Kapitulli: 556. Zekati i dhenve
737.
Enesi r.a. tregon: "Kur Ebu Bekri r.a. më dërgoi në Bahrejn për të mbledhur zekatin, ai më shkroi këtë letër: "Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Këto janë detyrimet e përcaktuara për zekatin të cilat, i Dërguari i Allahut a.s. i ka bërë të detyrueshme për çdo musliman dhe që Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij (a.s.) për t'i ndjekur: Cilido musliman të cilit i kërkohet të japë zekatin përkatësisht siç shtjellohet më poshtë, ai duhet t'ia japë atë (mbledhësit të zekatit) dhe, kujt i kërkohet më tepër se ç'përshkruhet e përcaktuar në këtë shkresë, ai nuk duhet ta japë atë. Kështu pra, për njëzet e katër deve ose më pak, për zekat jepen dhen: për çdo pesë deve jepet një dele; për njëzet e pesë deri në tridhjetë e pesë kokë, jepet një deve njëvjeçare; në qoftë se janë nga tridhjetë e gjashtë deri në dyzet e pesë deve, jepet një deve dyvjeçare; në qoftë se janë nga dyzet e gjashtë deri në gjashtëdhjetë kokë, jepet një deve tri vjeçare; në qoftë se janë nga gjashtëdhjetë e një deri në shtatëdhjetë e pesë deve, jepet një deve katërvjeçare; në qoftë se janë nga shtatëdhjetë e gjashtë deri në nëntëdhjetë kokë, jepen dy deve dyvjeçare; në qoftë se janë nga nëntëdhjetë e një deri në njëqind e njëzetë kokë, jepen dy deve trevjeçare; dhe në qoftë se janë mbi njëqind e njëzetë deve, atëherë për çdo dyzet deve, jepet edhe një deve dyvjeçare, ndërsa për çdo pesëdhjetë deve, jepet edhe një deve trivjeçare (përmbi detyrimin e paraparë për njëqind e njëzet deve); por kush ka katër deve, ai nuk ka detyrim zekati, veçse nëse do pronari i tyre, ndërsa kur numri i tyre arrin në pesë kokë, atëherë ai duhet të japë një dele për zekat. Ndërsa për zekatin e dhenve (të veprohet) si më poshtë: Në qoftë se ato janë ndërmjet dyzet dhe njëqind e njëzetë kokë, jepet një dele; në qoftë se janë mbi njëqind e njëzetë deri në dyqind jepen dy dele; në qoftë se janë mbi dyqind deri në treqind, jepen tre dele; dhe nëse janë mbi treqind dele për çdo njëqind jepet edhe një dele (përmbi detyrimin e treqind dhenve); dhe kush ka më pak se dyzet dhen, ai nuk ka detyrim zekati; veçse nëse do pronari i tyre. Për argjendin: zekati është një e dyzeta e gjithë sasisë (2.5%), ndërsa po të jetë vlera më pak se dyqind dirhem (rreth 640 gr.) për të nuk ka detyrim zekati, veçse nëse do pronari të japë lëmoshë. (1454)
|