Kapitulli: 1176. Lufta e bregdetit
1683.
Xhabiri r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. dërgoi disa trupa në drejtim të bregdetit dhe emëroi komandant të tyre Ebu Ubejdan. Ne ishin treqind veta. Kështu, u nisëm dhe, kur kishim bërë një pjesë të rrugës, na u pakësua ushqimi i udhëtimit. Për këtë arsye Ebu Ubejda urdhëroi që të grumbullonin në një vend gjithë ushqimet që kishte me vete ushtria. Ushqimi ynë ishin hurmat. Kështu, ai na e jepte çdo ditë racionin pak nga pak, derisa ai u pakësua aq sa arritëm të merrnim vetëm nga nja kokërr hurme për njeri." Vehb Ibn Kejsani (transmetuesi i dytë i hadithit) thotë: "E pyeta Xhabirin r.a.: "Ç'dobi mund t'ju bënte një kokërr hurmë?" Ai tha: "Ja njohëm vlerën asaj kokrre kur edhe ajo na mbaroi." Pastaj Xhabiri vazhdoi: "Pastaj arritëm në bregdet, kur ç'të shohim! Aty ishte një peshk i madh sa një kodër. E gjithë ushtria u ushqye me të për tetëmbëdhjetë net. Më pas Ebu Ubeida tha që të ngulnim dy brinjë të peshkut në tokë në formë harku. Poshtë tyre futëm një deve, e cila kaloi pa prekur fare kockat!" (4360)
1684.
Në një citim tjetër Xhabiri r.a. tregon: "Deti na nxori nja kafshë të madhe të quajtur Anber. Ne hëngrëm nga mishi i saj për një gjysmë muaji dhe e fërkuam trupin me dhjamin e saj, derisa ai na u përtëri." Në një citim të tretë, Xhabiri thotë: "Ebu Ubeida na tha: "Hani prej saj (balenës)." Kur u kthyem në Medine, ne i treguam Pejgamberit a.s. për të. Ai tha: "Hani prej saj, pasi ai është ushqim të cilin Allahu e ka nxjerrë për ju. Na jepni edhe ne, nëse keni diçka me vete." Kështu disa nga ne i dhanë atij mish prej saj dhe ai e hëngri." (4361)
|