Kapitulli: 1178. Dërgata e fisit Beni Hanifa dhe tregimi për Thumama Ibn Uthalin
1686.
Ebu Hurejra r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. dërgoi trupa kalorësie drejt Nexhdit. Kur u kthyen, ata sollën me vete një burrë nga fisi Beni Hanifa, të quajtur Thamama Ibn Uthal dhe e lidhën pas një shtylle në xhami. Pejgamberi a.s. shkoi tek ai dhe i tha: "Ç'ke (ç'mendon se do të të bëj), o Thumana?" Ai iu përgjigj: "Kam mendim të mirë, o Muhamed! Në qoftë se ti më vret mua, atëherë vret një njeri që ka hyrë në gjak (ka vrarë një njeri) dhe, në qoftë se më liron, atëherë ti do t'i bëje mirësi një njeriu falënderues e mirënjohës. Në qoftë se do pasuri, atëherë kërko ç'pasuri të duash." E lanë aty deri të nesërmen, kur erdhi Pejgamberi a.s.. Ai (a.s.) e pyeti: "Ç'ke o Thumana?" Iu përgjigj: "Atë që të thashë: në qoftë se më liron, atëherë ti do t'i bëje mirësi një mirënjohësi." Kështu, Pejgamberi a.s. e la atë aty deri ditën tjetër, kur e pyeti përsëri: "Ç'ke, o Thumana?" Ai iu përgjigj: "Kam atë që të kam thënë." Pastaj Pejgamberi a.s. tha: "Lirojeni Thumanën." Kështu, ai doli jashtë, shkoi në një kopsht hurmash afër xhamisë dhe u la (mori gusul), pastaj hyri përsëri në xhami dhe tha: "Eshhedu en laa ilahe il-lAllah ve eshhedu en-ne Muharneden resulullah - dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut! O Muhamed! Për Allah! Nuk kishte fytyrë në faqe të tokës më të urryer për mua sesa fytyra jote, por tani fytyra jote më është bërë fytyra më e dashur. Për Allah! Nuk kishte fe më të urryer për mua sesa feja jote, por tani feja jote më është bërë më e dashura. Për Allah! Nuk kishte qytet më të urryer për mua sesa qyteti yt, por tani qyteti yt më është bërë qyteti më i dashur. Kalorësit e tu më kapën ndërkohë që unë desha të shkoj për umre. Ç'mendon tani për mua?" I Dërguari i Allahut a.s. e përgëzoi atë dhe e urdhëroi të shkojë në umre. Kur arriti në Mekë, dikush e pyeti: " A je bërë sabi (ke ndryshuar fenë)?" Thumana iu përgjigj: "Jo, për Allah! Veç kam pranuar Islamin me Muhamedin, të Dërguarin e Allahut a.s.! Jo, për Allah! Asnjë e keqe sado e vogël qoftë, as sa një kokërr gruri, nuk do t'ju vijë juve nga Jemama, derisa Pejgamberi a.s. të japë leje për të"." (4372)
1687.
Ibn Abbasi r.a. tregon: "Musejlema gënjeshtari (Pejgamberi i rremë) doli në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s. dhe filloi të përhapë fjalë se: "Në qoftë se Muhamedi ma lë mua sundimin pas tij, atëherë unë do ta ndjek e do t'i bindem atij." Dhe erdhi në Medine me një grup të madh njerëzish nga fisi i tij. I Dërguari i Allahut a.s. shkoi tek ai bashkë me Thabit Ibn Kajsin. I Dërguari i Allahut a.s. mbante në dorë një shkop palme hurme. Pejgamberi a.s. ndaloi afër Musejlemas, kur ky ishte mes njerëzve të tij, dhe i tha: "Në qoftë se më kërkon qoftë edhe këtë copë shkopi, unë kurrë nuk do të ta jepja dhe ti nuk mund t'i shmangesh Urdhrit të Allahut. Në qoftë se ia kthen shpinën Islamit, atëherë Allahu do të të shkatërrojë. Ja ky është Thabit Ibn Kajsi që do të të përgjigjet në vendin tim." Pastaj Pejgamberi a.s. u largua prej tij. Më pas unë pyeta Ebu Hurejrën për fjalën e të Dërguarit të Allahut a.s.: "Unë mendoj vërtet se ti je i njëjti njeri që m'u paraqit në ëndërr." Ebu Hurejra më tha se i Dërguari i Allahut a.s. ka treguar: "Ndërsa po flija, pashë në ëndërr dy byzylykë floriri në dy duart e mia. Kjo gjë më shqetësoi shumë. Pastaj më erdhi Frymëzimi Hyjnor në ëndërr që t'u fryja atyre. Kështu, unë u fryva dhe që të dy byzylykët fluturuan. Atëherë unë i shpjegova ata dy byzylykë se pas meje do të dalin dy gënjeshtarë që do të hiqen si profetë. Njëri prej tyre është Ansiju dhe tjetri Musejlema"." (4373, 4374)
1688.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka dëftuar: "Ndërsa po flija, m'u dhanë thesarët e tokës dhe në duar m'u vendosën dy byzylykë floriri. Një gjë e tillë më rëndoi shumë, por m'u shpall se duhej t'u fryja. Kështu që u fryva dhe që të dy byzylykët u zhdukën. Atëherë unë i shpjegova ata dy byzylykë me dy gënjeshtarë që do të hiqen si profetë që në gjalljen time: Sunduesi i Sanasë dhe sunduesi i Jemamës." (4375)
|