Kapitulli: 732. Nëse dikush e detyron vëllanë e vet musliman ta prishë agjërimin e lirë (nafile) duke i bërë atij be
957.
Ebu Xhuhejfa r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. vëllazëroi Selmanin me Ebu Derdan. Selmani i shkoi atij për vizitë dhe e gjeti (të shoqen e tij) Umm Derdan si mos më keq, kështu që e pyeti se pse ishte katandisur ashtu. Ajo i tha: "Vëllai yt, Ebu Derda, nuk tregon asnjë dëshirë e qëllim për (jetë të lumtur në) këtë botë." Ndërkohë erdhi Ebu Derda dhe bëri për Selmanin diçka për të ngrënë. Selmani i kërkoi atij që të hante (bashkë me të), por ai i tha se agjëronte. Selmani i tha: "Unë nuk do të ha derisa të hash edhe ti." Kështu, Ebu Derda hëngri bashkë me të. Natën (kur kishte kaluar një pjesë e saj), Ebu Derda u ngrit (për të falur namazin e natës), por Selmani i tha të flinte dhe ai fjeti përsëri. Pas pak Ebu Derda u ngrit përsëri, por prapë Selmani i tha që të flinte. Kur erdhi pjesa e fundit e natës, Selmani i thirri Ebu Derdasë të ngrihej këtë kohë dhe kështu ata të dy u falën. Pastaj Selmani i tha Ebu Derdasë: "Zoti yt ka të drejtë mbi ty, vetja jote ka të drejtë mbi ty, familja jote ka të drejtë mbi ty, (secili ka hakun e vet mbi ty), kështu që duhet t'u japësh hakun e vet gjithkujt që ka të drejtë mbi ty." Ebu Derdai shkoi tek Pejgamberi a.s. dhe i tregoi gjithë ndodhinë. Pejgamberi a.s. tha: "Selmani ka thënë të vërtetën." (1968)
|