Kapitulli: 1204. Nisa - Fjala e Allahut, të Gjithëpërsosurit: "Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk mund t'i trajtoni mirë jetimet..." (Kuran, 4:3)
1730.
Urva tregon se ka pyetur Aishen r.a. për Fjalën e Allahut të Madhëruar: "Dhe në qoftë se frikësoheni se nuk mund t'i trajtoni mirë jetimet..." (Kuran, 4:3). Ajo i tha: "O biri i motrës sime! Bëhet fjalë për një jetime që është nën tutelën e një kujdestari, me të cilin ajo është bashkëpjesëtare në pasurinë e tij. Ndërkohë, kujdestarin e josh pasuria dhe bukuria e saj dhe ai dëshiron të martohet me të pa i dhënë mehrin e drejtë, ashtu siç do t'ia jepte asaj dikush tjetër, nëse do të martohej me të. Kështu pra, kujdestarë të tillë u ndaluan që të bënin këtë martesë, nëse nuk do të silleshin drejt me jetimet dhe t'u jepnin atyre vlerën më të lartë të mehrit që mund të merrnin shoqet e tyre të barabarta me to. Këta kujdestarë u urdhëruan nga Allahu të martohen me gra që do t'i zgjidhnin vetë sipas pëlqimit të tyre në vend të këtyre jetimeve. Pas zbritjes së këtij ajeti, njerëzit filluan të pyesnin të Dërguarin e Allahut a.s., dhe Allahu zbriti ajetin tjetër: "Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t'i sqarosh lidhur me çështjet e grave ..." (Kuran, 4:127) Fjala e Allahut në ajet: 'edhe pse dëshironi të martoheni me to', bën fjalë për mosdëshirën e disave që të martoheshin me një jetime që kishte pak pasuri dhe bukuri. Kështu që atyre iu ndalua të martoheshin me ato femra jetime, që i dëshironin për pasurinë dhe bukurinë e tyre, përveçse nëse i trajtonin me drejtësi, për shkak të mosdëshirës që kishin për jetimet me pak pasuri dhe bukuri". (4574)
|