Kapitulli: 1514. Humbja e amanetit të Allahut
2114.
Hudhejfa Ibn Jeman r.a tregon: "I Dërguari i Allahut a.s na tregoi dy rrëfime, njërin prej të cilëve e kam parë të ndodhë dhe po pres për tjetrin. Ai na tha se amaneti në fillim ka qenë i futur në thellësitë e zemrave të burrave, pastaj e mësuan atë nga Kurani e më pas e mësuan nga Suneti i Pejgamberit a.s.. Ai na foli gjithashtu edhe për humbjen e tij duke na thënë: "Njeriu do të shkojë të flejë dhe do t'i hiqet amaneti nga zemra, duke i mbetur vetëm gjurmët e tij si gjurmët e zjarrit. Pastaj do të flejë përsëri e do t'i hiqet nga zemra edhe ajo gjurmë e tij, duke i mbetur vetëm një shenjë si ajo që lë flluska e ngritur mbi lëkurë, kur në këmbë bie një gacë zjarri. Në të vërtetë, kjo flluskë nuk ka brenda asgjë. Kështu pra, do të vijë një ditë kur njerëzit do të bëjnë tregti me njëri-tjetrin, por vështirë se do të gjesh ndonjë të besuar mes tyre. Pastaj do të thuhet se në filan fis është një njeri i besuar, njeri që do të çmohet për zgjuarsinë e tij, për sjellje të mira dhe për forcën e besimit dhe të karakterit që ka, ndonëse në të vërtetë ai nuk do të ketë iman në zemër as sa një farë hardalli!". Pastaj Hudhejfa shton: "Unë e mbërrita tashmë kohën kur nuk shqetësohesha se me cilin bëja tregti e marrëveshje, pasi, po të ishte musliman, feja e tij do ta pengonte të mashtronte, ndërsa, po të ishte i krishterë, atëherë sundimtari i tij musliman do ta ndalonte që të mashtronte. Ndërsa sot nuk mund të bëj tregti e marrëdhënie, përveçse me filanin dhe filanin!" (6497)
2115.
Ibn Umeri r.a tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s të thotë: "Njerëzit janë si devetë: në njëqind të tilla, njeriu zor se gjen një saktë për ta marrë për udhëtim!" (6498)
|