Kapitulli: 171. Rreth ajetit "...dhe nuk gjeni ujë..." (Kuran 5:6)
223.
Aishja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit a.s., tregon: "Dolëm me të Dërguarin e Allahut a.s. në një nga udhëtimet e tij. Kur arritëm në Bejdaa ose Dhatul-Xhejsh, m'u këput një gjerdan (dhe më humbi). I Dërguari i Allahut a.s. qëndroi atje për ta kërkuar atë. Kështu bënë edhe njerëzit e tjerë bashkë me të. Në atë vend nuk kishte ujë, kështu që njerëzit shkuan te Ebu Bekri r.a. dhe i thanë: "A nuk e sheh se ç'bëri Aishja? E bëri të Dërguarin e Allahut a.s. dhe njerëzit e tjerë të qëndrojnë në një vend pa ujë dhe (për më tepër) s'kanë ujë as me vete." Kur i Dërguari i Allahut a.s. po flinte me kokën të vënë mbi këmbën time, Ebu Bekri erdhi dhe më tha: "E pengove të Dërguarin e Allahut a.s. dhe njerëzit në një vend pa ujë, duke mos patur (ujë) as me vete." Kështu, ai më qortoi dhe më foli aq sa deshi Allahu, pastaj më qëlloi me dorë në ije. Asgjë nuk më ndaloi që të lëvizja (nga dhimbja), veçse gjendja e të Dërguarit të Allahut a.s. (që ishte mbështetur) në këmbën time. Kështu, kur u ngrit i Dërguari i Allahut a.s. në agim, s'kishte aspak ujë. Në këto kushte, Allahu zbriti ajetin e tejemumit (Kuran, 5:6) dhe të gjithë morën tejemum. Pas kësaj Usejd Ibn Hudejni tha: "Nuk është kjo mirësia dhe bekimi i parë për ju, o familja e Ebu Bekrit." Pastaj u trazua deveja në të cilën pata hipur dhe nën të gjetëm gjerdanin." (334)
224.
Xhabir Ibn Abdullahu r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Më janë dhënë pesë gjëra, të cilat nuk i janë dhënë askujt para meje: 1. Allahu më bëri fitues në sajë të tmerrit, (duke i frikësuar armiqtë e mi) në një largësi sa një muaj udhëtimi; 2. Toka është bërë për mua (dhe ithtarët e mi) vend për falje dhe mjet pastrues (për Tejemum), kështu që, kushdo nga pasuesit e mi mund të falet kudo që të jetë, në çdo kohë falje; 3. Plaçka e luftës më është bërë hallall (e ligjshme) mua, edhe pse ajo nuk ka qenë e ligjshme për askënd para meje; 4. Më është dhënë e drejta e ndërmjetësimit (në Ditën e Llogarisë); 5. Çdo pejgamber (para meje) dërgohej vetëm për kombin e tij, ndërsa unë jam dërguar për gjithë njerëzimin." (335)
|