Kapitulli: 827. Lejohet që t'i jepet dhuratë përfaqësuesit ose ndërmjetësuesit (të dikujt)
1067.
Misvan Ibn Mahrama r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. u ngrit në këmbë, kur erdhën përfaqësuesit e fisit Hevazin pas përqafimit të Islamit prej tyre. Ata i kërkuan atij që t'ua kthente atyre pasuritë e tyre dhe robërit e tyre. I Dërguari i Allahut a.s. u tha: "Më e dashura fjalë për mua është fjala e vërtetë. Kështu pra, keni të drejtë të zgjidhni mes dy gjërave: Ose pasuritë, ose robërit pasi e kam vonuar ndarjen e tyre." Përcjellësi i hadithit shton se i Dërguari i Allahut a.s. i kishte pritur ata që të vinin më shumë se dhjetë ditë pas kthimit të tij nga Taifi. Kur iu bë e qartë se i Dërguari i Allahut a.s. do të mund t'u kthente atyre vetëm njërën nga të dyja, ata thanë: "Do të zgjedhim robërit." Pas kësaj i Dërguari i Allahut a.s. u ngrit në mbledhjen e muslimanëve, falënderoi Allahun ashtu siç i takon Atij dhe siç e kishte zakon ai gjithnjë, pastaj tha: "Dhe më pas! Këta vëllezërit tuaj kanë ardhur tek ju me pendim (duke kërkuar Faljen e Allahut) dhe e shoh më të përshtatshme, që t'ua kthejmë atyre robërit e kapur. Si përfundim pra, kushdo nga ju që do ta bëjë këtë gjë si mirësi, atëherë ai mund ta bëjë një gjë të tillë dhe, kushdo nga ju që do ta mbajë pjesën e vet derisa ta paguajmë nga plaçka e parë e luftës që do të në dhurojë Allahu, atëherë ai mund ta bëjë një gjë të tillë." Njerëzit i thanë: "Ne pajtohemi që t'i japim hiset tona me dëshirë, si mirësi për të Dërguarin e Allahut a.s.." Nga kjo i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Nuk e dimë se kush nga ju është pajtuar me këtë zgjedhje dhe kush nuk është pajtuar. Kthehuni dhe të parët tuaj mund të na sjellin mendimet tuaja." Kështu, ata u kthyen dhe prijësit e tyre e rrahën çështjen me ta. Pastaj ata u kthyen tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe e njoftuan se njerëzit e tyre, do t'i kthenin hiset me qejf dhe me dëshirë. (2307, 2308)
|