Kapitulli: 1173. Dërgimi i Ali Ibn Ebi Talibit dhe i Halid Ibn Velidit në Jemen nga Pejgamberi a.s. para Haxhit të Lamtumirës
1678.
Berau r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. na çoi bashkë me Halid Ibn Velidin në Jemen. Më vonë Pejgamberi a.s. dërgoi Aliun në vend të tij dhe i tha: "Thuaju shokëve të Halidit të zgjedhin: kush të dojë le të rrijë me ty në Jemen dhe kush të dojë lë të kthehet në Medine." Kështu, unë isha një nga ata që qëndrova me Aliun dhe mora nga plaçka e luftës shumë avak (okë) floriri." (4349)
1679.
Bureida r.a.tregon: "Pejgamberi a.s. e dërgoi Aliun te Halidi për të sjellë një të pestën e plaçkës së luftës. Asokohe e urreja Aliun. Ndërkohë Aliu sapo ishte larë (kishte marrë gusul) pasi kishte fjetur më një robëreshë nga pjesa e një të pestës së plaçkës. I thashë Halidit: "A e nuk e sheh se ç'bëri ky (Aliu)?" Kur u kthyem te Pejgamberi a.s., ia thashë këtë gjë. Ai më tha: "O Burejde! Vallë, Aliun urren?!" I thashë që po. Ai më tha: "Mos e urre atë! Në të vërtetë, atij i takon më shumë se aq nga një e pesta e plaçkës"." (4350)
1680.
Ebu Said Hudriu r.a. tregon: " Aliu r.a. çoi tek i Dërguari i Allahut a.s. një copë minerali ari të pashkrirë në një çantë lëkure. I Dërguari i Allahut a.s. e ndau atë ndërmjet katër vetëve: Ujaina Ibn Bedrit, Akra Ibn Habisit, Zeid Hailit dhe një njeriu të katërt të quajtur Alkama ose Amir Ibn Tufail. Atëherë njëri prej shokëve tha: "Ne e meritojmë më shumë këtë (shpërblim) sesa këta." Kur kjo fjalë i arriti Pejgamberit a.s., ai tha: " A nuk keni besim tek unë, ndonëse unë jam i besuari i Atij (Allahut) që është në qiej dhe marr lajmet qiellore (Shpalljen Hyjnore) në mëngjes e në mbrëmje?!,/ Në atë çast u ngrit një burrë me sy të futur thellë, me fytyrë me kocka të dala, me ballë të lartë, me mjekër të dendur, me kokë të rruar dhe me një copë të hedhur në bel të përveshur dhe tha: "O i Dërguari i Allahut! Ki frikë Allahun!" Pejgamberi a.s. tha: "O i mjerë! A nuk jam unë nga gjithë njerëzit në tokë që meritoj më shumë të kem frikë Allahun?!" Pastaj ai njeriu u largua. Halid Ibn Velidi tha: "O i Dërguari i Allahut! A t'ia këpus qafën?" Pejgamberi a.s. tha: "Jo, mbase fal namaz." Halidi i tha: "Të shumtë janë atë që falin namazin dhe që gjuha u flet atë që nuk është në zemrën e tyre." I Dërguari i Allahut tha: "Unë nuk jam urdhëruar (nga Allahu) të gërmoj në zemrat e njerëzve, ose t'u çaj gjoksin atyre." Pastaj Pejgamberi a.s. pa drejt atij (burri) ndërsa po largohej dhe tha: "Nga pasardhësit e këtij njeriu do të vijnë njerëz që do të këndojnë Kuran vazhdimisht dhe për mrekulli, por nuk do t'ua kalojë gurmazin (nuk do t'u burojë nga shpirti, nuk do ta kuptojnë dhe nuk do ta zbatojnë në jetë). Ata do të dalin prej feje siç fluturon shigjeta prej harkut." Më duket se shtoi edhe: "Po të jetoja në kohën e tyre, do t'i vrisja siç u vra populli i Themudit"." (4351)
|