Kapitulli: 1296. Kush thotë: "Martesa nuk quhet, përveçse me miratimin e kujdestarit të gruas."
1847.
Makil Ibn Jesar r.a. tregon: "E martova motrën me një burrë, por ai e shkurorëzoi atë. Kur mbaroi periudha e paraparë për të pas shkurorëzimit, burri erdhi dhe e kërkoi atë përsëri, por unë i thashë: "Ta dhashë atë dhe u martove, ta bëra atë shtratin tënd dhe të nderova ty me të, por ti e shkurorëzove. Tani vjen ta kërkosh atë përsëri?! Jo! për Allah! Ajo nuk do të kthehet më kurrë tek ti!,/ Ai nuk qe njeri i keq, ndërsa edhe e shoqja donte të kthehej përsëri tek i shoqi. Kështu Allahu zbriti këtë ajet: "... Mos i ndaloni që të martohen me burrat e mëparshëm ..." (Kuran, 2:232) Kështu pra ky ajet ka zbritur për mua. Kështu që thashë: "Tani do ta bëj një gjë të tillë (të kthehet te burri i saj), o i Dërguari i Allahut." Kështu ai e martoi përsëri motrën me burrin e saj të parë." (5130)
|