Kapitulli: 425. Namazi gjatë oklipsit të diellit
561.
Ebu Bekra r.a. tregon: "Ishim tek i Dërguari i Allahut a.s. kur u zu dielli. Pejgamberi a.s. u ngrit shpejt duke tërhequr xhyben zvarrë derisa hyri në xhami. Edhe ne hymë pas tij. Pasi na priu duke na falur dy rekatë namaz, derisa dielli u duk përsëri, Pejgamberi a.s. na tha: "Dielli dhe hëna nuk zihen për shkak të vdekjes së ndokujt, kështu që, kur të shihni eklipsin e tyre, faluni dhe lutni (Allahun) derisa të kalojë çfarë ju ka ndodhur." Në një tregim tjetër thuhet se Pejgamberi a.s. tha: "Por me ta (eklipset) Allahu i frikëson robët e Tij." Hadithi i eklipseve përmendet shumë herë dhe në një citim tjetër nga Mugira Ibn Shuëba r.a. thuhet: "U zu dielli në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s. ditën që vdiq Ibrahimi (i biri i Pejgamberit a.s.). Nga kjo njerëzit thanë se u zu dielli për shkak të vdekjes së Ibrahimit. I Dërguari i Allahut a.s. tha: "Eklipsi i diellit dhe i hënës nuk ndodh për shkak të vdekjes së ndokujt dhe as për shkak të ardhjes në jetë të ndokujt. Prandaj, kur të shihni eklipsin, faluni dhe lutni Allahun." (1040,1043,1048)
|