652.
Usama Ibn Zejd r.a. tregon: "Bija e Pejgamberit a.s. i çoi fjalë atij që të vijë sa më shpejt se i biri i saj ishte në grahmat (e fundit), por Pejgamberi a.s. e ktheu lajmësin që t'i kthejë asaj përshë- ndetjen dhe t'i thotë: "Gjithçka që merr Allahu, i takon Atij dhe gjithçka që Ai jep është e Tij dhe çdo gjë tek Allahu ka kohën e vet të përcaktuar (në këtë botë). Kështu që bëj durim dhe shpreso për Shpërblimin e Allahut." Po ajo përsëri i çoi fjalë atij duke i bërë be se duhet të vinte patjetër. Kështu që Pejgamberi a.s. u ngrit dhe bashkë me të u ngritën edhe Saad Ibn Ubada, Muadh Ibn Xhebeli, Ubej Ibn Kaabi, Zejd Ibn Thabit dhe disa burra të tjerë. Ia sollën fëmijën të Dërguarit të Allahut a.s., ndërsa (në gjoks) po merrte frymë i shqetësuar (treguesi i dytë mendon se Usama tha edhe) si të ishte calik uji prej lëkure. Pejgamberit a.s. i kulluan sytë lot. Saadi i tha: "O i Dërguari i Allahut! Ç'është kjo?" Ai tha: "Është mëshira që Allahu e ka brumosur në zemrat e robërve të Vet dhe padyshim që Allahu mëshiron nga robërit e Tij ata që janë të mëshirshëm (ndaj të tjerëve)." (1284)
|