Kapitulli: 1342. Hurmat e freskëta dhe të thata
1904.
Xhabiri r.a. tregon: "Ne Medine ka qenë një çifut që më jepte para borxh deri në stinën e vjeljes së hurmave. (Xhabiri kishte një copë tokë rrugës për në Ruma). Atë vit toka nuk premtonte, kështu që borxhi u shty edhe një vit. Çifuti më erdhi kohën e të vjelave, por unë nuk mblodha dot gjë nga toka, kështu që i kërkova atij të më priste edhe një vit, por ai nuk pranoi. Kur ky lajm i mbërriti Pejgamberit a.s., ai u tha shokëve të tij: "Ejani të shkojmë t'i kërkojmë çifutit t'ia shtyjë afatin Xhabirit." Kështu ata erdhën të gjithë te kopshti im! Pejgamberi a.s. filloi t'i fliste çifutit, por ai i tha Pejgamberit a.s.: "O Ebul-Kasim! Nuk e pres më." Kur Pejgamberi a.s. e pa qëndrimin e çifutit, ai (a.s.) u ngrit, i shkoi rreth e rrotull gjithë kopshtit pastaj u afrua dhe i foli përsëri çifutit, por ai përsëri nuk pranoi. Unë u ngrita, solla pak hurma të freskëta dhe ia vura përpara Pejgamberit a.s.. Ai hëngri pastaj më pyeti: "Ku është kasollja jote, o Xhabir?" Unë ia tregova. Më tha: "Bëma gati një shtrat aty." Kështu, unë ia bëra gati shtratin, pastaj ai hyri në të dhe fjeti. Kur u zgjua, unë përsëri i çova pak hurma dhe ai hëngri prej tyre. Pastaj u ngrit dhe i foli përsëri çifutit, por ai përsëri nuk pranoi. Pas kësaj, Pejgamberi a.s. u ngrit për herë të dytë mes palmave të ngarkuara me hurma të freskëta e tha: "O Xhabir! Mblidh hur- mat të paguash borxhin." Çifuti qëndroi me mua, ndërsa unë mblidhja hurma, derisa ia pagova atij gjithë borxhet. E megjithatë aty mbetën po aq hurma. Kështu, dola dhe u nisa derisa mbërrita te Pejgamberi a.s. dhe i dhashë atij këtë lajm të gëzueshëm. Pas kësaj ai tha: "Dëshmoj se unë jam i Dërguari i Allahut!" (5443)
|