Kapitulli: 1582. Ndjekja e Sunetit të të Dërguarit të Allahut a.s.
2212.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Të gjithë pasuesit e mi do të hyjnë në Xhenet, përveç atyre që nuk duan." Ata i thanë: "O i Dërguari i Allahut! Kush nuk do të dojë?!" Ai u përgjigj: "Kushdo që më bindet mua, do të hyjë në Xhenet dhe kushdo që nuk më bindet mua, është një prej atyre që nuk duan (të hyjnë në Xhenet)." (7280)
2213.
Xhabiri r.a. tregon: "Disa melekë kishin shkuar te Pejgamberi a.s. kur ai po flinte. Disa prej tyre thanë: "Ai po fle". Të tjerët thanë: "Sytë e tij flenë, por zemra e tij nuk fle." Pastaj thanë: "Ka një shembull për këtë shokun tuaj." Njëri prej tyre tha: "Atëherë tregojeni shembullin e tij!" Disa prej tyre thanë: "Ai po fle." Të tjerët thanë: "Sytë e tij flenë por zemra e tij është zgjuar." Pastaj shtuan: "Shembulli i tij është si ai që kishte ndërtuar një shtëpi dhe pastaj shtroi një darkë e dërgoi lajmëtarë për të ftuar njerëzit. Në këtë mënyrë, kushdo që pranoi ftesën e tij, hyri në shtëpi dhe hëngri nga darka e shtruar, ndërsa ata që nuk e pranuan ftesën e tij, nuk hynë në shtëpi dhe nuk hëngrën nga ajo darkë." Pastaj melekët thanë: "Shpjegojani këtë krahasim atij që të mund ta kuptojë." Disa prej tyre thanë: "Ai po fle." Të tjerët thanë: "Sytë e tij flenë, por zemra e tij nuk fle". Më pas ata shtuan: "Shtëpia paraqet Xhenetin, ndërsa ftuesi është Muhamedi a.s. dhe, kushdo që i bindet Muhamedit a.s., i është bindur Allahut, ndërsa, kushdo që nuk i bindet Muhamedit a.s., nuk i ështhë bindur Allahut. Muhamedi a.s. i bëri njerëzit të dallohen mes tyre (Mesazhi i tij bëri që të dallohet e mira nga e keqja, besimtarët nga jobesimtarët)." (7281)
|