Kapitulli: 1290. Ajeti kuranor: "Të ndaluara për ju (për martesë) janë nënat tuaja ... nënat që ju kanë dhënë gji." (Kuran, 4:23) Lidhjet nga qumështi ndalojnë martesën ashtu si lidhjet nga gjaku
1838.
Ibn Abbasi r.a. tregon se dikush i ka thënë Pejgamberit a.s.: "A nuk martohesh me bijën e Hamzait?" Pejgamberi a.s. i ka thënë: "Ajo është bija e vëllait tim nga qumështi." (5100)
1839.
Aishja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit a.s., tregon se, ndërsa i Dërguari i Allahut a.s. ishte me të, ajo dëgjoi zërin e një burri që kërkonte leje për të hyrë në shtëpinë e Hafsasë. Aishja i tha: "O i Dërguari i Allahut, ky burrë kërkon leje të hyjë në shtëpinë tënde." Pejgamberi a.s. i tha: "Më duket se është filani"-, duke përmendur një xhaxha të Hafsasë nga qumështi. Aishja i thotë: "Në qoftë se do të ishte gjallë filani - duke përmendur emrin e xhaxhait të saj nga qumështi - a mund të hynte në shtëpinë time?" Pejgamberi a.s. i thotë: "Po, sepse lidhja e qumshtit ndalon ato marrëdhënie që i ndalon edhe afërsia e gjakut." (5099)
1840.
Umm Habiba, bija e Ebu Sufjanit r.a., tregon se i ka thënë të Dërguarit të Allahut a.s. që të martohet me motrën e saj, bijën e Ebu Sufjanit. Pejgamberi a.s. i ka thënë: "A të pëlqen një gjë e tillë?" Ajo i thotë: "Po, edhe pse tani unë nuk jam bashkëshortja jote e vetme, dua që ajo me të cilën unë të ndaj mirësinë me të të jetë motra ime." Pejgamberi a.s. i thotë: "Por një gjë e tillë nuk është e lejuar për mua." Ajo i thotë: "Kemi dëgjuar se don të martohesh me bijën e Ebu Selema." Ai i thotë: "Don të thuash bijën e Umm Selema?" Ajo i thotë që po. Ai i thotë: "Edhe sikur ajo të mos ishte thjeshtra ime (bija e sjellë me vete nga gruaja ime), prapëseprapë ajo nuk do të ishte e lejuar për mua për t'u martuar me të, pasi ajo është bija e vëllait tim nga qumështi. Mua dhe Ebu Selemas na ka dhënë qum^sht Thuvejba. Kështu pra, mos m'i paraqisni për martesë bijat tuaja dhe as motrat tuaja." (5101)
|