Kapitulli: 1542. Rrahja me degë hurme dhe me këpucë
2159.
Ebu Hurejra r.a. tregon: "Një herë sollën te Pejgamberi a.s. një burrë që kishte pirë verë. Ai tha: "Rriheni atë!" Kështu, disa prej nesh e rrahën me duar, disa me këpucët e tyre, disa me rrobat e tyre duke i bërë si kërbaç. Pasi e lamë, dikush i tha atij: "Allahu të poshtëroftë!" Kur dëgjoi këtë, Pejgamberi a.s. tha: "Mos thoni ashtu, sepse kështu ju ndihmoni shejtanin që ta mundë atë." (6777)
2160.
Tregohet se Ali Ibn Ebi Talibi r.a. ka thënë: "Nuk do të më vinte keq për askënd që do të vdiste duke marrë ndëshkimin e merituar e të ligjshëm përveçse për pijanecin. Arsyeja është se, nëse ai do të vdiste duke u ndëshkuar, atëherë unë do të duhej t'i paguaja paratë e gjakut familjes së tij, ngaqë i Dërguari i Allahut a.s. nuk ka urdhëruar ndëshkim të përcaktuar për pijanecin." (6779)
2161.
Umeri Ibn Hattabi r.a. tregon Në kohën e Pejgamberit a.s. ishte një burrë i quajtur Abdullah dhe me nofkën 'gomari'. Ai gjithnjë e bënte për të qeshur të Dërguarin e Allahut a.s.. Ndërkaq Pejgamberi a.s. e kishte ndëshkuar atë me fshikullime, për shkak të pirjes së alkoolit. Një ditë e sollën te Pejgamberi a.s. për të njëjtin shkak dhe ai urdhëroi të dënohej, kështu që e fshikulluan. Atëherë një burrë nga turma thirri: "O Allah, mallkoje atë! Sa shpesh që e sjellin te Pejgamberi a.s. për të njëjtën gjë!" Por Pejgamberi a.s. tha: "Mos e mallko atë sepse, pasha Allahun, unë e di që ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij!" (6786)
|