Kapitulli: 57. Zemërimi gjatë ligjëratës fetare dhe mësimdhënies në qoftë se shihet diçka e urryer
79.
Ebu Musa Ensariu r.a. tregon: "Njëherë një burrë i tha të Dërguarit të Allahut a.s.: "O i Dërguari i Allahut! A mundet që të mos u bashkohem njerëzve në namaz, sepse, kur na e fal filani, na e zgjat atë?" Kurrë më parë nuk e kisha parë Pejgamberin a.s. aq të nxehur gjatë këshillimeve sa atë ditë. Pas kësaj Pejgamberi a.s. tha: "O njerëz! Vërtet, disa prej jush i bëjnë njerëzit që të mos i pëlqejnë punët e mira (faljen e namazit ua mërzitin atyre). Prandaj kushdo që u prin njerëzve në falje, duhet që ta shkurtojë e ta lehtësojë (namazin), sepse mes tyre ka të atillë që janë të sëmurë, të dobët dhe që kanë nevojë (për t'u liruar shpejt për ndonjë punë të ngutshme)." (90)
80.
Zejd Ibn Halid Xhuheniu r.a. tregon: "Një burrë e pyeti Pejgamberin a.s. për sendin me vlerë të gjetur në rrugë. Pejgamberi a.s. u përgjigj: "Shihe mirë dhe njihe me se është lidhur (apo: çfarë ka brenda) dhe njoftoje ndër njerëz për një vit, pastaj shfrytëzoje atë, por nëse i vjen pronari, atëherë duhet t'ia kthesh atij." Pastaj ai pyeti: "Po deveja e humbur?" Nga kjo (pyetje) Pejgamberi a.s. u nxeh derisa iu skuqën faqet (apo: fytyra) dhe tha: "Ti s'ke punë me të, sepse ajo e ka me vete edhe mbajtësen e ujit për vete, edhe këmbët për të arritur tek uji dhe për të ngrënë pemët (për të kullotur), kështu që lëre atë ashtu, derisa ta gjejë pronari i saj." Ai e pyeti sërish: "Podeljae humbur?" Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "Ajo është ose për ty, ose për vëllanë tënd (që e gjen apo që e ka humbur), ose për ujkun." (91)
81.
Ebu Musa r.a. tregon se (njëherë) Pejgamberin a.s. e pyetën për gjëra që ai nuk i pëlqente, por, kur njerëzit po vazhdonin ta pyesnin si shumë, ai u nevrikos, pastaj tha: "Më pyesni për çfarë të doni." Një burrë e pyeti: "Kush është babai im?" Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "Babai yt është Hudhafa." Atëherë u ngrit një tjetër duke thënë: "Kush është babai im, o i Dërguari i Allahut?" Atij iu përgjigj: "Babai yt është Salirni, skllavi i liruar i Shejbas." Dhe kur Umeri e pa këtë gjendje në fytyrën e Pejgamberit a.s. tha: "O i Dërguari i Allahut! Vërtet, ne pendohemi tek Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar (për teprimin në pyetje duke të shqetësuar e duke të fyer)." (92)
|