Kapitulli: 699. (pa titull)
918.
Aishja r.a. tregon: "Kur erdhi në Medine i Dërguari i Allahut a.s., Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Kur Ebu Bekrin e rënduan ethet, tha: "Gjithkush është gjallë me njerëzit e tij, megjithatë vdekja është më pranë tij se lidhëset e opingave." Ndërsa kur Bilalin e lironin ethet do ta ngrinte zërin dhe recitonte: "Sikur të rrija gjithë natën, në një luginë ku të isha i rrethuar nga idlihir dhe xhelil (dy barëra me erë të mirë)! Ah sikur një ditë të mund të pija ujin e Mexhennes! Ah sikur të më dilnin përpara (dy malet) Shamah dhe Tefil!" Pejgamberi a.s. u lut: "O Allah! Mallkoje Sheiba Ibn Rebia, edhe Utba Ibn Rebia, edhe Umejje Ibn Halef, pasi na nxorrën nga vendi ynë në vendin e epidemive." Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. tha (duke u lutur): "O Allah! Na bën që ta duam Medinen ashtu siç duam Mekën bile edhe më tepër se aq! O Allah! Na dhuro bekime në sa'in tonë dhe muddin tonë (dy masa peshe, rreth 3 dhe 4 kg, simbole të ushqimit). Na e bën klimën e Medines të përshtatshme për ne dhe largoji ethet e saj në Xhuhfa." (Shton Aishja r.a.:) Kur ne erdhëm në Medine, ajo ishte më i padurueshmi vend nga toka e Allahut dhe nëpër luginën But'han (lugina e Medines) rridhte ujë i ndotur." (1889)
|