Kapitulli: 1288. Të dy bashkëshortët duhet të jenë të një feje (dhe Fjala e Allahut të Madhëruar: "Dhe Ai është i Cili ka krijuar njeriun prej uji dhe ka caktuar për të lidhje gjaku dhe lidhje martese ..." (Kuran, 25:54)
1833.
Aishja r.a. tregon se Ebu Hudhejfa, një nga bashkëluftëtarët e Pejgamberit a.s. në betejën e Bedrit, e birësoi Salimin dhe e martoi me Hind bint Velidin, të bijën e vëllait të vet. Salimi ishte skllavi i liruar i një gruaje nga ensarët, pikërisht siç kishte birësuar Pejgamberi a.s. Zejdin. Ka qenë zakon në kohën e padijes para Islamit, në qoftë se dikush birësonte ndonjë fëmijë, atëherë njerëzit e thirrnin atë biri i babait birësues dhe ky bir ishte trashëguesi i tij. Kjo gjë vazhdoi derisa Allahu zbriti ajetin: "I thirrni ata (fëmijët e birësuar me emrat) e baballarëve të tyre, kjo është më e drejtë tek Allahu. Por nëse nuk i njihni baballarët e tyre, i thirrni ata vëllezër të një besimi dhe robërit tuaj të liruar." (Kuran, 33:5). Pastaj të birësuarit thirreshin me emrat e baballarëve të tyre të vërtetë. Atij, që nuk i dihej babai, i thërrisnin "Mevla i filanit dhe vëlla në fe". Më vonë Sehla bint Suhejli,bashkëshortja e Ebu Hudhejfas, erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Ne e quanim Salimin si birin tonë, ndërsa tani Allahu ka zbritur në Kuran për fëmijët e birësuar atë që ti e di më mirë ..." Pastaj përcjellësi tregon hadithin si më lart. (5088)
1834.
Aishja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. hyri te Dubae bint Zubejri dhe i tha: "Mbase dëshiron të shkosh në haxh?" Ajo i tha: "Për Allah, me të vërtet që jam sëmurë." Ai i tha: "Syno haxhin dhe vër kusht duke thënë: 'O Allah! Do ta lë gjendjen e ihramit në atë vend ku do të më ndalosh Ti/." Ajo ishte bashkëshortja e Mikdad Ibn Esvedit. (5089)
1835.
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për pozitën e saj shoqërore, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidh pra gruan fetare që të mos jesh i humbur." (5090)
1836.
Sehli tregon r.a. se kaloi një i pasur para të Dërguarit të Allahut a.s. dhe ai i pyeti shokët e vet të pranishëm: "Ç'thoni për këtë burrë?" Ata i thanë: "Në qoftë se ai kërkon dorën e ndonjë gruaje, ajo duhet t'i jepet; në qoftë se ai ndërmjetëson për dikë, atij duhet t'i pranohet ndërhyrja; në qoftë se flet, t'i dëgjohet fjala." I Dërguari i Allahut a.s. heshti. Ndërkohë aty pranë kaloi një musliman i varfër dhe i Dërguari i Allahut a.s. i pyeti: "Ç'thoni për këtë burrë?" Ata i thanë: "Nëse ai kërkon dorën e ndonjë gruaje për martesë, nuk ia japin; në qoftë se ai ndërmjetëson për ndokënd, nuk i pranohet ndërhyrja; në qoftë se flet diçka, nuk e dëgjon kush." I Dërguari i Allahut a.s. tha: "Ky i varfër është më i mirë dhe më me vlerë sesa një mori që e mbush tokën si shembulli i të parit." (5091)
|