Kapitulli: 1480. Pendimi
2072.
Ibn Mesudi r.a. përcjell dy tregime: një nga Pejgamberi a.s. dhe një të vetin, duke thënë: "Besimtari i shikon gjynahet e veta si të jetë ulur vetë nën një mal, nga i cili ka frikë se mund të bie mbi të, ndërsa një i shthurur i quan gjynahet e tij si miza që i kalojnë përpara hundës dhe vetëm sa i largon ato, ja kështu (duke bërë me dorë)." Pastaj ai shton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Allahu është më i kënaqur me pendimin e robit të Tij sesa një njeri që ulet të pushojë në një vend ku i rrezikohet jeta dhe me vete ka kafshën të ngarkuar me ushqimet e tij dhe me ujë; pastaj vë kokën e fle për një çast dhe zgjohet, por sheh se i ka ikur kafsha e barrës dhe fillon ta kërkojë derisa, kur e mundon vapa e madhe dhe etja apo ndonjë gjë tjetër që ka dashur Allahu, ai thotë me vete: 'Po kthehem në vendin tim ku isha/ Kështu, ai kthehet dhe fle përsëri, pastaj zgjohet dhe ngre kokën, kur ç'të shohë! Kafsha e tij e barrës duke qëndruar pranë tij!" (6308)
|