678.
Ibn Umeri r.a. tregon: "Umeri r.a. bashkë me Pejgamberin a.s. dhe me disa njerëz të tjerë u nisën për tek Ibn Sajjad, derisa e gjetën duke luajtur me disa djem të vegjël afër kodrinave të Beni Megala. Ibn Sajjad atë kohë ishte afër moshës së pubertitetit dhe nuk na vuri re, derisa Pejgamberi a.s. i ra me dorë dhe i tha: "A dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut?" Ai e pa dhe pastaj tha: "Dëshmoj se ti je i Dërguari i analfabetëve." Pastaj Ibn Sajjad e pyeti Pejgamberin a.s.: "A dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut?" Pejgamberi a.s. e mohoi atë dhe tha: "Unë besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij." Pastaj i tha: "Ç'mendon?" Ibn Sajjad tha: "Më kanë ardhur njerëz të besuar dhe gënjeshtarë." Pejgamberi a.s. i tha: "Sa për këtë çështje je ngatërruar. Kam diçka (në mendje) për ty, (a mund ta thuash atë?)" Ibn Sejjad tha: "Është Ed-Dnh (Tymi)." Pejgamberi a.s. i tha: "Ik pra! Ti nuk mund t'i kalosh mundësitë e tua." Nga kjo Umeri r.a. tha: "Më lër t'ia këpus kokën o i Dërguari i Allahut!" Ndërsa Pejgamberi a.s. tha: "Në qoftë se ai (Ibn Sajjad) është ai (Dexh-xhali), atëherë ti nuk e mund dot atë dhe, në qoftë se nuk është ai, atëherë s'ke asnjë të mirë (nuk ia vlen) nga vrasja e tij." I Dërguari i Allahut a.s. më pas shkoi edhe një herë tjetër bashkë me Ubej bin Kabin te pemtorja e hurmave, ku rrinte Ibn Sejjadi. Pejgamberi a.s. donte që të dëgjonte ndonjë gjë prej Ibn Sajjadit përpara se ai ta shihte Pejgamberin a.s.. Kështu, Pejgamberi a.s. e pa atë të shtrirë e të mbuluar me një çarçaf nga ku dëgjoheshin murmuritjet e tij. Nëna e Ibn Sejjadit e pa të Dërguarin e Allahut a.s. të fshehur ndërmjet trungjeve të pemëve dhe i thirri atij: "O Safi! (Kështu e kishte emrin Ibn Sejjadi) Ja ku është Muhamedi (a.s.)!" Me këtë Ibn Sejjadi u ngrit. Pejgamberi a.s. tha: "Po ta kishte lënë ajo grua atë (Ibn Sejjadin) pa e trazuar, atëherë ai do ta kishte shfaqur të vërtetën e çështjes së vet." (1354,1355)
|