Kapitulli: 568. Vlerësimi paraprak i hurmave për marrjen e zekatit
754.
Ebu Hunejd Saidiu r.a. tregon: "Morëm pjesë në ekspeditën e shenjtë të Tebukut me të Dërguarin e Allahut a.s. Ndërsa arritëm në Vadil-Kura, kur pamë një grua në kopshtin e saj. Pejgamberi a.s. u tha shokëve të tij që të vlerësonin sasinë e frutave të kopshtit, ndërsa ai (a.s.) i vlerësoi dhjetë Asvak (rreth 1800 kg). Pejgamberi a.s. i tha gruas: "Shihe dhe mate mirë sa do të prodhojë kopshti." Kur arritëm në Tebuk, i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Sonte do të fryjë erë shumë e fortë, kështu që asnjë të mos rri në këmbë dhe kush të ketë deve, t'i shtrëngojë fort ato." Kështu pra, ne i lidhëm devetë tona. Natën fryu erë shumë e fortë. Dikush u ngrit në këmbë dhe e mori era dhe e çoi te mali Tajji. Mbreti i Ejles i dërgoi Pejgamberit a.s. si dhuratë një mushkë të bardhë, një xhybe dhe i shkroi se populli i tij do të rrinte në vendin e tij (dhe do të paguajë taksën e xhizjes150) Kur u kthyem në Vadil-Kura, Pejgamberi a.s. e pyeti atë grua se sa kishte nxjerrë kopështi i saj. Ajo u përgjigj: "Dhjetë Asvak", d.m.th. aq sa e kishte vlerësuar edhe i Dërguari i Allahut a.s.. Pastaj Pejgamberi a.s. tha: "Unë dua të arrij shpejt në Medine dhe, kushdo që dëshiron të shpejtojë me mua, duhet të nxitojë. Kur pa Medinen, ai (a.s.) tha: "Kjo është Tabah", ndërsa, kur pa Uhudin tha: "Ky mal na do neve dhe ne e duam atë. A t'ju tregoj familjet më të mira të ensarëve?" Ne pohuam dhe ai vazhdoi: "Familja e Beni Nexhxhar, pastaj familja e Beni Abdul- Eshhel, pastaj familja e Beni Saida ose Beni Harith Ibn Hazrexh. (Këto janë më të mirat), por mirësia është tek të gjitha familjet e ensarëve." (1481,1482)
|