" I thashë: "Lutju Allahut edhe për mua që të më falë",- dhe ai u lut duke thënë: "O Allah! Falja gjynahet Abdullah Ibn Kajsit dhe pranoje atë Ditën e Kijametit në një hyrje të nderuar (në Xhenet)!" (4323)
|