Kapitulli: 1182. Lufta e Tebukut ose Lufta e Vështirësisë
1697.
Ebu Musai r.a. tregon: "Shokët e mi më çuan tek i Dërguari i Allahut a.s. për t'i kërkuar disa kafshë udhëtimi për ta, pasi ata ishin bashkë me të në ushtrinë e vështirësisë, e cila ishte përgatitur për Betejën e Tebukut. I thashë: "O Fejgamberi i Allahut, shokët e mi më kanë sjellë tek ti për t'u dhënë atyre kafshë udhëtimi." Ai tha: "Për Allah! Unë nuk do t'u jap asnjë kafshë për t'i hipur." U ndodha pikërisht në një kohë, kur ai ishte i nxehur, por nuk e kisha vënë re këtë gjë. Kështu, u ktheva i mërzitur për shkak se Pejgamberi a.s. nuk më pranoi dhe nga frika se mos ai a.s. ishe nxehur me mua. Në këtë gjendje u ktheva te shokët e mi dhe u tregova se çfarë më tha Pejgamberi a.s.. Nuk kaloi shumë, kur dëgjova Bilalin të thërriste: "O Abdullah Ibn Kajs!" Iu përgjigja thirrjes së tij. Ai më tha: "Përgjigjju të Dërguarit të Allahut a.s. që po të thërret." Kur shkova tek i Dërguari i Allahut a.s., ai më tha: "Merri këto dy deve të lidhura bashkë, edhe këto të dyja ..."-, duke më caktuar gjashtë deve që i kishte marrë ndërkohë nga Saadi-, "dhe shko te shokët e tu e thuaju se Allahu ose i Dërguari i Allahut jua ka dhënë ato për t'u hipur, kështu që udhëtoni me to!" Unë i mora devetë, shkova me to te shokët e mi dhe u thashë: "Pejgamberi a.s. ju lejon që t'u hipni e të udhëtoni me këto deve, por, për Allah, unë nuk do t'ju lejoj, derisa ndonjëri prej jush të vijë me mua tek ata që e dëgjuan fjalën e të Dërguarit të Allahut a.s.! Mos kujtoni se ju tregoj gjëra që i Dërguari i Allahut a.s.nuk i ka thënë!" Ata më thanë: "Për Allah, ti për ne je njeri i besuar dhe ne do të bëjmë ç'të duash ti." Kështu, Ebu Musai u nis bashkë me disa prej tyre, derisa arritën tek ata që e kishin dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s., kur ua ndaloi atyre kafshët dhe pastaj kur ua dha. Ata u treguan të njëjtat fjalë që u kishte thënë edhe Ebu Musai." (4415)
1698.
Saad Ibn Ebu Vekkasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. u nis për Tebuk duke lënë zëvendës të tij në Medine Aliun. Aliu i tha: "A do të më lësh mua me fëmijët dhe me gratë?!" Pejgamberi a.s. i tha: "A nuk do të ishe i kënaqur që të ishe për mua në atë shkallë, siç qe Haruni për Musain, përveç asaj që nuk ka Pejgamber pas meje?" (4416)
|