Kapitulli: 248. Namazi është shlyerje (dhe falje) e gjynaheve
326.
Hudhejfah tregon r.a. "Një herë qemë ulur me Umerin r.a., kur ai na tha: "Cili prej jush e kujton fjalën e të Dërguarit të Allahut a.s. për fitnet (sprovat, mundimet)?" Unë i thashë: "Unë e di atë, ashtu siç e ka thënë ai (a.s.)." Umeri tha: "Padyshim që ti je i guximshëm." I thashë: "Fitnet që i vijnë njeriut nga bashkëshortja e tij, nga paraja e tij, fëmija e tij dhe nga fqinji i tij, shlyhen nga namazi që ai fal, nga agjërimi që ai mban, nga bamirësia që ai bën dhe nga urdhërimi i së mirës (el- nia'ruf - besimi i pastër islam, gjithë ç'ka urdhëruar Allahu) dhe nga ndalimi i së keqes (el-munker - femohimi, politeizmi, e keqja dhe gjithë ç'ka ndaluar Allahu).// Umeri tha: "Nuk desha këtë, por të pyeta për fitnen që do të përhapet si valët e detit." Atëherë i thashë: "O prijësi i drejtë i besimtarëve të vërtetë! Nuk ke pse shqetësohesh për të, pasi është një derë e mbyllur mes teje dhe saj." Umeri pyeti: " A do të çelet apo do të thyhet ajo derë?" I thashë: "Ajo do të thyhet". Umeri tha: "Atëherë ajo nuk do të mbyllet më kurrë." Më pyetën nëse Umeri e dinte atëherë. U thashë se ai e dinte aq mirë sa dihet se para agimit të nesërm është nata dhe u kam treguar një hadith të lirë nga çdo gabim duke mos ngatërruar asnjë fjalë." Treguesi i dytë i hadithit thotë se e çuan Masrukun te Hudhejfa që ta pyesnin për "derën". Hudhejfa tha: "(Dera) ishte vetë Umeri." (525)
327.
Ibn Mesudi r.a. tregon: "Dikush puthi një grua (duke bërë kështu shumë gjynah) dhe pastaj shkoi te Pejgamberi a.s. (i penduar) dhe e njoftoi për ç'i kishte ndodhur. Nga ky shkak Allahu i Madhëruar zbriti Ajetin: "Dhe kryeni faljen në (dy) skajet e ditës (agimi, dreka dhe pasditja) dhe në orët e para të natës (mbrëmja dhe darka), (e të gjitha këto përbëjnë faljen e rregullt të detyruar ditore për çdo musliman e muslimane). Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqija." (Kuran v. 11:114) Burri pyeti: "O i Dërguari i Allahut! A është vetëm për mua ky udhëzim?" Ai (a.s.) tha: "Është për të gjithë ata ndjekës të rrugës sime (të cilët bien në gjynah të tillë)." Në një tregim tjetër të Ibn Mesudit r.a. shtohen edhe fjalët "të cilët ndeshin e bien në një gjynah të tillë."(526)
328.
Hadithi me këtë numër është fshier për shkak të përsëritjes.
|