1525.
Ebu Musa r.a. dëfton këtë ndodhi: "Mora avdes në shtëpi pastaj dola dhe thashë: "Sot do t'i ngjitem pas të Dërguarit të Allahut a.s. dhe do të jem me të gjithë ditën." Shkova në xhami dhe pyeta për Pejgamberin a.s.. Më thanë se kishte dalë e kishte ikur këndej (duke më treguar nga kishte shkuar). Kështu, vazhdova pas tij duke pyetur, derisa (e pashë) të hynte në vendin e pusit Eris. U ula te dera që ishte me dega palme hurme dhe prita derisa i Dërguari i Allahut kreu nevojën dhe mori avdes. Pastaj shkova tek ai, kur ai u ul në grykën e pusit Eris, në mes të dy anëve, me këmbët e zbuluara deri në gjunjë që i kishte varur në pus. E përshëndeta atë pastaj u ktheva prapë dhe u ula te dera. Thashë (me vete): "Sot do të jem roja e Pejgamberit a.s." Pastaj erdhi Ebu Bekri dhe e shtyu derën. Pyeta: "Kush është?" Ai më tha: "Ebu Bekri." I thashë të priste dhe shkova të pyes të Dërguarin e Allahut a.s.. I thashë se Ebu Bekri kërkon leje për të hyrë. Ai a.s. më tha: "Lëre të hyjë dhe përgëzoje me Xhenet!" U ktheva dhe i thashë Ebu Bekrit: "Hyr! I Dërguari i Allahut të përgëzon me Xhenet." Ai hyri dhe u ul në të djathtë të të Dërguarit të Allahut a.s. në grykën e pusit, duke i varur këmbët si Pejgamberi a.s. dhe i zbuloi ato deri në gjunjë. Pastaj unë u ktheva te dera dhe u ula. (Kur dola nga shtëpia) Vëllanë tim e lashë duke marrë avdes dhe deshte të më vinte pas. Thashë (me vete): "Në qoftë se Allahu ia do të mirën atij (vëllait tim), atëherë do ta sjellë atë këtu". Papritur erdhi dikush dhe e shtyu derën. Pyeta se kush ishte. Më tha se ishte Umer Ibn Hattabi. I thashë që të presë, pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut a.s., e përshëndeta dhe i thashë: "Umer Ibn Hattabi kërkon leje për të hyrë." Ai a.s. tha: "Lëre të hyjë dhe përgëzoje me Xhenet." U ktheva dhe i thashë: "Hyr! I Dërguari i Allahut a.s. të përgëzon me Xhenet." Ai hyri dhe u ul pranë të Dërguarit të Allahut a.s. në të majtë të tij në grykën e pusit dhe vari këmbët në të. Përsëri u ktheva dhe u ula te dera, duke thënë (me vete): "Në qoftë se Allahu ia do-të mirën filanit (vëllait), atëherë do ta sjellë atë këtu". Atë çast erdhi dikush dhe e shtyu derën. E pyeta se kush ishte dhe m'u përgjigj se ishte Uthman Ibn Affani. I thashë të priste dhe shkova e i tregova Pejgamberit a.s.. Ai më tha: "Lëre të hyjë dhe përgëzoje me Xhenet pas një sprove që do t'i bjerë." Kështu u ktheva dhe i thashë: "Hyr. I Dërguari i Allahut a.s. të përgëzon me Xhenet pas një sprove që do të të bjerë." Ai hyri dhe e gjeti grykën e pusit të zënë, kështu që u ul përballë Pejgamberit a.s. në anën tjetër." (3674)
|