Kapitulli: 1517. Kush e dëshiron takimin me Allahun (ta dijë se) edhe Allahu e dëshiron takimin me të
2118.
Ubada Ibn Samiti r.a. tregon: "Një herë Pejgamberi a.s. tha: "Kush e dëshiron takimin me Allahun, (ta dijë se) edhe Allahu e dëshiron takimin me të, ndërsa kush e urren takimin me Allahun, (ta dijë se) edhe Allahu e urren takimin me të." Atëherë Aishja r.a. ose ndonjë grua tjetër e Pejgamberit a.s. i tha: "Por ne nuk e duam vdekjen." Ai i shpjegoi: "Nuk është ky (qëllimi). Kuptimi është se, kur besimtarit i afrohet vdekja, (melekët) i japin atij lajmin e mirë për Kënaqësinë dhe Nderimin e Allahut që e presin atë. Në ato çaste nuk ka gjë tjetër më të dashur për të, sesa ajo që ka përpara, prandaj ai e dëshiron takimin me Allahun dhe Allahu e dëshiron takimin me të. Kurse femohuesi, kur i afrohet vdekja, (melekët) i japin lajmin e hidhur për Dënimin dhe Ndëshkimin e Allahut që e presin. Në ato çaste asgjë nuk është më e urryer për të, sesa ajo që e pret përpara. Prandaj ai e urren takimin me Allahun dhe Allahu e urren takimin me të." (6507)
|