436.
Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë i cili, pasi u fal, shkoi dhe e përshëndeti Pejgamberin a.s..Ai (a.s.) ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: "Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur." Personi u kthye dhe u fal përsëri ashtu siç u fal herën e parë, pastaj u kthye dhe e përshëndeti Pejgamberin a.s. i cili përsëri i tha: "Kthehu dhe falu prapë sepse nuk je falur." Kjo gjë vazhdoi tri herë. (Pas gjithë kësaj) ai tha: "(Betohem) për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën! Unë nuk mund të falem më mirë se kështu! (Të lutem) më mëso pra!" Nga kjo Pejgamberi a.s. tha: "Kur të ngrihesh e të vendosësh për të falur namaz shqipto tekbirin (fjalët Allaliu Ekber - Allahu është më i Madhi, për fillimin e namazit), pastaj këndo ç'është më e lehtë për ty (që di përmendësh nga Kurani, pastaj përkulu në ruku dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ngrije kokën dhe qëndro drejt në këmbë, pastaj bjer me fytyrë për tokë në sexhde dhe rri sa të ndihesh i qetësuar (në këtë gjendje), pastaj ulu dhe rri i qetësuar (dhe mos u nxito për sexhden e dytë). Kështu pra vepro gjatë gjithë faljes tënde (në çdo veprim rri sa të ndihesh i qetësuar në atë gjendje që je)." (757)
|