Kapitulli: 1172. Dërgimi i Ebu Musait dhe Muadhit r.a. në Jemen nga Pejgamberi a.s. para Haxhit të Lamtumirës
1676.
Ebu Musai r.a. tregon se Pejgamberi a.s. e dërgoi atë dhe Muadh Ibn Xhebelin në Jemen. Pejgamberi a.s. e dërgoi secilin prej tyre të drejtonte nga një provincë të Jemenit, i cili kishte dy privinca atëherë. Ai a.s. u tha: "Lehtësojani çështjet njerëzve dhe mos ua vështirësoni, gëzojini ata me lajme të mira dhe mos i prapësoni." Kështu, secili shkoi në punën e tij. Sa herë që ndonjëri prej tyre udhëtonte nëpër provincën e tij dhe ndodhte që të vinte pranë kufinjve të shokut të tij, atëherë e vizitonte atë dhe e përshëndeste. Një herë Muadhi vizitoi atë pjesë të provincës së vet që ishte pranë asaj të shokut të tij, Ebu Musait. Muadhi shkoi i hipur në një mushkë. Kur arriti tek Ebu Musai, e gjeti atë ulur dhe rreth tij ishin mbledhur njerëz. Aty pa edhe një burrë me duart të lidhura pas qafe. Ai i tha Ebu Musait: "O Abdullah Ibn Kajs! Ç'është ky?" Ebu Musai i tha: "Ky njeri është kthyer në femohues pasi e kishte pranuar Islamin." Muadhi i tha: "Nuk do të zbres nga mushka, derisa ai të vritet." Ebu Musa i tha: "Në të vërtetë për këtë gjë është sjellë këtu, kështu që zbrit pra." Muadhi i tha: "Nuk do të zbres, derisa ai të jetë vrarë." Kështu Ebu Musai dha urdhrin (e ekzekutimit) dhe atë (femohuesin) e vranë. Pastaj Muadhi zbriti dhe e pyeti: "O Abdullah, si e këndon Kuranin?" Ebu Musai i tha: "E këndoj rregullisht dora-dorës. Po ti si e këndon atë, o Muadh?" Muadhi iu përgjigj: "Unë fle pjesën e parë të natës pastaj ngrihem, duke e ditur se e kam plotësuar kohën e gjumit. Pastaj këndoj Kuran aq sa ka përcaktuar Allahu për mua. Në këtë mënyrë unë kërkoj të fitoj Shpërblimin e Allahut nga gjumi, ashtu siç e kërkoj nga falja e namazit të natës."312 (4341, 4342)
1677.
Ebu Musa r.a. tregon se Pejgamberi a.s. e pati dërguar atë në Jemen dhe se ai e pati pyetur Pejgamberin a.s. për disa pije alkoolike, që i prodhonin në Jemen. Pejgamberi a.s. e pyeti: "Cilat janë ato?" Ebu Musai i tha: "Bitëi (pije alkoolike nga mjalti) dhe mizri (pije alkoolike nga elbi)." Pejgamberi a.s. i tha: "Çdo lëndë dehëse e trullosëse është haram (rreptësisht e ndaluar nga Islami)" (4343)
|