Kapitulli: 308. Imami është zgjedhur që ai të ndiqet dhe të plotësohen veprimet bashkë me të
409.
Aishja r.a. tregon: "Kur iu rëndua sëmundja, Pejgamberi a.s. pyeti: "A u falën njerëzit?" I thanë: "Jo, o i Dërguari i Allahut! Ata po të presin ty." Tha: "Më mbushni një govatë me ujë." Kështu bëmë, pastaj e lau gjithë trupin dhe u përpoq të ngrihet, por i ra të fikët. Kur e mori veten, ai (a.s.) përsëri pyeti nëse njerëzit e kishin falur namazin, (por) ne i thamë: "Jo! Po të presim ty, o i Dërguari i Allahut." Përsëri tha: "Më mbushni një govatë me ujë." Ai (a.s.) u ul dhe bëri një banjë (tjetër) dhe u përpoq të ngrihet, por përsëri i ra të fikët. Pastaj e rimori veten dhe pyeti: "A u falën njerëzit?" Ne i thamë: "Jo! Ata po të presin ty, o i Dërguari i Allahut." Tha: "Më mbushni një govatë me ujë." Kështu, ai përsëri u ul dhe u la, pastaj bëri të ngrihet, por përsëri i humbi ndjenjat. Kur e rimori veten pyeti: "A u falën njerëzit?" Ne i thamë: "Jo! Ata po të presin ty, o i Dërguari i Allahut." Njerëzit në xhami po prisnin Pejgamberin a.s. për namazin e darkës. Pejgamberi a.s. i çoi fjalë Ebu Bekrit që t'u prijë njerëzve në namaz. Kur arriti lajmi tek Ebu Bekri i thanë: "I Dërguari i Allahut a.s. të urdhëron që t'u prijsh njerëzve në namaz." Ebu Bekri qe njeri shumë zemërbutë e që lëndohej shpejt. Kështu që ai i tha Umerit: "O Umer. Priju njerëzve në namaz." Por Umeri i tha: "Ti je më i merituar për këtë gjë." Kështu Ebu Bekri priu faljen e namazit ato ditë." (Pastaj vazhdon me hadithin nr. 399.) (687)
410.
Aishja r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. gjatë sëmundjes së tij i falte namazet në shtëpi. (Këtu në këtë hadith shtohet se kur imami që prin në namaz, falet ulur, edhe njerëzit që falen pas tij duhet të falen ulur si ai.) (688)
|