Kapitulli: 1381. Dëshira e të sëmurit për të vdekur
1958.
Enesi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Askush nga ju nuk duhet ta dëshirojë vdekjen, për shkak të ndonjë të keqeje që i bie. Por, në qoftë se i duhet ta dëshirojë vërtet atë, atëherë le të thotë: "O Allah! Më jep jetë, për aq kohë sa jeta është më e mira për mua dhe më vdis, në qoftë se vdekja është më e mira për mua!'" (5671)
1959.
Habbabi r.a. tregon se ka kauterizuar plagët me hekur të nxehtë në shtatë vende të trupit të vet dhe ka thënë: "Shokët tanë që vdiqën gjatë kohës së Pejgamberit a.s. e lanë këtë botë dhe nuk ua pakësoi dynjaja dhe kënaqësitë e saj shpërblimet e Jetës së Pasosur, ndërkohë që ne kemi aq pasuri sa nuk gjejmë rrugë tjetër për ta shpenzuar atë veçse duke ngritur ndërtesa. Po të mos na kishte ndaluar Pejgamberi a.s. që të luteshim për të vdekur, unë do të isha lutur." (5672)
1960.
Ebu Hurejra r.a. tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. të thotë: "Askënd nuk e fusin në Xhenet punët e veta." Shokët e pyetën: "As edhe ty, o i Dërguari i Allahut?!" Ai u përgjigj: "Jo, as mua, në qoftë se Allahu nuk më dhuron Mirësinë dhe Mëshirën e Tij. Kështu pra, jini të arsyeshëm e të vendosur në veprat fetare dhe bëni punë që janë brenda mundësive tuaja! Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen, sepse, në qoftë se është mirëbërës, ndoshta mund t'i shtojë veprat e mira dhe, në qoftë se është keqbërës, mbase mund të pendohet." (5673)
|