Kapitulli: 1562. Thënia e Pejgamberit a.s.: "Do të shihni pas meje gjëra të cilat do t'i urreni."
2187.
Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush shpreh mospëlqim për një gjë që bën sunduesi i tij, duhet të tregohet i duruar, sepse, kush nuk del jashtë bindjes ndaj sunduesit të vet, qoftë edhe një pëllëmbë, do të vdesë si ata që kanë vdekur në kohën e padijes paraislame." Ndërsa në një hadith tjetër ai tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush vë re te qeveritari i tij diçka që nuk i pëlqen, atëherë le të bëjë durim, pasi, kushdo që ndahet nga bashkësia e muslimanëve, duke u larguar qoftë edhe një pëllëmbë, dhe vdes në këtë gjendje, ai veçse ka vdekur si ata që kanë vdekur në kohën e padijes paraislame (si gjynahqar i pabindur)" (7053, 7054)
2188.
Xhunada Ibn Ebi Umeja tregon: "Shkuam te Ubada Ibn Samiti r.a. kur ishte sëmurë. I thamë: "Allahu të përmirësoftë e të shëroftë! A do të na tregosh ndonjë fjalë të dëgjuar nga Pejgamberi a.s., me të cilën Allahu do të të bëjë të përfitosh?" Ai tha: "Pejgamberi a.s. na thirri dhe ne i dhamë atij besën për Islam. Midis kushteve për të cilat na mori besën, ishin dëgjimi dhe bindja ndaj sunduesit musliman, si kur të jemi të aktivë ashtu edhe kur të jemi të lodhur, si në vështirësi ashtu edhe në lehtësi t'i bindemi sunduesit e t'i japim atij të drejtën që i takon, edhe nëse ai nuk na e jep të drejtën që na takon, si edhe të mos luftojmë kundër tij përderisa nuk kemi vënë re tek ai Kufr (mosbesim a femohim) të qartë, për të cilin do të kemi prova të qarta nga Allahu." (7055, 7056)
|