Kapitulli: 1229. Nur - Fjala e Allahut të Lartësuar: "Dhe për ata që akuzojnë gratë e tyre, por nuk kanë dëshmitarë përveç vetes së tyre ..." (Kuran 24: 6)
1756.
Sehl Ibn Saadi r.a. tregon: "Uvejmiri shkoi tek Asim Ibn Adiju, që ishte i pari i fisit Beni Axhlan dhe i tha: "Ç'thoni për një burrë i cili e gjen gruan e tij me një burrë tjetër? A ta vrasë atë burrë pastaj ju ta vrisni atë, apo si t'ia bëjë? Të lutem pyete për mua të Dërguarin e Allahut për këtë çështje." Kështu, Asimi shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut!" Ai e pyeti për atë çështje, por i Dërguari i Allahut a.s. nuk e pëlqeu pyetjen dhe e quajti atë të turpshme. Kur Uvejmiri e pyeti Asimin për përgjigjen e Pejgamberit a.s., ai iu përgjigj se i Dërguari i Allahut nuk i pëlqen pyetjet e tilla dhe e quajti atë të turpshme. Uvejmiri tha: "Për Allah! Nuk do të ndalem së pyeturi, derisa të pyes për të të Dërguarin e Allahut a.s.". Kështu, ai shkoi dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Dikush ka gjetur një burrë tjetër me gruan e tij! A ta vrasë atë dhe pastaj ju ta vrisni atë (sipas ligjit të barazisë në ndëshkim - kisas), apo si t'ia bëjë?" I Dërguari i Allahut a.s. i tha: "Allahu ka zbritur pjesë Kurani për ty dhe për gruan tënde." Kështu, i Dërguari i Allahut a.s. i urdhëroi për të bërë mallkimin e ndërsjellë, ashtu siç e ka përmendur Allahu në Librin e Tij. Në këtë mënyrë Uvejmiri bëri mallkimin e ndërsjellë me gruan e tij dhe tha: "O i Dërguari i Allahut! Në qoftë se do ta mbaj, do ta keqtrajtoj." Kësisoj, ai e ndau gruan dhe pas tij një veprim i tillë u bë traditë për të gjithë ata zbatonin mallkimin e ndërsjellë. Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Shikoni! Në qoftë se gruaja e Uvejmirit lind fëmijë të zi, me sy të zinj të mëdhenj të futur thellë, me këllqe të mëdha dhe me këmbë të shëndosha, atëherë e vetmja gjë që mund të mendoj, është se Uvejmiri ka thënë të vërtetën për gruan e tij. Por, në qoftë se ajo lind fëmijë të kuq si hardhuca (lloj hardhuce tropikale), atëherë e vetmja gjë që mund të mendoj, është se Uvejmiri ka gënjyer për gruan e tij". Më vonë, ajo lindi një fëmijë që erdhi sipas përshkrimit të dhënë nga i Dërguari i Allahut a.s. në rastin kur Uvejmiri do të kishte të drejtë. Prej atëherë, fëmija u thirr në emër të nënës së tij." (4745)
|