Kapitulli: 497. Fjala e Pejgamberit a.s.: "I vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes (me vaj) të disa të afërmve të tij", në qoftë se vajtimi ka qenë zakon i të vdekurit
652.
Usama Ibn Zejd r.a. tregon: "Bija e Pejgamberit a.s. i çoi fjalë atij që të vijë sa më shpejt se i biri i saj ishte në grahmat (e fundit), por Pejgamberi a.s. e ktheu lajmësin që t'i kthejë asaj përshë- ndetjen dhe t'i thotë: "Gjithçka që merr Allahu, i takon Atij dhe gjithçka që Ai jep është e Tij dhe çdo gjë tek Allahu ka kohën e vet të përcaktuar (në këtë botë). Kështu që bëj durim dhe shpreso për Shpërblimin e Allahut." Po ajo përsëri i çoi fjalë atij duke i bërë be se duhet të vinte patjetër. Kështu që Pejgamberi a.s. u ngrit dhe bashkë me të u ngritën edhe Saad Ibn Ubada, Muadh Ibn Xhebeli, Ubej Ibn Kaabi, Zejd Ibn Thabit dhe disa burra të tjerë. Ia sollën fëmijën të Dërguarit të Allahut a.s., ndërsa (në gjoks) po merrte frymë i shqetësuar (treguesi i dytë mendon se Usama tha edhe) si të ishte calik uji prej lëkure. Pejgamberit a.s. i kulluan sytë lot. Saadi i tha: "O i Dërguari i Allahut! Ç'është kjo?" Ai tha: "Është mëshira që Allahu e ka brumosur në zemrat e robërve të Vet dhe padyshim që Allahu mëshiron nga robërit e Tij ata që janë të mëshirshëm (ndaj të tjerëve)." (1284)
653.
Enesi r.a. tregon: "Morëm pjesë në varrimin e një prej bijave të të Dërguarit të Allahut a.s. dhe ai ishte ulur pranë varrit. E pashë t'i kullojnë lot nga sytë. Ai tha: " A ka ndonjë që nuk ka fjetur me gruan mbrëmë?" "Unë", - u përgjigj Ebu Talha. Kështu, Pejgamberi a.s. i tha atij të zbresë në varr dhe ai zbriti për të rregulluar xhenazen." (1285)
654.
Umeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "I vdekuri ndëshkohet në varr nga qarja (me zë, me vaj etj.) e të afërmve të tij." Kur kjo fjalë i mbërriti në vesh Aishas r.a. pas vdekjes së Umerit r.a., ajo tha: "Allahu e mëshiroftë Umerin! Për Allah! I Dërguari i Allahut a.s. nuk ka thënë se besimtari ndëshkohet nga të qarët (me zë, me vaj etj.) e të afërmve të tij, por i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: 'Allahu ia shton ndëshkimin një mosbesimtari për shkak të të qarit (me zë, me vaj etj.) të të afërmve të tij për të'." Pastaj ajo shtoi: "Më se i mjaftueshëm për ju është Kurani (për ta qartësuar këtë çështje), pasi Allahu thotë: 'Dhe asnjë mbajtës i barrës, nuk do të mbajë barrën e tjetërkujt (Kuran, 35:18 dhe 6:164)." (1286, 1287, 1288)
655.
Aishja r.a. tregon: "I Dërguari i Allahut a.s. kaloi pranë varrit të një çifuteje, të afërmit e së cilës po qanin sipër saj. Ai (a.s.) tha: "Ata po qajnë (me zë e vaj) mbi të, ndërsa ajo po ndëshkohet në varrin e saj." (1289)
|